La ilahe il Allah

74-El-Muddeththir

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

74:1.    O ti, i mbështjellë (o Muhamed)!
74:2.    Çohu dhe paralajmëro!
74:3.    Zotin tënd madhëroje,
74:4.    petkat e tua pastroji
74:5.    dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!
74:6.    Mos jep gjë, me synimin që të marrësh më shumë
74:7.    dhe për hir të Zotit tënd, duro,
74:8.    se, kur të fryhet në Sur,
74:9.    ajo do të jetë një ditë e rëndë.
74:10.    Për jobesimtarët nuk do të jetë aspak e lehtë.
74:11.    Më ler Vetëm (të merrem) me atë që e krijova
74:12.    dhe i dhashë pasuri të pamatë
74:13.    e djem pranë vetes!
74:14.    Unë ia bëra kamjen të lehtë e të shtruar,
74:15.    e, megjithatë, ai lakmon që t’i jap më tepër.
74:16.    Jo, kurrsesi! Vërtet, ai i mohoi me kryeneçësi shpalljet Tona,
74:17.    prandaj Unë do ta ngarkoj atë me dënime të rënda.
74:18.    Ai mendoi dhe kurdisi (kundër Kuranit),
74:19.    dhe qoftë mallkuar, si kurdisi!
74:20.    Dhe sërish qoftë mallkuar, si kurdisi!
74:21.    Pastaj vështroi rreth vetes,
74:22.    mblodhi vetullat e u vrenjt,
74:23.    pastaj u kthye i kapardisur
74:24.    dhe tha: “Ky (Kuran) nuk është gjë tjetër, veçse magji e trashëguar!
74:25.    Këto janë vetëm fjalë të një vdekatari!”
74:26.    Do ta hedh në Sekar (Xhehenem)!
74:27.    E si mund ta dish ti tamam se çfarë është Sekari (zjarri përvëlues)?
74:28.    Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë,
74:29.    lëkurat i shkrumbon.
74:30.    Atij i rrinë roje nëntëmbëdhjetë (engjëj).
74:31.    Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit vetëm engjëjt dhe numrin e tyre e kemi bërë sprovë (objekt polemikash) për jobesimtarët, me qëllim që të binden ata që u është dhënë Libri e t’u shtohet besimi atyre që besojnë; që të mos dyshojnë ata që u është dhënë Libri dhe besimtarët e vërtetë dhe që të thonë ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe mosbesimtarët: “Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?” Kështu, Allahu lë në humbje atë që do dhe çon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Ky është vetëm një përkujtesë për njerëzit.
74:32.    Kurrsesi! Betohem për Hënën,
74:33.    për natën që largohet
74:34.    e për agimin që zbardhëllon
74:35.    se ai (Xhehenemi) është vërtet një nga fatkeqësitë më të mëdha,
74:36.    paralajmërim për njerëzit,
74:37.    për ata nga ju që dëshirojnë të ecin përpara (me vepra të mira) ose të kthehen mbrapsht (me vepra të këqija).
74:38.    Çdo njeri është peng i veprave të veta,
74:39.    përveç njerëzve të krahut të djathtë;
74:40.    të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin
74:41.    për keqbërësit:
74:42.    “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?”
74:43.    Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz
74:44.    dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit.
74:45.    Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët
74:46.    dhe mohonim Ditën e Llogarisë,
74:47.    derisa na erdhi vdekja.”
74:48.    Prandaj, kurrfarë ndërmjetësimi i cilitdo ndërmjetësuesi nuk do t’i ndihmojë ata.
74:49.    Atëherë, përse shmangen ata nga këshillimi,
74:50.    sikur të ishin gomerë të egër
74:51.    e të frikësuar që ikin prej luanit?!
74:52.    Vërtet, çdonjëri prej tyre kërkon që t’i jepen shkrime të hapura (nga Zoti).
74:53.    Kurrsesi, pasi ata nuk i frikësohen jetës tjetër!
74:54.    Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë,
74:55.    prandaj, kush të dojë, le t’ia vërë veshin!
74:56.    Por atij ia vënë veshin vetëm ata që do Allahu. Vetëm Ai është i Denjë për t’u pasur frikë dhe vetëm Ai është i Denjë për të falur.