La ilahe il Allah

77-El-Murselat

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

77:1.    Për ato që dërgohen njëra pas tjetrës,
77:2.    për ato që shpejtojnë shtrëngatën,
77:3.    për ato që shpërndajnë shiun,
77:4.    për ato që ndajnë saktësisht
77:5.    dhe për ato që përcjellin këshilla,
77:6.    si shfajësim apo paralajmërim!
77:7.    Në të vërtetë, ajo që ju është premtuar, do të bëhet!
77:8.    Kur yjet të shuhen
77:9.    dhe, kur qielli të çahet
77:10.    dhe, kur malet të thërrmohen si pluhur
77:11.    dhe, kur të dërguarit të tubohen në kohën e caktuar
77:12.    - në cilën ditë do të ndodhin të gjitha këto?
77:13.    Në Ditën e Ndarjes vendimtare!
77:14.    Kush vallë do të ta shpjegojë se ç’është Dita e Ndarjes vendimtare?
77:15.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:16.    A nuk i kemi zhdukur të lashtët
77:17.    e pastaj do t’i bëjmë të tjerët t’i pasojnë?
77:18.    Kështu do të veprojmë me të gjithë keqbërësit!
77:19.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:20.    A nuk ju kemi krijuar nga një pikë lëngu të shpërfillur,
77:21.    të cilën e vumë në një vend të sigurt (mitër),
77:22.    deri në një kohë të caktuar?!
77:23.    Kështu e kemi rregulluar; sa Rregullues të shkëlqyer jemi Ne!
77:24.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:25.    A nuk e kemi bërë Tokën vendqëndrim
77:26.    të të gjallëve dhe të të vdekurve?
77:27.    A nuk kemi vënë në të male të larta e të patundshme? A nuk ju kemi dhënë të pini me bollëk ujë të ëmbël?
77:28.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:29.    (Do t’u thuhet): Nisuni drejt atij (dënimi) që e mohuat!
77:30.    Shkoni drejt një hijeje me tri kolona (tymi të Xhehenemit),
77:31.    e cila nuk bën hije (freskuese) dhe as nga flaka nuk të shpëton!
77:32.    Ajo hedh shkëndija të mëdha sa një kala,
77:33.    sikur të ishin deve të verdha!
77:34.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:35.    Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin
77:36.    dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.
77:37.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:38.    Kjo është Dita e Ndarjes vendimtare, në të cilën do të tuboheni ju dhe popujt e lashtë,
77:39.    prandaj, nëse zotëroni ndonjë dinakëri, përdoreni kundër Meje!
77:40.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:41.    Punëdrejtët do të jenë mes hijesh e burimesh,
77:42.    si dhe frutash nga ato që dëshirojnë.
77:43.    (Do t’u thuhet) “Hani e pini e ju bëftë mirë, (si shpërblim) për atë që keni punuar.”
77:44.    Kështu i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë vepra të mira.
77:45.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:46.    Hani dhe kënaquni për pak kohë! Ju jeni keqbërës!
77:47.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:48.    Kur atyre u thuhej: “Përkuluni (në namaz para Allahut)!” ata nuk përkuleshin.
77:49.    Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:50.    Në çfarë shpallje tjetër do të besojnë ata, pas këtij (Kurani)?!



This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free