La ilahe il Allah

87-El-A'la

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

87:1.    Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit,
87:2.    që ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt;
87:3.    që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën;
87:4.    që bën të rriten kullotat
87:5.    dhe pastaj të shndërrohen, të thahen e të vyshken.
87:6.    Ne do të të bëjmë ty (Muhamed) të lexosh (Shpalljet Tona), kështu që nuk ke për të harruar,
87:7.    përveç asaj që do Allahu. Vërtet, Ai e di të dukshmen dhe çka është e fshehtë.
87:8.    Do të ta lehtësojmë ty rrugën e drejtë,
87:9.    prandaj këshillo, nëse këshilla do të jetë e dobishme!
87:10.    Asaj do t’ia vërë veshin ai që (i) frikësohet (Allahut),
87:11.    e do t’i shmanget vetëm më i keqi,
87:12.    i cili do të digjet në zjarrin e madh,
87:13.    ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.
87:14.    I shpëtuar është ai që pastrohet,
87:15.    që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!
87:16.    Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote,
87:17.    ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.
87:18.    Kjo, me të vërtetë, ndodhet në Fletët e lashta,
87:19.    në Fletët e Ibrahimit dhe Musait.