La ilahe il Allah

58-El-Muxhadeleh

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

58:1. Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka.
58:2. Ata midis jush, që i ndajnë gratë e veta, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, duhet ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Fjalët që ata thanë, janë të pahijshme dhe të pavërteta. Megjithatë, Allahu është Falës dhe Shlyes i gabimeve.
58:3. Ata që i ndajnë gratë e veta në këtë mënyrë e pastaj duan të kthejnë mbrapsht atë që thanë, duhet të lirojnë një skllav (apo skllave), para se të preken përsëri. Kështu ju urdhërohet. Allahu i di të gjitha ato që bëni ju.
58:4. Ai që nuk gjen (ndonjë skllav për të liruar), duhet që të agjërojë dy muaj rresht, para se të preken si bashkëshortë. E, nëse nuk mund ta mbajë agjërimin, atëherë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, që të tregoni besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këta janë kufijtë e Allahut. Ndërsa për jobesimtarët ka vuajtje të mundimshme.
58:5. Vërtet, ata që i kundërvihen Allahut dhe të dërguarit të Tij, do të poshtërohen, siç janë poshtëruar ata para tyre. Ne kemi zbritur shpallje të qarta, kurse për jobesimtarët do të ketë vuajtje poshtëruese,
58:6. në ditën, kur Allahu i ngjall të gjithë e i njofton për veprat që kanë bërë. Allahu të gjitha i ka shënuar, edhe pse ata i kanë harruar. Allahu është dëshmitar i çdo gjëje.
58:7. A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë?! Nuk ka bisedë të fshehtë midis tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti; as midis pesë vetave e që Ai të mos jetë i gjashti; as kur janë më pak, as kur janë më shumë, që Ai të mos jetë me ata, kudo që të ndodhen; Ai në Ditën e Kiametit do t’i njoftojë ata se çfarë kanë bërë, se, me të vërtetë, Allahu di çdo gjë!
58:8. A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse iu është ndaluar të kurdisin fshehtësisht, kthehen tek ajo që u është ndaluar dhe kurdisin për gjynahe, armiqësi dhe mosbindje ndaj të Dërguarit? Kur vijnë te ti, ata të përshëndesin me fjalë, me të cilat Allahu nuk të përshëndet kurrë dhe thonë me vete: “Pse nuk na dënon Allahu për këtë që po flasim?” Xhehenemi është një dënim i mjaftueshëm për ata. Në flakët e tij do të digjen. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai!
58:9. O besimtarë! Kur të bisedoni fshehtas mes jush, mos flisni për gjynahe, armiqësi dhe mosbindje ndaj të Dërguarit; por bisedoni për mirësi dhe drejtësi. Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të tuboheni.
58:10. Intrigat e fshehta vijnë vetëm nga djalli, për t’i dëshpëruar besimtarët. E megjithatë, ai nuk mund t’u shkaktojë kurrfarë të keqeje, përveç nëse Allahu e lejon atë. Pra, besimtarët le të mbështeten tek Allahu!
58:11. O besimtarë! Kur ju thuhet t’u hapni vend të tjerëve në tubim, atëherë bëni vend, se Allahu do t’ju bëjë vend (në Xhenet)! E kur ju thuhet të ngriheni, atëherë bëni kështu, se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni.
58:12. O besimtarë, kur të doni të këshilloheni me të Dërguarin, para këshillimit, jepni lëmoshë, kjo është më mirë dhe më pastër për ju. Po, nëse nuk keni, Allahu me të vërtetë, është Falës dhe Mëshirëplotë.
58:13. A mos po frikësoheni që para këshillimit tuaj të jepni lëmoshë?! E nëse nuk jepni, e Allahu jua ka falur, atëherë kryeni namazin, jepni zeqatin dhe dëgjoni Allahun e të Dërguarin e tij! Allahu di çdo gjë që bëni.
58:14. A nuk i sheh ata (hipokritët) që shoqërohen me njerëz, me të cilët Allahu është i zemëruar? Ata nuk ju përkasin as juve (o besimtarë), as atyre. Ata me vetëdije betohen në gënjeshtër (se janë besimtarë).
58:15. Allahu u ka përgatitur atyre dënim të rëndë, sepse është vërtet e mbrapshtë ajo që bëjnë.
58:16. Betimet e tyre i kanë bërë perde (për mbrapshtitë e tyre) dhe i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut; ata i pret dënimi i poshtërues.
58:17. As pasuria, as fëmijët e tyre nuk do t’u vijnë aspak në ndihmë (kur të jenë) para Allahut; ata do të jenë banorë të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
58:18. Ditën, kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij, ashtu siç të betohen ty tani, duke menduar se kjo do t’u sjellë dobi. Në të vërtetë, pikërisht ata janë gënjeshtarët!
58:19. Ata i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Ata janë pala e djallit; në të vërtetë, pala e djallit janë humbësit.
58:20. Ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dëguarin e Tij, do të jenë në shkallën më të poshtëruar.
58:21. Allahu ka vendosur: “Unë dhe të dërguarit e Mi do të triumfojmë me siguri!” Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.
58:22. Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me shpalljen e Vet. Ai do t’i shpjerë ata në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të. Ata janë Pala e Allahut dhe, vërtet që Pala e Allahut do të jetë fituese.