La ilahe il Allah

56-El-Wakia'h

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

56:1. Kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti),
56:2. ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë.
56:3. Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë.
56:4. Kur Toka të dridhet fuqishëm,
56:5. malet të thërrmohen copë-copë
56:6. e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë,
56:7. ju, (o njerëz) do të ndaheni në tri grupe:
56:8. njerëzit e së djathtës - sa të nderuar do të jenë fatlumët!
56:9. njerëzit e së majtës - sa të poshtëruar do të jenë fatkeqët!
56:10. dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet).
56:11. Ata janë të afërtit (tek Allahu),
56:12. në kopshtet e kënaqësisë.
56:13. Shumica e tyre janë prej të lashtëve,
56:14. ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm.
56:15. Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar,
56:16. të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit.
56:17. Do t’u sillen rreth (për shërbim) djelmosha përherë të rinj,
56:18. me kupa, ibrikë dhe gota me pije të kulluar, që rrjedh
56:19. e prej së cilës nuk do t’u dhembë koka dhe nuk do t’u humbë mendja,
56:20. e me fruta të cilat do t’i zgjedhin vetë
56:21. dhe mish shpendësh që ua ka ënda.
56:22. Për ata ka edhe hyrie symëdha,
56:23. të ngjashme me margaritarët e ruajtur,
56:24. si shpërblim për atë që kanë punuar.
56:25. Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh,
56:26. por vetëm fjalët “Paqe, paqe”!
56:27. E njerëzit e së djathtës – sa të nderuar që janë fatlumët!
56:28. Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba
56:29. dhe bananeve të mbushura me fruta,
56:30. nën hije të gjera,
56:31. pranë një uji rrjedhës,
56:32. dhe mes frutave të llojllojshme,
56:33. të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara;
56:34. dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyrijet),
56:35. të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura),
56:36. dhe i kemi bërë ato virgjëresha,
56:37. të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta,
56:38. për njerëzit e së djathtës.
56:39. Janë shumë nga të lashtët
56:40. e shumë edhe nga të mëvonshmit.
56:41. Po njerëzit e së majtës – sa të poshtëruar janë fatkeqët!
56:42. Ata do të jenë në afshin përcëllues të zjarrit dhe ujit të valuar
56:43. dhe nën hijen e një tymi të zi,
56:44. e cila nuk do të jetë as e freskët e as e këndshme.
56:45. Ata, para kësaj, jetonin në luks
56:46. dhe në vazhdimësi bënin gjynahe të rënda,
56:47. duke thënë: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, vërtet do të ringjallemi?!
56:48. Vallë, edhe të parët tanë të lashtë?!”
56:49. Thuaju (o Muhamed): “Me siguri, edhe të parët, edhe të mbramët,
56:50. do të tubohen në një ditë të caktuar.
56:51. Dhe atëherë ju, o jobesimtarë të humbur,
56:52. me siguri që do të hani nga pema e zekumit,
56:53. me të cilën do të mbushni barkun.
56:54. Pastaj do të pini ujë të valuar,
56:55. madje do të pini ashtu siç pi deveja e etshme”.
56:56. Kështu do të jetë gostia e tyre në Ditën e Llogarisë!
56:57. Ne ju krijuam – e pse nuk e pranoni të vërtetën?
56:58. A e keni parë farën që e hidhni?
56:59. A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?
56:60. Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë
56:61. që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).
56:62. Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk mendoni?!
56:63. A shihni atë që mbillni?
56:64. Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj?
56:65. Nëse duam, Ne e lëmë fyçkë dhe ju do të çuditeni
56:66. (e do të thoni): “Ne jemi të dëmtuar,
56:67. madje jemi krejt të privuar (nga furnizmi)!”
56:68. A e shihni ujin që pini?
56:69. Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim?
56:70. Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!
56:71. A e shihni zjarrin që e ndizni?
56:72. Vallë, ju i keni bërë drutë për të apo Ne i kemi bërë?!
56:73. Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe, që t’u sjellë dobi nevojtarëve,
56:74. prandaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!
56:75. Betohem në çastin e perëndimit të yjeve,
56:76. - e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit 
56:77. se ky është vërtet një Kuran i nderuar,
56:78. në Librin e ruajtur.
56:79. Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit,
56:80. Ai është Shpallje prej Zotit të botëve.
56:81. Vallë, një Fjalë të tillë ju e mohoni
56:82. dhe e bëni detyrën tuaj (të përditshme) ta përgënjeshtroni?!
56:83. Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë
56:84. para syve tuaj,
56:85. - ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re
56:86. përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme),
56:87. ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën!
56:88. Kështu, nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me Allahun),
56:89. do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit.
56:90. E, nëse është nga njerëzit e së djathtës,
56:91. (ai do të përshëndetet) “Paqe për ty” nga njerëzit e së djathtës.
56:92. Por, nëse (ai në agoni) është nga përgënjeshtruesit e humbur,
56:93. ai do të gostitet me ujë të valuar
56:94. dhe do të përcëllohet në Zjarrin e flakëruar (të Xhehenemit).
56:95. Pa dyshim, kjo është e Vërteta e sigurt.
56:96. Andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free