La ilahe il Allah

79-En-Naziat

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!


79:1.    Për ata (engjëj) që marrin me forcë,
79:2.    për ata që marrin butësisht,
79:3.    për ata që notojnë në hapësirë,
79:4.    për ata që nxitojnë,
79:5.    dhe për ata që i rregullojnë punët!
79:6.    Ditën kur do të dridhet gjithçka nga ushtima (që lajmëron Kiametin),
79:7.    e cila do ta ndiqet nga një e dytë,
79:8.    disa zemra do të jenë të mbushura me tmerr
79:9.    e shikimet e tyre do të bien përdhe.
79:10.    Ata thonë: “Vallë, vërtet do të rikthehemi në jetë?!
79:11.    A thua, edhe kur të bëhemi eshtra të thërrmuara?!”
79:12.    Dhe thonë: “Po qe kështu, atëherë ky kthim do të jetë humbje (për ne)!”
79:13.    Por, ajo do të jetë veç një fryrje e vetme (e Surit)
79:14.    dhe ata përnjëherësh do të brofin (të ringjallur).
79:15.    A e ke dëgjuar (o Muhamed) historinë e Musait?
79:16.    Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas dhe i tha:
79:17.    “Shko te Faraoni, se ai, me të vërtetë, ka kaluar çdo kufi;
79:18.    dhe thuaji: “A do ta pastrosh veten,
79:19.    dhe të të udhëzoj te Zoti yt, që t’i frikësohesh?”
79:20.    Musai ia tregoi mrekullinë më të madhe,
79:21.    por ai (Faraoni) e mohoi dhe e kundërshtoi.
79:22.    Pastaj i ktheu shpinën, duke u përpjekur (kundër së vërtetës)
79:23.    dhe tuboi njerëzit e u deklaroi:
79:24.    “Unë jam zoti juaj më i lartë!”
79:25.    Prandaj Allahu e goditi atë me dënim në jetën tjetër dhe në këtë jetë.
79:26.    Kjo është këshillë për ata që i frikësohen Allahut.
79:27.    Cili është më i vështirë: krijimi i juaj apo i qiellit, të cilin Ai e ndërtoi,
79:28.    ia ngriti lart kupën dhe e përsosi.
79:29.    Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme.
79:30.    Pastaj e shtriu rrafsh Tokën,
79:31.    dhe, nga ajo nxori ujërat dhe bëri kullotat,
79:32.    kurse malet i bëri të patundshme,
79:33.    që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
79:34.    Kur të arrijë gjëma më e madhe,
79:35.    atë Ditë njeriu do të kujtojë gjithçka që ka bërë
79:36.    dhe Zjarri flakërues do t’i tregohet çdokujt që sheh.
79:37.    Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka
79:38.    dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote,
79:39.    sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin.
79:40.    Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat,
79:41.    pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.
79:42.    Të pyesin ty për Orën (e Kiametit) se kur do të ndodhë.
79:43.    Çfarë rëndësie ka për ty që ta përmendësh atë?
79:44.    Tek Zoti yt është fundi i (dijenisë rreth) saj.
79:45.    Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i frikësohen asaj.
79:46.    Ditën kur do ta shohin atë, (njerëzve) do t’u duket se kanë qëndruar (në Tokë) veç një mbrëmje apo një mëngjes.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free