La ilahe il Allah

71-Nuh

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

71:1.    Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: “Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!”
71:2.    Ai tha: “O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë:
71:3.    që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua,
71:4.    me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar. Dhe, kur t’ju vijë çasti i caktuar i Allahut, askush nuk do të mund ta shtyjë atë, veç sikur ta dinit”!
71:5.    Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë,
71:6.    por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta).
71:7.    Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim).
71:8.    Pastaj i thirra me zë të lartë.
71:9.    Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi
71:10.    e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh,
71:11.    që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm,
71:12.    t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!
71:13.    Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë),
71:14.    ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?
71:15.    A nuk e shihni se si Allahu i ka krijuar shtatë qiejt njëri mbi tjetrin,
71:16.    dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin e ka bërë fener?
71:17.    Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët,
71:18.    pastaj ju kthen tek ajo dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë.
71:19.    Allahu për ju e ka bërë Tokën shtrojë të gjerë,
71:20.    që të ecni nëpër të, nëpër rrugët e gjera.”
71:21.    Nuhu tha: “O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe u dhanë pas atyre njerëzve, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë sjellë gjë tjetër, veç shkatërrimit.
71:22.    Ata kurdisën një kurth të madh,
71:23.    dhe thanë: ‘Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin’!
71:24.    E kështu kanë futur në rrugë të gabuar shumë (njerëz). Prandaj, keqbërësve mos u shto gjë tjetër, veç humbjes!”
71:25.    Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën mbrojtës tjetër për veten në vend të Allahut.
71:26.    Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues,
71:27.    sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!
71:28.    O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!”



This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free