La ilahe il Allah

75-El-Kijameh

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

75:1.    Betohem në Ditën e Kiametit!
75:2.    Betohem në shpirtin qortues!
75:3.    A mendon njeriu se nuk do të mund t’i mbledhim eshtrat e tij?!
75:4.    Po, si jo! Ne jemi të Zotë t’ia ribëjmë bashkë me përsosmëri edhe majat e gishtave të tij.
75:5.    Por njeriu dëshiron të gabojë sa të jetë gjallë
75:6.    dhe pyet: “Kur do të jetë Dita e Kiametit?”
75:7.    Por, kur sytë t’i verbohen
75:8.    dhe të zihet Hëna
75:9.    dhe Dielli e Hëna të bashkohen,
75:10.    atë ditë njeriu do të thotë: “Ku të iki?”
75:11.    Askund! S’ka strehë!
75:12.    Atë ditë, streha është te Zoti yt.
75:13.    Atë ditë, njeriu do të vihet në dijeni për veprat që ka bërë dhe për ato që ka lënë pa bërë.
75:14.    Po, vërtet që njeriu do të dëshmojë kundër vetvetes,
75:15.    edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta.
75:16.    Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!
75:17.    Ne e kemi për detyrë t’i mbledhim pjesët e tij e ta lexojmë atë.
75:18.    Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!
75:19.    Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.
75:20.    Por ju doni këtë jetë (kalimtare)
75:21.    e për jetën tjetër nuk kujtoheni!
75:22.    Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë
75:23.    dhe Zotin e tyre do të shohin.
75:24.    Kurse disa fytyra, atë ditë, do të jenë të zymta,
75:25.    duke e ditur se do të pësojnë një fatkeqësi, që të thyen në mes.
75:26.    Por, kur shpirti të vijë në grykë
75:27.    e të thërrasin “A ka shërues”,
75:28.    atëherë, ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes
75:29.    dhe këmbët do të ngrijnë.
75:30.    Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt.
75:31.    Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal,
75:32.    por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin,
75:33.    e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar.
75:34.    Mjerë për ty! Mjerë për ty!
75:35.    Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty!
75:36.    Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?
75:37.    A s’ka qenë një pikë fare që derdhej,
75:38.    pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krjioi dhe i dha formë e përmasa të caktuara,
75:39.    e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?!
75:40.    Vallë, Ai Krijues, a nuk ka fuqi që t’i ngjallë të vdekurit?!