La ilahe il Allah

81-Et-Tekwir

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

81:1.    Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin;
81:2.    kur yjet të rrëzohen
81:3.    dhe malet të lëvizin tutje;
81:4.    kur devetë barrse të braktisen
81:5.    dhe egërsirat të tubohen;
81:6.    kur detet të vlojnë
81:7.    dhe shpirtrat të bashkohen (me trupat);
81:8.    kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet
81:9.    për çfarë faji ishte vrarë;
81:10.    kur fletët të shpërndahen
81:11.    dhe qielli të zhvishet;
81:12.    kur Xhehenemi të flakërojë
81:13.    dhe Xheneti të afrohet:
81:14.    atëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë).
81:15.    Betohem për ata (planete) që tërhiqen,
81:16.    që lindin e perëndojnë,
81:17.    për natën kur bie terri
81:18.    e për agimin kur nis të zbardhë,
81:19.    se ky (Kuran) është Fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari fisnik,
81:20.    që zotëron fuqi dhe pozitë të lartë te Zoti i Fronit
81:21.    e që është i respektuar atje dhe besnik.
81:22.    Shoku juaj nuk është i marrë.
81:23.    Ai e ka parë atë në horizontin e qartë
81:24.    dhe nuk mbulon asnjë të fshehtë prej së Padukshmes.
81:25.    As ky (Kuran) nuk është fjalë e djallit të mallkuar.
81:26.    Prandaj, nga po ia mbani?
81:27.    Ai është veçse këshillë për botët:
81:28.    për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë.
81:29.    Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!