La ilahe il Allah

62-El-Xhumuah

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

62:1. Allahun e përlëvdon gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), i Plotfuqishmi dhe i Urti.
62:2. Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.
62:3. Ai do ta dërgojë atë edhe tek të tjerë (myslimanë) nga ata, të cilët ende nuk u janë bashkuar. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
62:4. Kjo është dhuntia e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë. Allahu zotëron dhunti të madhe.
62:5. Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) keqbërësit.
62:6. Thuaju hebrenjve: “Në qoftë se ju pretendoni se jeni të vetmit miq të Allahut nga të gjithë njerëzit, atëherë dëshirojeni vdekjen, po të jeni të sinqertë!”
62:7. Por ata kurrë nuk do ta dëshirojnë vdekjen, për shkak të veprave që kanë bërë duart e tyre. Allahu i njeh mirë keqbërësit.
62:8. Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.”
62:9. O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!
62:10. Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.
62:11. Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: “Ajo që është tek Allahu, është më e mirë nga argëtimi e nga tregtia.” Allahu është Dhuruesi më bujar.

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free