La ilahe il Allah

69-El-Hakka

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

69:1. E Vërteta e pashmangshme!
69:2. Ç’është e Vërteta e pashmangshme?
69:3. E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është e Vërteta e pashmangshme?
69:4. Fiset Themud dhe Ad e mohuan Gjëmimin e tmerrshëm,
69:5. prandaj fisi Themud u shkatërrua nga një ulërimë e tmerrshme,
69:6. kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë,
69:7. të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.
69:8. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?
69:9. Faraoni, ata para tij dhe populli i qyteteve të rrënuara kryen gjynahe të mëdha,
69:10. dhe e kundërshtuan të dërguarin e Zotit të tyre, andaj Allahu i zhbiu ata me dënim të ashpër.
69:11. Kur vërshoi uji i madh, Ne ju ngarkuam ju në anije,
69:12. për ta bërë atë një paralajmërim, që ta dëgjojë çdo vesh i vëmendshëm.
69:13. Dhe kur t’i fryhet një herë Surit,
69:14. kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërmohen me një goditje shkatërrimtare,
69:15. atëherë do të ndodhë Ngjarja e pashmangshme (Kiameti).
69:16. Dhe do të çahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm.
69:17. Engjëjt do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Fronin e Zotit tënd.
69:18. Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur:
69:19. Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim!
69:20. Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.”
69:21. Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur,
69:22. në një kopsht të lartë,
69:23. frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.
69:24. (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!”
69:25. Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im
69:26. dhe të mos e kisha ditur llogarinë time!
69:27. Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)!
69:28. Pasuria ime nuk më solli dobi
69:29. dhe më la fuqia ime!”
69:30. (Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga,
69:31. pastaj digjeni në zjarrin përvëlues,
69:32. mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutësh,
69:33. sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në Allahun e Madhërishëm
69:34. dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë.
69:35. Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt
69:36. e as ushqim tjetër, përveç qelbit,
69:37. të cilin e hanë vetëm gjynahqarët.
69:38. Betohem për gjithçka që ju shihni
69:39. dhe për gjithçka që nuk e shihni,
69:40. se ky (Kuran) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit a.s.)
69:41. e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni!
69:42. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni!
69:43. Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!
69:44. Sikur ai (Muhamedi), në mënyrë të rreme, të Na kishte veshur ndonjë fjalë,
69:45. Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë
69:46. dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës
69:47. e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte.
69:48. Natyrisht, Kurani është përkujtesë për ata që i frikësohen Zotit!
69:49. Ne e dimë mirë se ka prej jush që e mohojnë atë.
69:50. Ai është keqardhje për mohuesit.
69:51. Ai është, pa dyshim, e vërtetë e pamohueshme.
69:52. Prandaj, lartësoje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free