La ilahe il Allah

55-Err-Rrahman

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

55:1. I Gjithëmëshirshmi
55:2. ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij),
55:3. ka krijuar njeriun
55:4. dhe i ka mësuar atij të folurit e qartë.
55:5. Dielli dhe Hëna ndjekin rrugën e caktuar,
55:6. Bimët dhe pemët i përulen (Allahut).
55:7. Ai e ka ngritur qiellin lart dhe ka vënë Balancën (për çdo gjë),
55:8. që ju të mos e shkelni atë.
55:9. Prandaj matni drejt e mos hani në peshë!
55:10. Ai e ka bërë Tokën për krijesat.
55:11. Aty ka fruta të llojllojshme dhe palma hurmash me frutat si bistaqe,
55:12. ka drithëra me gjethe e kërcej dhe bimë me erë të mirë.
55:13. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:14. Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba,
55:15. ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit.
55:16. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:17. (Ai është) Zoti i dy lindjeve dhe i dy perëndimeve.
55:18. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:19. Ai i ka lëshuar dy dete që të takohen,
55:20. por, midis tyre ka një pengesë që nuk mund ta kapërcejnë.
55:21. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:22. Prej tyre nxirren margaritarë dhe korale.
55:23. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:24. Atij i përkasin edhe anijet që lundrojnë nëpër dete e që lartohen si male.
55:25. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:26. Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket,
55:27. e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.
55:28. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:29. Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme.
55:30. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:31. O ju dy barrët e Tokës (njerëz dhe xhinde), së shpejti do të caktojmë gjykimin tuaj!
55:32. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:33. O xhinde dhe njerëz, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një fuqi të madhe (nga Allahu)!
55:34. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:35. Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tunxh i shkrirë (si dënim për mohimin e dhuntive të Allahut) dhe ju nuk do të mund të mbroheni.
55:36. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:37. Veç kur të çahet qielli dhe të bëhet i kuq si trëndafili (në Ditën e Kiametit)!
55:38. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:39. Atë Ditë njerëzit dhe xhindet nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.
55:40. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:41. Keqbërësit do të njihen sipas shenjave dhe do të kapen për ballukesh dhe për këmbësh.
55:42. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:43. Ja, ky është Xhehenemi, të cilin e mohonin keqbërësit!
55:44. Ata do të sillen në mes të zjarrit dhe ujit të valuar në kulm.
55:45. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:46. Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte!
55:47. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:48. (Kopshtet do të jenë) të mbjellë me pemë që bëjnë hije.
55:49. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:50. Në ta do të ketë dy burime që rrjedhin.
55:51. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:52. Dhe prej çdo fruti do të ketë nga dy lloje.
55:53. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:54. Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, anash me armaç mëndafshi e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë.
55:55. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:56. Atje do të ketë virgjëresha sy ulur, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhinde.
55:57. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:58. Ato do të jenë si rubinë dhe korale.
55:59. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:60. A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!
55:61. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:62. Nën këta dy kopshte, do të ketë edhe dy kopshte të tjera.
55:63. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:64. Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim.
55:65. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:66. Aty do të jenë dy burime që gulfojnë.
55:67. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:68. Atje do të ketë fruta, palma hurmash dhe shegë.
55:69. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:70. Në to do të ketë bukuroshe virtytesh të mrekullueshme.
55:71. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:72. (Atje do të ketë) hyri syzeza nëpër tenda.
55:73. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:74. Ato hyri nuk i kanë prekur para tyre as njerëz, as xhinde.
55:75. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:76. Ata do të rrinë mbështetur në shtroje të gjelbra e qilima të bukur.
55:77. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!
55:78. Qoftë lartësuar emri i Zotit tënd, plot Madhëri dhe Nderim!