La ilahe il Allah

68-El-Kalem

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

68:1. Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë
68:2. se ti (o Muhamed), falë mirësisë së Zotit tënd, nuk je i marrë.
68:3. Pa dyshim, ti do të jesh përherë i shpërblyer
68:4. se ti je me virtyte madhore.
68:5. Së shpejti ti do ta shohësh, por edhe ata do ta shohin,
68:6. se cilin prej jush e ka prekur marrëzia.
68:7. Zoti yt e di më së miri, se cili është shmangur nga rruga e Tij dhe, i njeh mirë ata që janë në rrugën e drejtë.
68:8. Andaj, ti mos i dëgjo jobesimtarët!
68:9. Ata dëshirojnë që ti të bësh lëshime, kështu që dhe ata të bëjnë lëshime.
68:10. Por ti mos iu bind çdo betari të përçmuar,
68:11. shpifaraku, që përhap thashetheme,
68:12. penguesi veprash të mira, shkelësi dhe keqbërësi,
68:13. të ashpri që, veç kësaj, është edhe kopil, 
68:14. vetëm se është i pasur dhe ka shumë djem.
68:15. Kur i lexohen shpalljet tona, ai thotë: “Këto janë vetëm përralla të të lashtëve!”
68:16. Ne do t’ia damkosim hundën!
68:17. Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat
68:18. e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti”!
68:19. Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin
68:20. dhe gdhiu si i kositur.
68:21. Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin:
68:22. “Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni t’i vilni frutat!”
68:23. Dhe u nisën duke pëshpëritur:
68:24. “Të mos lejojmë asnjë të vobekët që të hyjë në kopshtin tonë!”
68:25. Ata u nisën herët, të vendosur në atë që thanë.
68:26. Por, kur e panë kopshtin, ata thanë: “Ne qenkemi vërtet të humbur;
68:27. madje, qenkemi të privuar (nga frutat e kopshtit).”
68:28. Më i arsyeshmi ndër ta tha: “A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni Allahun?!”
68:29. “Lavdëruar qoftë Zoti ynë! - thanë - Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!”
68:30. Atëherë filluan të qortojnë njëri-tjetrin.
68:31. “Ah, të mjerët ne! - thanë ata - Paskemi qenë vërtet arrogantë!
68:32. Zoti ynë mund të na japë një kopësht më të mirë, po të kthehemi të penduar tek Ai!”
68:33. I tillë ka qenë dënimi i tyre. Ndërsa dënimi në jetën tjetër, është më i madh, veç sikur ta dinin!
68:34. Për ata që ruhen (nga gjynahet), tek Allahu do të ketë kopshte të kënaqësive.
68:35. Vallë, a t’i trajtojmë ata që Na nënshtrohen njësoj me keqbërësit?!
68:36. Çfarë keni ju (jobesimtarë)? Si po gjykoni kështu?!
68:37. A keni ndonjë libër, që ju premton,
68:38. se do të keni çfarëdo, që të zgjidhni?!
68:39. Apo kemi bërë me ju ndonjë besëlidhje të vlefshme deri në Ditën e Kiametit dhe, e cila ju siguron, se do ta keni atë që keni urdhëruar?
68:40. Pyeti ata se kush i garanton për këtë.
68:41. Ose, mos kanë ata bashkëpunëtorë? Atëherë le t’i sjellin bashkëpunëtorët e tyre, nëse ajo që thonë është e vërtetë.
68:42. Ditën (e Kiametit), kur të zbulohen shumë ngjarje të frikshme, ata do të thirren që të përulen në sexhde, por nuk do të munden!
68:43. Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (dhe nuk kanë pranuar).
68:44. Prandaj, më lër Mua me ata, që e mohojnë këtë Fjalë (Kuranin). Ne do t’i çojmë ata hap pas hapi drejt rrënimit të tyre, me mënyra që ata nuk i kuptojnë.
68:45. Dhe do t’u japim atyre afat; vërtet që kurthi Im është i fortë!
68:46. A mos po kërkon shpërblim prej tyre, kështu që qenkan të rënduar nga borxhet?
68:47. Apo ata e dinë të padukshmen, kështu që e shkruajnë?
68:48. Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi a.s.), kur iu lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës)!
68:49. Sikur të mos i vinte mëshira prej Zotit tënd, ai do të hidhej në një shkretëtirë, i fajësuar!
68:50. Por Zoti i tij e zgjodhi dhe e futi me punëdrejtët.
68:51. Kur dëgjojnë Kuranin, mohuesit sa nuk të hanë me shikimet e tyre dhe thonë: “Ai është vërtet i marrë!”
68:52. Por Kurani është vetëm këshillë për botët.

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free