La ilahe il Allah

80-Abese

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

80:1.    Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin,
80:2.    kur i erdhi pranë i verbri.
80:3.    E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet)
80:4.    ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij?!
80:5.    Sa për atë që është i pasur,
80:6.    ti atij po i kushton vëmendje,
80:7.    megjithëse nuk ke përgjegjësi, nëse ai nuk dëshiron të pastrohet.
80:8.    Sa për atë që të vjen duke nxituar
80:9.    dhe ndien frikë (nga Allahu),
80:10.    ti atij nuk po ia vë veshin.
80:11.    Mos vepro ashtu! Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë,
80:12.    pra, kush të dojë, le të marrë këshillë!
80:13.    Ai ndodhet në Faqe të nderuara,
80:14.    të lartësuara, të pastra,
80:15.    në duart e shkruesve (engjëj)
80:16.    të ndershëm dhe të drejtë.
80:17.    Mallkuar qoftë njeriu! Sa mosmirënjohës që është ai!
80:18.    Prej çfarë gjëje e krijon Allahu atë?
80:19.    Prej pikës së farës e krijon dhe i jep përmasa të rregullta.
80:20.    Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes)
80:21.    e pastaj e vdes dhe i cakton një varr,
80:22.    dhe, kur të dojë, Ai e ringjall.
80:23.    E megjithatë, njeriu ende nuk i ka plotësuar ato që i ka urdhëruar Ai!
80:24.    Le të mendojë njeriu për ushqimin e vet:
80:25.    Jemi Ne që lëshojmë ujë me bollëk,
80:26.    pastaj e çajmë tokën në thellësi
80:27.    dhe nxjerrim prej saj drithërat,
80:28.    rrushin e perimet,
80:29.    ullirin e palmat,
80:30.    kopshtet e dendura,
80:31.    pemët dhe gjithë barërat,
80:32.    që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
80:33.    Por, kur të vijë Ushtima,
80:34.    atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai,
80:35.    nga e ëma dhe nga i ati,
80:36.    nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet.
80:37.    Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.
80:38.    Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore,
80:39.    të qeshura e të gëzuara.
80:40.    Atë Ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura,
80:41.    që do t’i mbulojë errësira.
80:42.    Këta janë jobesimtarët, gjynahqarët.