La ilahe il Allah

19-Merjem

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

19:1.    Kâf, Hâ, Jâ, Ajn, Sád.
19:2.    Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij - Zekerijas.
19:3.    Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë
19:4.    (duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im!
19:5.    Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës,
19:6.    që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!”
19:7.    “O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”.
19:8.    Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!”
19:9.    I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”.
19:10.    (Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” Ai tha: “Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.”
19:11.    Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!
19:12.    (Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri,
19:13.    butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar
19:14.    dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.
19:15.    Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.
19:16.    Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje,
19:17.    duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë.
19:18.    Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.
19:19.    Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”
19:20.    Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!”
19:21.    Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.”
19:22.    Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët.
19:23.    Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!”
19:24.    Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!
19:25.    Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!
19:26.    Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.”
19:27.    Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme!
19:28.    O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.”
19:29.    Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?”
19:30.    Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet
19:31.    dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë
19:32.    dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.
19:33.    Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!”
19:34.    Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.
19:35.    Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet.
19:36.    (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”.
19:37.    E megjithatë, sektet u përçanë në lidhje me atë. Mjerë ata që nuk besojnë për takimin e një Dite të madhe (Ditës së Kiametit)!
19:38.    E sa mirë do të dëgjojnë e do të shohin atë Ditë, kur do të vijnë te Ne! Por, sot keqbërësit janë në humbje të qartë!
19:39.    Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.
19:40.    Vërtet, jemi Ne që e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka gjendet në të dhe ata te Ne do të kthehen.
19:41.    Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.
19:42.    Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?
19:43.    O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!
19:44.    O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.
19:45.    O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”!
19:46.    Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”!
19:47.    Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.
19:48.    Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.”
19:49.    Dhe, kur u largua nga ata dhe nga idhujt që i adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë.
19:50.    Ne u dhuruam atyre mëshirën Tonë dhe bëmë që ata të lavdërohen e të përmenden me nder.
19:51.    Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur, ishte i dërguar dhe profet.
19:52.    Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e malit Tur, duke e afruar në një bisedë të fshehtë
19:53.    dhe, nga mëshira Jonë, i dhuruam të vëllanë, Harunin, si profet.
19:54.    Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet.
19:55.    Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.
19:56.    Trego në Libër për Idrizin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.
19:57.    Ne e ngritëm atë në vend të lartë.
19:58.    Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin duke bërë sexhde dhe qanin.
19:59.    Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh,
19:60.    përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie;
19:61.    në kopshtet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet, edhe pse ende nuk e kanë parë. Me të vërtetë, premtimi i Tij është i sigurt.
19:62.    Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetjeje për paqe dhe do të ushqehen në mëngjes dhe në mbrëmje.
19:63.    Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.
19:64.    (Xhebraili tha): “Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është në mes. Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”.
19:65.    Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!
19:66.    Njeriu thotë: “Vallë, pasi të vdes, a do të ringjallem përsëri?”
19:67.    A nuk e mban mend njeriu se Ne e kemi krijuar atë, kur ende nuk ishte asgjë?!
19:68.    Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë ata dhe djajtë, pastaj do t’i sjellim ata të gjunjëzuar rreth Xhehenemit!
19:69.    Pastaj do të ndajmë prej çdo grupi atë që ka qenë më kokëfortë ndaj të Gjithëmëshirshmit.
19:70.    Ne pastaj e dimë më së miri se kush prej tyre e ka merituar të digjet në të.
19:71.    Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.
19:72.    Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.
19:73.    Kur u lexohen vargjet Tona të qarta, jobesimtarët u thonë atyre që kanë besuar: “Cili grup ka pozitë më të mirë dhe rreth më të mirë?”
19:74.    Por sa e sa brezni, që kanë qenë më të begatshëm dhe më të pashëm, Ne i kemi shkatërruar para tyre!
19:75.    Thuaj (o Muhamed): “Atyre që janë të humbur, i Gjithëmëshirshmi u dhëntë jetë”, në mënyrë që, kur të shohin atë që u është premtuar: ose dënimin (në këtë jetë) ose Orën (e Kiametit), atëherë ta marrin vesh se kush ka pozitë më të keqe dhe rreth më të dobët.
19:76.    Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë. Veprat e mira që mbesin, janë të shpërblyera më mirë te Zoti yt dhe kanë përfundim më të mirë.
19:77.    Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në shenjat Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët”?!
19:78.    A mos ndoshta ai e di të padukshmen apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi?
19:79.    Kurrsesi! Ne do ta shënojmë atë që flet dhe do t’ia zgjasim vuajtjen.
19:80.    Ne do t’ia marrim atij gjithçka për të cilat flet e ai te Ne do të vijë i vetëm.
19:81.    Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës.
19:82.    Por jo! Ata do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiqtë e tyre.
19:83.    A nuk e sheh se Ne i kemi dërguar djajtë te mohuesit, për t’i yshtur ata me forcë?
19:84.    Andaj, mos kërko shkatërrimin e tyre të shpejtë, se, me të vërtetë, Ne ua numërojmë ditët e caktuara.
19:85.    Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar
19:86.    e do t’i shtyjmë të ligjtë në Xhehenem, si tufë e etur,
19:87.    askush nuk do të mund të ndërhyjë, përveç atij që ka marrë lejen dhe premtimin e të Gjithëmëshirshmit.
19:88.    Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”.
19:89.    Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme!
19:90.    Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar,
19:91.    ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.
19:92.    Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir.
19:93.    S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.
19:94.    Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht.
19:95.    Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.
19:96.    Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.
19:97.    Ne e kemi bërë atë (Kuranin) të lehtë, në gjuhën tënde, vetëm që, nëpërmjet tij, ti t’u japësh lajmin e mirë besimtarëve të devotshëm dhe të paralajmërosh njerëzit kokëfortë (në mosbesimin e tyre).
19:98.    Sa e sa brezni kemi shkatërruar Ne para tyre! Vallë, a po sheh ndonjërin prej tyre dhe a po dëgjon pëshpëritjen më të vogël të tyre?!