La ilahe il Allah

85-El-Buruxh

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!


85:1.    Për qiellin me yjësi,
85:2.    për Ditën e premtuar,
85:3.    për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet!
85:4.    Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut,
85:5.    zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse,
85:6.    kur rrinin ulur rreth tij,
85:7.    duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve!
85:8.    Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,
85:9.    të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje.
85:10.    Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie.
85:11.    Kurse për ata, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të ketë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja madhështore.
85:12.    Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!
85:13.    Vërtet, Ai e zë fill krijimin dhe e përsërit atë.
85:14.    Ai është Falësi i madh, i Dhembshuri,
85:15.    Zotëruesi i Fronit të Lavdishëm,
85:16.    Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron.
85:17.    A e ke dëgjuar ndodhinë e ushtrive
85:18.    të Faraonit dhe të fisit Themud?
85:19.    E megjithatë, ata që nuk besojnë, vazhdojnë ta quajnë atë (Kuranin) të rremë,
85:20.    ndonëse Allahu është pas tyre e i ka nën kontroll.
85:21.    Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm,
85:22.    në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free