La ilahe il Allah

37-Es-Saffat

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

37:1.    Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur
37:2.    dhe në ata që pengojnë (të keqen)
37:3.    dhe në ata që e lexojnë Kuranin,
37:4.    se, në të vërtetë, Zoti juaj është Një,
37:5.    Zot i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë gjendet mes tyre dhe Zot i lindjeve (të diellit)!
37:6.    Ne e kemi stolisur qiellin e kësaj bote me shkëlqimin e yjeve,
37:7.    mbrojtje nga djajtë kryeneçë.
37:8.    (Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (engjëjt lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët.
37:9.    Pastaj, ashtu të përzënë do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).
37:10.    (Djajtë nuk përgjojnë dot), veç atij që grabit diçka e që e ndjek një yll verbues.
37:11.    Pyeti (o Muhamed) ata (mekas mosbesimtarë): A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.
37:12.    Ti çuditesh (pse ata s’të besojnë), ndërsa ata të përqeshin (pse çuditesh)
37:13.    e, kur u drejtohen këshilla, ata nuk ua vënë veshin.
37:14.    Kur shohin një mrekulli, ata e nxisin njëri-tjetrin për t’u tallur
37:15.    dhe thonë: “Kjo s’është gjë tjetër, veçse një magji e kulluar!”
37:16.    (Ata thonë): “Vallë, kur të vdesim dhe të bëhemi eshtra e pluhur, a thua njëmend do të ringjallemi?
37:17.    Edhe paraardhësit tanë të lashtë?”
37:18.    Thuaju: “Po dhe do të jeni të poshtëruar!”
37:19.    Ai (zëri i bririt të ringjalljes) do të jetë një zë i vetëm dhe të gjithë (mohuesit e ringjallur) do të shohin (se ç’do të bëhet me ta)
37:20.    dhe do të thonë: “Mjerë për ne, kjo është Dita e Gjykimit!”
37:21.    Po, kjo është Dita e Gjykimit, të cilën ju e keni përgënjeshtruar!
37:22.    (Engjëjve do t’u thuhet): “Mblidhini njerëzit e këqij, shokët e tyre (djaj) dhe idhujt që i kanë adhuruar
37:23.    krahas Allahut e tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!
37:24.    Ndalini ata, se do të pyeten:
37:25.    “Ç’keni që nuk e ndihmoni njëri-tjetrin?”
37:26.    Por, atë Ditë ata do të jenë plotësisht të dorëzuar,
37:27.    e do t’i afrohen njëri-tjetrit, duke u grindur.
37:28.    (Pasuesit) do t’u thonë (prijësve): “Ju na vinit nga ana e djathtë”.
37:29.    Ata do të përgjigjen: “Jo, ju vetë nuk ishit besimtarë!
37:30.    Ne nuk kishim kurrfarë pushteti mbi ju, por ju ishit popull i pabindur.
37:31.    E kështu u përmbush fjala e Zotit kundër nesh; ne të gjithë do ta shijojmë me siguri dënimin.
37:32.    Ne ju mashtruam juve, por edhe vetë ishim të mashtruar.”
37:33.    Atë Ditë, të gjithë ata do të jenë së bashku në dënim.
37:34.    Ne kështu veprojmë me keqbërësit,
37:35.    sepse, kur u thuhej atyre: “Nuk ka zot tjetër (të vërtetë) veç Allahut!” - ata tregoheshin mendjemëdhenj
37:36.    dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?”
37:37.    Nuk është ashtu (siç thonë ata), por ai (Muhamedi a.s.) ka sjellë të vërtetën dhe ka pohuar atë që thonin të dërguarit e mëparshëm.
37:38.    Sigurisht, ju do ta provoni dënimin e dhembshëm
37:39.    dhe do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë!
37:40.    Kurse robërit e sinqertë të Allahut,
37:41.    do të kenë mirësi të caktuara dhe
37:42.    fruta të ndryshme e do të jenë të respektuar,
37:43.    në kopshtet e lumturisë,
37:44.    në kolltuqe, përballë njëri-tjetrit.
37:45.    Aty do t’u shërbehet një gotë e mbushur nga një burimi i rrjedhshëm,
37:46.    (me pije) të bardhë e të shijshme për ata që do ta pinë.
37:47.    Prej saj as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen.
37:48.    Pranë tyre do të jenë gra me shikim të ulur e sy të bukur
37:49.    sikur të ishin vezë të ruajtura mirë.
37:50.    Ata do t’i qasen njëri-tjetrit e do të bisedojnë.
37:51.    Dhe njëri prej tyre do të thotë: “Unë kam pasur një shok,
37:52.    i cili më thoshte: “Vallë, edhe ti je nga ata që besojnë
37:53.    se, kur të vdesim e të bëhemi eshtra e pluhur, do të japim llogari vërtet?!”
37:54.    - A doni ta shikoni (atë që më qortonte për shkak të besimit tim)?”
37:55.    Dhe ai do të shikojë poshtë dhe do ta shohë atë në mes të Zjarrit flakërues
37:56.    e do t’i thotë: “Për Allahun! Për pak më shkatërrove edhe mua.
37:57.    Po të mos ishte dhuntia e Zotit tim, edhe unë do të isha në zjarr (bashkë me ty)”.
37:58.    (Banorët e Xhenetit do të thonë:) “A nuk do të vdesim më,
37:59.    përveç vdekjes së parë? Dhe as nuk do të dënohemi?”
37:60.    Vërtet, kjo është fitorja më e madhe!
37:61.    Për diçka të tillë, le të përpiqen punëtorët!
37:62.    A është më e mirë kjo gjendje apo pema e zekumit?
37:63.    Ne e kemi bërë atë si mundim për keqbërësit.
37:64.    Njëmend, kjo pemë del nga fundi i Zjarrit flakërues
37:65.    dhe frutet e saj janë si kokat e djajve.
37:66.    Me të vërtetë, ata do ta hanë këtë frut dhe me të do ta mbushin barkun.
37:67.    Pastaj, ata do të kenë një përzierje me ujë të nxehtë (për të pirë)
37:68.    e pas kësaj, me siguri, kthimi i tyre do të jetë në Zjarrin flakërues.
37:69.    Ata i gjetën etërit e tyre në humbje,
37:70.    dhe kështu vazhduan pas gjurmëve të tyre.
37:71.    Por, edhe para tyre humbën (rrugën) shumica e popujve të lashtë.
37:72.    Në të vërtetë, Ne u dërguam atyre paralajmërues.
37:73.    E tani shiko se cili qe fundi i atyre që u paralajmëruan,
37:74.    përveç robërve të sinqertë të Allahut.
37:75.    Kur Nuhu Na thirri (në ndihmë), Ne iu përgjigjëm bukur:
37:76.    e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej katastrofës së madhe,
37:77.    i lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij
37:78.    dhe e lamë atë kujtim te brezat e tjerë.
37:79.    “Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!”
37:80.    Ne, kështu i shpërblejmë punëdrejtët.
37:81.    Ai është vërtet nga robërit Tanë besimtarë.
37:82.    Pastaj i fundosëm të tjerët.
37:83.    Pa dyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij (Nuhut) ishte Ibrahimi.
37:84.    Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër,
37:85.    kur i tha babait dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?
37:86.    Vallë, a dëshironi hyjni të rreme në vend të Allahut?
37:87.    Çfarë mendoni ju për Zotin e gjithësisë?”
37:88.    Pastaj u hodhi një shikim yjeve
37:89.    e tha: “Unë jam i sëmurë”.
37:90.    Ata u larguan prej tij, duke e lënë pas.
37:91.    Pastaj, ai u përvodh te hyjnitë e tyre dhe u tha: “A nuk po hani?
37:92.    Ç’keni, përse nuk flisni?”
37:93.    Iu afrua atyre kalimthi, duke i goditur me dorën e djathtë.
37:94.    (Mbasi u kthyen dhe panë idhujt e thyer) njerëzit nxituan nga ai.
37:95.    Ai u tha: “Vallë, ju adhuroni ato që i keni gdhendur vetë,
37:96.    ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni?!”
37:97.    Ata thanë: “Përgatitni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!”
37:98.    Dhe deshën t’i ngrinin një kurth, por Ne i bëmë ata më të poshtëruarit.
37:99.    Ai tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.”
37:100.    “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!”
37:101.    Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!
37:102.    Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”
37:103.    Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.
37:104.    Ne e thirrëm: “O Ibrahim,
37:105.    ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!
37:106.    Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!
37:107.    Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh,
37:108.    dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm.
37:109.    “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!”
37:110.    Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët.
37:111.    Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.
37:112.    Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.
37:113.    Dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe.
37:114.    Ne i dhamë dhuntinë Tonë Musait dhe Harunit
37:115.    dhe i shpëtuam ata të dy dhe popullin e tyre nga mjerimi i madh.
37:116.    Ne i ndihmuam dhe ata ngadhënjyen.
37:117.    Ne u dhamë atyre Librin e qartë,
37:118.    i udhëzuam në rrugën e drejtë
37:119.    dhe u lamë kujtim të mirë për ta brezave të mëvonshëm.
37:120.    “Paqja qoftë mbi Musain dhe Harunin!”
37:121.    Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët!
37:122.    E pa dyshim, ata të dy janë nga robërit Tanë besimtarë.
37:123.    Edhe Iljasi ka qenë vërtet një prej të dërguarve.
37:124.    Ai i tha popullit të vet: “A nuk po i frikësoheni Allahut?!”
37:125.    Vallë, a i luteni ju Ba‘lit, ndërsa braktisni Krijuesin më të mirë,
37:126.    Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?!”
37:127.    Ata e quajtën atë gënjeshtar dhe, për këtë shkak, do të çohen (në dënimin e Zjarrit),
37:128.    përveç robërve të sinqertë të Allahut.
37:129.    Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë te brezat e mëvonshëm:
37:130.    “Paqja qoftë mbi Iljasin!”
37:131.    Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët!
37:132.    Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.
37:133.    Sigurisht, edhe Luti ka qenë njëri prej të dërguarve.
37:134.    Ne e shpëtuam atë dhe tërë familjen e tij,
37:135.    përveç plakës që mbeti prapa me të dënuarit,
37:136.    pastaj i zhdukëm të tjerët.
37:137.    Ju që kaloni pranë rrënojave të tyre në mëngjes
37:138.    dhe natën, a nuk po e mblidhni mendjen?
37:139.    Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit.
37:140.    Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot
37:141.    dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi.
37:142.    Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar,
37:143.    dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut,
37:144.    me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.
37:145.    Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë.
37:146.    Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije).
37:147.    Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz,
37:148.    dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.
37:149.    Pyeti ata (o Muhamed): “Vallë, për Zotin tënd janë vajzat, ndërsa për vete kanë djemtë?!
37:150.    Apo Ne i krijuam engjëjt si femra e ata ishin dëshmitarë?!”
37:151.    Sigurisht që ata shpifin kur thonë:
37:152.    “Allahu ka lindur fëmijë”! - Ata, në të vërtetë, janë gënjeshtarë.
37:153.    Vallë, Ai ka parapëlqyer vajzat ndaj djemve?!
37:154.    Çfarë keni që gjykoni kështu?!
37:155.    A nuk po mendoni?!
37:156.    Apo keni ndonjë provë të qartë për atë që thoni?!
37:157.    Sillni librin tuaj, nëse thoni të vërtetën!
37:158.    Idhujtarët kanë trilluar farefisni ndërmjet Zotit dhe xhindeve, kurse xhindet e dinë se ata do të sillen të gjithë para Tij.
37:159.    Lavdi Allahut, qoftë i pastër nga ajo që ata ia veshin Atij!
37:160.    Por robërit e sinqertë të Allahut nuk adhurojnë askënd tjetër përveç Tij.
37:161.    “Me të vërtetë, as ju, as idhujt tuaj,
37:162.    nuk mund të mashtroni askënd kundër (Atij),
37:163.    përveç atyre, që do të digjen në Zjarrin flakërues.
37:164.    Çdonjëri prej nesh e ka vendin e caktuar (në qiell, ku adhuron Allahun).
37:165.    Ne jemi ata që qëndrojmë në radhë,
37:166.    dhe ne jemi ata që e lavdërojmë Atë!”
37:167.    Edhe pse ata (idhujtarët mekas) thoshin:
37:168.    “Sikur të kishim një Libër nga popujt e mëparshëm,
37:169.    ne, me siguri, do të ishim robër të sinqertë të Allahut”,
37:170.    ata e mohuan Kuranin, por së shpejti do ta marrin vesh!
37:171.    Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar
37:172.    se ata do të ndihmohen (prej Nesh)
37:173.    dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare!
37:174.    Andaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe!
37:175.    Vështroji ata (kur t’u zbresë dënimi), se edhe ata do ta shohin (si janë pasojat e mosbesimit të tyre)!
37:176.    Vallë, a mos po kërkojnë ata shpejtimin e dënimit Tonë!
37:177.    Kur t’u bjerë në mesin e tyre, mëngjesi i atyre që janë paralajmëruar do të jetë shumë i shëmtuar.
37:178.    Andaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe!
37:179.    Vështroji ata, se edhe ata do ta shohin!
37:180.    I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata!
37:181.    Paqja qoftë mbi të dërguarit,
37:182.    dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!