La ilahe il Allah

70-El-Mearixh

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

70:1. Dikush kërkoi një dënim të shpejtë.
70:2. Për jobesimtarët askush nuk mund ta ndalojë atë (dënim),
70:3. (që vjen) nga Allahu, Zoti i Rrugëve të Ngjitjes.
70:4. Tek Ai ngjiten engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), në një ditë që zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet.
70:5. Prandaj, duro, me durim të hijshëm.
70:6. Ata e mendojnë atë (dënim) të largët,
70:7. kurse Ne e shohim të afërt.
70:8. Atë Ditë qielli do të bëhet si llumi i vajit
70:9. e malet do të bëhen si lesh i shprishur,
70:10. Shoku s’do të pyesë për të shokun,
70:11. edhe pse do të vihen të shohin njëri-tjetrin. Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet,
70:12. edhe gruan, edhe vëllanë e vet,
70:13. edhe farefisin, që i gjendej pranë (ne jetën e Tokës),
70:14. si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte.
70:15. Por jo, (fajtori do të hidhet në zjarr)! Ai është zjarr flakërues,
70:16. që e shkul (dhe e djeg) krejtësisht skalpin e kokës.
70:17. Ai thërret këdo që (i) ka kthyer shpinën e (i) është larguar (besimit),
70:18. dhe që ka grumbulluar (pasuri) dhe e ka fshehur.
70:19. Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm:
70:20. kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort,
70:21. por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac.
70:22. Përjashtim bëjnë ata që falen,
70:23. e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre;
70:24. e që caktojnë një pjesë të pasurisë së tyre
70:25. për lypësin dhe për nevojtarin;
70:26. e që besojnë në Ditën e Llogarisë (Gjykimit);
70:27. e që frikësohen nga dënimi i Zotit të tyre,
70:28. - vërtet që askush nuk është i sigurt prej dënimit të Zotit të vet -;
70:29. e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme),
70:30. përveçse ndaj bashkëshorteve dhe skllaveve të veta - në këtë rast nuk meritojnë qortim,
70:31. por kush kërkon jashtë këtyre caqeve, pikërisht ata janë shkelësit -;
70:32. e që i ruajnë amanetet dhe i plotësojnë besëlidhjet e tyre;
70:33. e që gjithnjë dëshmojnë drejt;
70:34. e që i falin namazet rregullisht.
70:35. Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.
70:36. Ç’është kështu me jobesimtarët, që nxitojnë drejt teje
70:37. djathtas e majtas, grupe-grupe?!
70:38. A mos çdonjëri prej tyre shpreson të hyjë në Kopshtin e Lumturisë?
70:39. Kurrsesi! Vërtet që ata e dinë nga çfarë i kemi krijuar!
70:40. Betohem për Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve, që Ne jemi të Zotë
70:41. t’i ndërrojmë ata me njerëz më të mirë se ata dhe askush nuk na pengon dot.
70:42. Andaj, lëri ata të zbaviten me gjëra të kota dhe të luajnë derisa të përballen me Ditën e tyre që u është premtuar,
70:43. Ditën, në të cilën do të dalin nga varrezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt një altari,
70:44. me shikim të frikësuar e të kapluar nga poshtërimi. Ajo është Dita që u është premtuar atyre!

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free