La ilahe il Allah

78-En-Nebe'

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

78:1.    Për çfarë e pyesin ata njëri-tjetrin?
78:2.    Për Lajmin e madh,
78:3.    rreth të cilit ata kanë kundërshtime.
78:4.    Ani, shpejt do ta marrin vesh!
78:5.    Sigurisht që shpejt do ta marrin vesh!
78:6.    A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat
78:7.    e malet si shtylla?!
78:8.    Ne ju kemi krijuar në çifte
78:9.    dhe gjumin jua kemi bërë për prehje.
78:10.    Natën jua kemi bërë mbulesë,
78:11.    ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar.
78:12.    Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë
78:13.    dhe kemi vënë kandil (diell) të shndritshëm!
78:14.    Nga retë Ne ju lëshojmë ujëra të bollshme
78:15.    për rritjen e drithërave, bimëve
78:16.    dhe të kopshteve të dendura.
78:17.    Sigurisht, Dita e Ndarjes vendimtare është caktuar.
78:18.    Atë Ditë do të fryhet në Sur dhe ju do të vini grupe-grupe.
78:19.    Dyert e qiellit do të hapen
78:20.    dhe malet do të shtyhen tutje e do të bëhen si mirazh.
78:21.    Me të vërtetë, Xhehenemi do të bëhet pusi,
78:22.    vendbanim i caktuar për keqbërësit,
78:23.    që aty të mbeten përgjithmonë.
78:24.    Aty nuk do të shijojnë as freski, as pije,
78:25.    përpos ujit të valuar dhe qelbësirave,
78:26.    si shpërblim përkatës (të veprave të tyre).
78:27.    Në të vërtetë, ata as që e çonin nëpër mend se do të jepnin llogari
78:28.    dhe shpalljet Tona i mohonin prerazi.
78:29.    Por Ne çdo gjë e kemi shënuar në një libër.
78:30.    Prandaj do t’u themi: “Shijojeni këtë! Ne nuk do t’ju shtojmë gjë tjetër përveçse dënim!”
78:31.    Vërtet, për punëdrejtët është përgatitur e mira (Xheneti):
78:32.    kopshte dhe vreshta,
78:33.    vajza të reja, të së njëjtës moshë,
78:34.    dhe kupa të plota.
78:35.    Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra.
78:36.    Kështu është shpërblimi nga Zoti yt - dhuratë sipas meritës
78:37.    Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, i Gjithëmëshirshmi, të Cilit askush nuk do të mund t’i flasë (nga frika).
78:38.    Në ditën, kur Shpirti (Xhebraili) dhe engjëjt do të jenë të rreshtuar, nuk do të flasë askush, përveç atij që do t’i japë lejë i Gjithëmëshirshmi e që do të thotë të vërtetën.
78:39.    Ajo është Dita e Vërtetë, prandaj kush të dojë, le të kthehet te Zoti i vet (që në këtë jetë).
78:40.    Me të vërtetë, Ne ju kemi paralajmëruar se është i afërt dënimi, Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!”