La ilahe il Allah

61-Es-Saff

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

61:1. Allahun e përlëvdon gjithçka, që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti!
61:2. O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni?
61:3. Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!
61:4. Vërtet, Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij, të radhitur si të ishin një ndërtesë solide.
61:5. Kujto kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, përse po më mundoni, kur e dini mirë se unë jam i dërguari i Allahut te ju?!” Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë); Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin jobesimtar.
61:6. Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!”
61:7. Kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra kundër Allahut, ndërkohë që i bëhet thirrje për t’iu nënshtruar Atij?! Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.
61:8. Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët.
61:9. Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët.
61:10. O besimtarë, a doni t’ju drejtoj në një tregti, e cila ju shpëton nga një dënim i dhembshëm?!
61:11. Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe trupin tuaj. Kjo, nëse do ta dini, është më mirë për ju.
61:12. Ai do t’jua falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në banesa të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe.
61:13. Ai do t’ju falë edhe dhunti të tjera që, i dëshironi: ndihmën e Tij dhe një fitore të afërt! Andaj, gëzoji besimtarët!
61:14. O besimtarë, bëhuni ndihmësit e Allahut, ashtu siç u tha dishepujve Isai, i biri i Merjemes: “Kush janë ndihmësit e mi për çështjen e Allahut?” Dishepujt u përgjigjën: “Ne jemi ndihmësit e Allahut!” Kështu, një pjesë nga bijtë e Izraelit e besoi, kurse pjesa tjetër e mohoi. Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën ngadhënjimtarë.

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free