La ilahe il Allah

30-Err-Rrum

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!


30:1.    Elif, Lâm, Mîm.
30:2.    U mundën bizantinët,
30:3.    në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë
30:4.    brenda disa vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët
30:5.    për ndihmën e Allahut; Ai ndihmon kë të dojë dhe është i Plotfuqishëm e Mëshirëplotë.
30:6.    (Ky është) premtimi i Allahut, e Allahu nuk e thyen premtimin e vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
30:7.    Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.
30:8.    Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ato që gjenden në mes tyre - vetëm me qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.
30:9.    Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u kanë sjellë prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi.
30:10.    Pastaj përfundimi i atyre që punuan keq, ka qenë e keqja e madhe (Xhehenemi), ngase i mohonin shpalljet e Allahut dhe talleshin me to.
30:11.    Allahu e fillon krijimin e pastaj e përsërit dhe pastaj tek Ai do të ktheheni.
30:12.    E, atë ditë kur të arrijë Ora, gjynahqarët do të mbesin pa gojë, shpresë këputur.
30:13.    Ata nuk do të kenë ndërmjetës nga idhujt e vet dhe do t’i mohojnë idhujt e tyre.
30:14.    E, atë ditë kur të arrijë Ora, ata (besimtarët dhe jobesimtarët) do të ndahen.
30:15.    Ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, do të gëzojnë në kopshtin e Xhenetit,
30:16.    kurse ata që kanë mohuar dhe kanë përgënjeshtruar shenjat Tona dhe takimin në jetën tjetër, do të hidhen në zjarr.
30:17.    Prandaj lavdërojeni Allahun, kur bie muzgu dhe, kur gdhin drita!
30:18.    Për Atë është falënderimi në qiej dhe në Tokë, në mbrëmje dhe në mesditë.
30:19.    Ai krijon të gjallën prej së vdekurës, krijon të vdekurën prej së gjallës dhe e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Në të njëjtën mënyrë do të ktheheni edhe ju në jetë.
30:20.    Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët.
30:21.    Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.
30:22.    Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë.
30:23.    Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë.
30:24.    Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.
30:25.    Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur),
30:26.    Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka i përulet Atij.
30:27.    Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
30:28.    Ai ju ka sjellë një shembull nga vetë jeta juaj: A janë skllevërit tuaj pjesëtarë të barabartë me ju në pasurinë, që Ne ju kemi dhënë juve dhe, a u frikësoheni atyre ashtu, siç i frikësoheni njëri tjetrit? Ja, kështu Ne ua shpjegojmë shenjat Tona njerëzve që mendojnë.
30:29.    Por, keqbërësit, nga padituria ndjekin qejfet e veta. Atëherë, kush do ta udhëzojë atë që e ka lënë të humbur Allahu? Për njerëz të tillë nuk ka kurrfarë ndihmësi.
30:30.    Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
30:31.    Drejtojuni Atij me pendesë, frikësojuni Atij dhe falni namazin e mos u bëni si ata, që i shoqërojnë Atij diçka tjetër (në adhurim),
30:32.    si ata, që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë në grupe, e ku çdo grup është i kënaqur me atë që ka.
30:33.    Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, ata i luten Zotit të vet, duke iu kthyer me pendesë, e pastaj, kur Ai u jep të shijojnë mëshirën e Tij, atëherë një pjesë tyre i shoqërojnë Zotit të vet diçka tjetër (në adhurim),
30:34.    për ta mohuar atë që u kemi dhënë Ne. Le të kënaqen, sepse së shpejti do ta marrin vesh!
30:35.    A mos vallë Ne u kemi dërguar atyre shpallje, që u flet për idhujt që m’i shoqëronin Mua (në adhurim)?
30:36.    Kur Ne u japim njerëzve ta shijojnë dhuntinë, ata gëzohen me të e, kur i godet fatkeqësia për atë që kanë bërë me duart e tyre, atëherë e humbin shpresën.
30:37.    Vallë, a nuk dinë ata se Allahu ia zgjeron furnizimin dhe ia ngushton kujt të dojë?! Me të vërtetë, këtu ka një shenjë për njerëzit që besojnë.
30:38.    Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit.
30:39.    Ato që i jepni dhuratë për t’jua shtuar (pasurinë tuaj) përmes pasurisë së njerëzve të tjerë (duke jua kthyer dhuratën me një më të mirë), nuk do të shtohen tek Allahu (s’do të ketë shpërblim), kurse kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat).
30:40.    Allahu është Ai që ju ka krijuar e ju ka dhënë ushqim; pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë nga idhujt tuaj që bën diçka të tillë? Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
30:41.    Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).
30:42.    Thuaj (o Muhamed): “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë përfundimi i atyre para jush”. Shumica e tyre kanë qenë idhujtarë.
30:43.    Drejtohu ti me përkushtim në fenë e drejtë, para se të vijë prej Allahut Dita, e cila nuk mund të shtyhet. Atë ditë, njerëzit do të ndahen:
30:44.    ata që nuk kanë besuar, do të mbajnë pasojat e mohimit, kurse ata që kanë bërë vepra të mira, i kanë përgatitur vetes (të mira).
30:45.    Ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, Allahu do t’i shpërblejë nga dhuntitë e Veta. Në të vërtetë, Ai nuk i do mohuesit.
30:46.    Dhe, një prej shenjave të Tij, është dërgimi i erërave mbartëse të lajmeve të mira (shiut), që t’ju bëjë të shijoni nga mëshira e Tij, që anija të lundrojë me urdhrin e Tij, që të kërkoni nga dhuntia e Tij dhe që të jeni mirënjohës.
30:47.    Pa dyshim, Ne kemi nisur të dërguar para teje te popujt e tyre. Ata u paraqitën me prova të qarta, por popujt i mohuan, prandaj Ne i ndëshkuam keqbërësit. Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.
30:48.    Allahu është ai që i dërgon erërat, që ato t’i lëvizin retë, pastaj i shpërndan ato nëpër qiell si të dojë dhe i copëton ato pjesë pjesë, e ti sheh shiun, si bie prej tyre. Kur ua çon kujt të dojë nga robërit e Vet, atëherë ata gëzohen përnjëherësh,
30:49.    edhe pse, me të vërtetë, para se t’u vinte shiu, ishin të dëshpëruar.
30:50.    Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Vërtet, Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.
30:51.    Edhe sikur Ne të dërgonim furtunë, e jobesimtarët të shihnin që çdo gjë të zverdhej, edhe pas kësaj ata do të mbeteshin mohues të dhuntive.
30:52.    Me të vërtetë, ti (Muhamed) nuk mund të bësh që “i vdekuri” apo “i shurdhëri” të dëgjojnë thirrjen, kur ata ta kthejnë shpinën duke u larguar!
30:53.    Ti nuk mund ta udhëzosh të verbrin të dalë nga humbja e tij! Ti mund të bësh që të dëgjojnë vetëm ata që besojnë në shpalljet Tona. Ata janë myslimanë të vërtetë.
30:54.    Allahu është ai që ju ka krijuar juve të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.
30:55.    Ditën, kur të vijë Ora (e Kiametit), keqbërësit do të betohen se kanë qëndruar (në tokë) veçse për një kohë të shkurtër. Kështu ata shmangen nga e Vërteta.
30:56.    Ata, të cilëve u është dhënë dituria dhe besimi, do të thonë: “Ju, me të vërtetë, keni qëndruar aq sa ju ka caktuar Allahu në Libër - deri në Ditën e ringjalljes, - e ja kjo është Dita e ringjalljes, por ju nuk e keni ditur”.
30:57.    Atë Ditë, atyre që kanë bërë padrejtësi, nuk do t’u bëjë dobi shfajësimi, as nuk do t’u lejohet që të kërkojnë falje.
30:58.    Pa dyshim, në këtë Kuran, Ne u kemi sjellë njerëzve gjithfarë shembujsh. Por, sikur ti (Muhamed) t’u sjellësh atyre çfarëdo mrekullie, jobesimtarët me siguri, do të thonë: “Ju jeni vetëm shpifës”.
30:59.    Ja, kështu, Allahu ua vulos zemrat atyre që nuk dinë.
30:60.    Duro (o Muhamed), se, me siguri, premtimi i Allahut është i vërtetë dhe s’ke pse të humbasësh durimin kurrsesi nga ata që nuk besojnë!