La ilahe il Allah

63-El-Munafikun

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

63:1. Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!
63:2. Ata i përdorin betimet e tyre si maskë dhe i largojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut. Vërtet, shumë të mbrapshta janë punët e tyre!
63:3. Kjo, sepse ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.
63:4. Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!
63:5. Kur u thuhet atyre: “Ejani, se i Dërguari i Allahut do të kërkojë falje për ju”, ata tundin kokat e tyre dhe i sheh ata të kthehen me mendjemadhësi.
63:6. Njësoj është, u lute për faljen e tyre apo nuk u lute, Allahu kurrsesi nuk do t’i falë. Në të vërtetë, Allahu nuk e udhëzon popullin e pabindur.
63:7. Ata thonë: “Mos u jepni kurrgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij!” Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë.
63:8. Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!” Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.
63:9. O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.
63:10. Prandaj jepni prej atyre mirësive që ju kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!”
63:11. Por Allahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (e vdekjes); Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju.