La ilahe il Allah

54-El-Kamer

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

54:1. U afrua Ora dhe u ça Hëna!
54:2. E megjithatë, sa herë që shohin ndonjë mrekulli, ata kthejnë kurrizin dhe thonë: “Kjo është në vazhdën e magjive të tij!”
54:3. Ata e mohojnë (të vërtetën) dhe pasojnë dëshirat dhe tekat e tyre, por çdo gjë është e caktuar.
54:4. Sigurisht që atyre u kanë ardhur histori për t’i prapësuar (nga e keqja),
54:5. një urtësi e përsosur, por paralajmërimi nuk u bën dobi.
54:6. Prandaj, largohu nga ata (o Profet), deri Ditën, kur do t’i thërrasë Lajmëtari në diçka të tmerrshme.
54:7. Me sy të përulur do të dalin nga varret, sikur të ishin karkaleca të shpërndarë,
54:8. duke shpejtuar drejt Lajmëtarit. Atëherë, mohuesit do të thonë: “Kjo është ditë e vështirë!”
54:9. Para tyre (i) ka përgënjeshtëruar (shenjat Tona) populli i Nuhut. Ata e quanin gënjeshtar robin Tonë (Nuhun), i thoshin “i çmendur”, e pengonin dhe e kërcënonin.
54:10. Kështu, ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!”
54:11. Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm
54:12. dhe i shpërthyem burimet e tokës, e u takuan ujërat për një qëllim të paracaktuar.
54:13. Ndërsa Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh,
54:14. e cila lundronte nën Sytë Tanë: si shpërblim për atë (Nuhun a.s.) i cili u mohua.
54:15. Ne e kemi bërë atë si shenjë, por a ka kush që ia vë veshin?
54:16. Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!
54:17. Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!
54:18. Edhe fisi Ad e quajti gënjeshtar (të dërguarin Tonë), por sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!
54:19. Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe një erë të stuhishme të pandërprerë,
54:20. e cila i nxirrte njerëzit, sikur të ishin trungje të shkulura hurmash.
54:21. Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!
54:22. Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!
54:23. Edhe fisi Themud i përgënjeshtroi paralajmërimet Tona.
54:24. Ata (themudasit) thanë: “Vallë, a të ndjekim një njeri nga mesi ynë? Atëherë do të ishim vërtet në rrugë të humbur dhe të çmendur.
54:25. Vallë, vetëm atij mes nesh t’i dërgohet Shpallja? Jo, ai është gënjeshtar mendjemadh!”
54:26. (Të dërguarit iu tha): “Nesër do ta marrin vesh ata se, kush është gënjeshtari mendjemadh!
54:27. Ne po u dërgojmë devenë për t’i sprovuar, andaj ti (o Salih) priti ata dhe bëhu i durueshëm!
54:28. Dhe lajmëroji ata se uji do të ndahet ndërmjet tyre e devesë dhe çdo vakt do të shihet me rend!”
54:29. Por ata thirrën shokun e tyre, i cili e mori dhe e theri.
54:30. Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!
54:31. Ne dërguam mbi ta një ulurimë të vetme e ata u bënë si sana e copëtuar në pleme.
54:32. Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!
54:33. Edhe populli i Lutit nuk i besoi paralajmërimet.
54:34. Ne dërguam një stuhi gurësh mbi ta, duke hequr familjen e Lutit, që e shpëtuam në agim,
54:35. falë mëshirës Sonë. Ja, kështu Ne i shpërblejmë ata që falënderojnë.
54:36. Në fakt, Luti i paralajmëroi ata për fuqinë e dënimit Tonë, por ata i vunë në dyshim paralajmërimet.
54:37. Ata i kërkuan t’ua dorëzonte mysafirët e tij. Por Ne ua verbuam sytë (e u thamë): “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!”
54:38. Dhe të nesërmen në mëngjes, ata i goditi dënimi i përhershëm.
54:39. “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!”
54:40. Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!
54:41. Edhe njerëzve të Faraonit u patën ardhur paralajmërimet,
54:42. por ata i mohuan të gjitha shenjat Tona, andaj Ne i mbërthyem ata, ashtu siç dënon i Plotfuqishmi dhe i Plotpushtetshmi.
54:43. Vallë, jobesimtarët tuaj janë më të mirë se këta (popuj të shkatërruar më parë), apo ju keni ndonjë paprekshmëri në librat e shpallur?
54:44. Vërtet thonë ata: “Ne jemi grup i pathyeshëm”?!
54:45. Së shpejti do të thyhet grupi dhe (secili prej tyre) do t’ia mbathë.
54:46. Madje, Ora (e Kiametit) do të jetë takimi i tyre dhe Ora do të jetë më e tmerrshme dhe më e hidhët.
54:47. Pa dyshim, keqbërësit janë të humbur (në këtë jetë) dhe do të digjen në zjarr (në jetën tjetër).
54:48. Ditën e Gjykimit ata do të tërhiqen me fytyrat e tyre në zjarr (e do t’u thuhet): “Shijoni zjarrin e Xhehenemit!”
54:49. Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.
54:50. Ne urdhërojmë vetëm një herë dhe vullneti Ynë përmbushet sa çel e mbyll sytë.
54:51. Ne tashmë i kemi shkatërruar të ngjashmit me ju (në mosbesim). Prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!
54:52. Çdo bëmë e tyre është shënuar në librat (e engjëjve që regjistrojnë veprat).
54:53. Çdo gjë, e madhe a e vogël qoftë, është shënuar (në Leuhi Mahfudh).
54:54. Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj
54:55. në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free