La ilahe il Allah

67-El-Mulk

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

67:1. Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!
67:2. Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.
67:3. Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?
67:4. Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur.
67:5. Ne jua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe i kemi bërë ato si predha për të larguar djajtë, për të cilët kemi përgatitur dënimin me zjarr.
67:6. Kurse për ata, që e mohojnë Zotin e tyre, dënimi është Xhehenemi; eh, sa i shëmtuar është ai vendbanim!
67:7. Kur të hidhen aty, do të dëgjojnë ulërimën e tij, ndërkohë që ai vlon
67:8. gati për të shpërthyer me furi. Sa herë që aty të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t’i pyesin ata: “A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?!”
67:9. “Po - do të përgjigjen ata - na kanë ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe”!
67:10. Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!”
67:11. Kështu, ata do ta pranojnë gjynahun e tyre. Larg qofshin prej mëshirës së Zotit banorët e Zjarrit Flakërues!
67:12. Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh!
67:13. Sido që të flisni ju, fshehtas apo haptas, Ai e di mirë ç’ka në zemrat tuaja.
67:14. E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!
67:15. Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.
67:16. A jeni të sigurt se kush është në qiell, nuk do ta bëjë Tokën t’ju kapërdijë, kur të fillojë të dridhet papritmas?
67:17. A jeni të sigurt se kush është në qiell, nuk do t’ju çojë furtunë gurësh? Atëherë do ta dini sa i frikshëm është paralajmërimi Im!
67:18. Edhe ata që ishin para jush i quajtën gënjeshtarë të dërguarit e tyre. Eh, sa i ashpër ka qenë ndëshkimi Im!
67:19. A nuk i shohin shpendët mbi kokat e tyre, se si i hapin dhe i mbledhin krahët? Askush nuk i mban ata, përveç të Gjithëmëshirshmit; Ai, me të vërtetë, sheh çdo gjë.
67:20. Kush është ai, që mund t’ju ndihmojë si një ushtri e tërë, përveç të Gjithëmëshirshmit? Mohuesit janë pre e mashtrimit (të shejtanit).
67:21. Kush janë ata, që do t’ju japin mjete jetese, në qoftë se Ai jua ndalon ato? Por ata janë zhytur në kryeneçësi e mendjemadhësi.
67:22. A është më mirë ai që shkon rrëshqanas e kokulur apo ai që ecën ballëlart në rrugën e drejtë?
67:23. Thuaju: “Është Ai që ju ka krijuar dhe ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrat, e megjithatë ju pak e falënderoni!”
67:24. Thuaju: “Është Ai që ju ka shpërndarë nëpër Tokë dhe para Tij do të tuboheni”.
67:25. Ata thonë: “Atëherë, kur (do të vijë) ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”
67:26. Thuaju: “Dijenija (për këtë) i përket vetëm Allahut, kurse unë jam vetëm një paralajmërues i qartë”.
67:27. Kur të shohin dënimin për së afërmi, fytyrat e atyre që mohuan do të zymtohen dhe, atëherë, do t’u thuhet: “Ja, kjo është ajo që e keni kërkuar të shpejtohej!”
67:28. Thuaj: “Mendoni: në qoftë se Allahu më shkatërron mua dhe ndjekësit e mi apo na mëshiron, kush është ai që do t’i mbrojë jobesimtarët nga dënimi i padurueshëm?!”
67:29. Thuaj: “Ai është i Gjithëmëshirshmi; ne Atë besojmë dhe tek Ai mbështetemi e ju, sigurisht, do ta merrni vesh se kush do të jetë në humbje të plotë”.
67:30. Thuaj: “Mendoni: nëse ujërat tuaja ju shteren, kush (përveç Allahut) do t’ju sjellë ujë rrjedhës?!”
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free