La ilahe il Allah

28-El-Kasas

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

28:1.    Tâ Sîn Mîm.
28:2.    Këto janë vargjet e Librit të qartë!
28:3.    Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.
28:4.    Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.
28:5.    Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë,
28:6.    t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin.
28:7.    Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”
28:8.    Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.
28:9.    Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin.
28:10.    Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë.
28:11.    Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.
28:12.    Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?”
28:13.    Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.
28:14.    Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira.
28:15.    Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë. Pastaj tha: “Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!
28:16.    O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.
28:17.    Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!”
28:18.    Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!”
28:19.    Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: “O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”.
28:20.    Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”.
28:21.    Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!”
28:22.    Teksa drejtohej nga Medjeni, ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!”
28:23.    Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”.
28:24.    Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!”
28:25.    Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha: “Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha: “Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!”
28:26.    “O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”.
28:27.    Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.”
28:28.    Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.”
28:29.    Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur”.
28:30.    Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!
28:31.    Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë, pa shikuar pas, ndërsa zëri i tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur.
28:32.    Fute dorën tënde në gji dhe ajo do të dalë e bardhë, e palënduar. Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës! Këto janë dy mrekulli prej Zotit tënd për Faraonin dhe parinë e tij; ata janë njëmend popull i mbrapshtë!”
28:33.    Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin.
28:34.    Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”.
28:35.    Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”.
28:36.    Dhe kur Musai u solli mrekullitë Tona të qarta, ata thanë: “Kjo është vetëm magji e trilluar; ne nuk e kemi dëgjuar këtë prej stërgjyshërve tanë të lashtë”.
28:37.    Musai tha: “Zoti im e di mirë se kush i sjell udhëzimet prej Tij dhe kush do të ketë mbarimin e mirë në jetën tjetër. Sigurisht, keqbërësit nuk do të shpëtojnë.”
28:38.    Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje! O Haman, më ndez një zjarr për të pjekur qerpiçë dhe më ndërto një kullë të lartë që të ngjitem te Zoti i Musait. Jam i bindur se ai (Musai) gënjen!”
28:39.    Faraoni dhe ushtria e tij u sollën me arrogancë dhe padrejtësisht në tokë, duke menduar se nuk do të ktheheshin te Ne.
28:40.    Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!
28:41.    Ne i bëmë ata udhëheqës, që thërrisnin për në zjarr, ndërsa në Ditën e Kiametit askush nuk do t’i ndihmojë.
28:42.    Në këtë botë Ne hodhëm mallkim mbi ta, ndërsa në Ditën e Kiametit ata do të jenë të braktisur e të shkatërruar.
28:43.    Pasi i shkatërruam breznitë e mëparshme, Ne i dhamë Musait Librin, si dritë për njerëzit, udhëzim dhe mëshirë, në mënyrë që ata të mund të merrnin këshilla.
28:44.    Ti (o Muhamed) nuk ke qenë i pranishëm në anën perëndimore (të Turit), kur Ne ia besuam Musait Misionin (Profecinë) dhe as nuk ke qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje.
28:45.    Pastaj, Ne krijuam brezni të tjera që jetuan shumë gjatë. Ti nuk ke banuar midis banorëve të Medjenit, që t’iu lexoje shpalljet Tona, por Ne gjithnjë kemi çuar të dërguar.
28:46.    Ti nuk ke qenë as pranë Turit, kur Ne thirrëm Musain. Por ti je dërguar si mëshirë nga Zoti yt për të paralajmëruar njerëzit, të cilëve nuk u kishte ardhur kurrfarë paralajmëruesi para teje, që ata të mund të marrin këshilla
28:47.    dhe, që të mos thonë, kur t’i godasë dënimi, për atë që kanë bërë: “O Zoti ynë, të na kishe çuar një të dërguar që t’i pasonim shpalljet Tuaja dhe të bëheshim besimtarë”.
28:48.    Pasi u erdhi e Vërteta prej Nesh, ata thanë: “Përse nuk i është dhënë (Muhamedit), diçka e ngjashme me atë që i ishte dhënë Musait!” Por, a nuk e mohojnë ata çfarë i ishte dhënë Musait, duke thënë: “Këta (Teurati dhe Kurani) janë dy magji, që mbështesnin njëra-tjetrën. Ne nuk besojmë asnjërin prej tyre”.
28:49.    Thuaju atyre: “Sillni një libër nga Allahu, i cili udhëzon më mirë nga këta të dy, unë do ta pasoj atë, nëse thoni të vërtetën!”
28:50.    E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.
28:51.    Ne ua dërgojmë atyre shpalljet njërën pas tjetrës, në mënyrë që t’ua vënë veshin.
28:52.    Ata që Ne ua kemi zbritur Librin para tij (Kuranit), i besojnë atij.
28:53.    Kur u lexohet atyre (Kurani), ata thonë: “Ne e besojmë atë. Pa dyshim, ai është e vërteta nga Zoti ynë. Vërtet, Ne edhe para tij kemi qenë të nënshtruar ndaj Zotit.”
28:54.    Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar. Ata e zmbrapsin të keqen me të mirë, ndajnë lëmoshë nga ajo që u kemi dhënë Ne
28:55.    dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”.
28:56.    Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.
28:57.    Ata thonë: “Nëse ndjekim udhëzimin së bashku me ty, së shpejti do të jemi të dëbuar nga vendlindja”. Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme, si ushqim prej Nesh? Por shumica e tyre nuk e dinë.
28:58.    Eh, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, sepse banorët e tyre bënin jetë të shfrenuar! Ja tek janë shtëpitë e tyre, të cilat janë banuar pas tyre fare pak ose aspak. Jemi Ne trashëgimtarët e fundit.
28:59.    Zoti yt kurrë nuk i ka shkatërruar këto vendbanime, para se t’u çonte në kryeqytetet e tyre të dërguar, që t’u lexonte shpalljet e Tij. Ne kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet (pa shkak), por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë keqbërës.
28:60.    Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!
28:61.    Si mund të jetë i njëjtë ai, që i kemi premtuar shpërblim të mirë, të cilin do ta arrijë dhe ai që i kemi dhënë kënaqësi në jetën e kësaj bote, ndërkohë që në Ditën e Kiametit, do të hidhet në zjarr?
28:62.    Atë Ditë, Allahu do t’i thërrasë ata dhe do t’u thotë: “Ku janë ata për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Mi?!”
28:63.    Ata që kanë merituar dënimin Tonë, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë ata, që ne i çuam në rrugë të shtrembër. Ne i çuam ata në rrugë të shtrembër, ashtu siç shkuam edhe vetë në atë rrugë. Ne deklarohemi të pafajshëm para Teje; ata nuk na kanë adhuruar ne”.
28:64.    Atyre do t’u thuhet: “Thirrni hyjnitë tuaja!” - dhe ata do t’i thërrasin ato, por nuk do të marrin asnjë përgjigje. Ata do të shohin dënimin dhe do të dëshirojnë që të kishin qenë në rrugën e drejtë!
28:65.    Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ç’përgjigje iu dhatë të dërguarve?”
28:66.    Atë ditë, argumentet e tyre do t’u ngatërrohen e ata nuk do të mund të pyesin njëri - tjetrin.
28:67.    Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar.
28:68.    Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht, ndërsa ata (idhujt) nuk mund të zgjedhin. Qoftë i lavdëruar Allahu dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
28:69.    Zoti yt e di çfarë fshehin zemrat e tyre dhe çfarë shprehin.
28:70.    I tillë është Allahu! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni.
28:71.    Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?”
28:72.    Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën ditën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte natën, në të cilën qetësoheni? Vallë, a nuk shihni?
28:73.    Prej mëshirës së Vet, Ai ka bërë për ju natën dhe ditën, që të qetësoheni, të kërkoni nga mirësia e Tij dhe të jeni mirënjohës.”
28:74.    Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ku janë ata që pretendonit, se ishin ortakët e Mi?!”
28:75.    Dhe prej çdo populli, Ne do të nxjerrim nga një dëshmitar e do të themi: “Paraqitni provat tuaja!” Atëherë, ata do ta marrin vesh se e vërteta është (vetëm) e Allahut dhe do të braktisen nga zotat që i trilluan vetë.
28:76.    Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Njerëzit e popullit të tij i thanë: “Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen!
28:77.    Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.”
28:78.    Ai tha: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”. Vallë, a nuk e dinte ai, se Allahu kishte zhdukur para tij shumë brezni, që kishin qenë më të fuqishëm dhe që kishin grumbulluar më shumë pasuri se ai? Por keqbërësit nuk do të pyeten për gjynahet e tyre.
28:79.    Kur ai dilte para popullit të vet me stolitë e tij, ata që lakmonin jetën e kësaj bote thanë: “Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.”
28:80.    Ndërsa njerëzit e dijshëm thoshin: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira. Ai do t’u jepet vetëm të duruarve”.
28:81.    Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten.
28:82.    Të nesërmen, ata që më parë dëshironin të kishin qenë në vend të tij, thoshin: “Është shumë e qartë se Allahu është Ai që i jep bollëk dhe ia pakëson kujt të dojë prej robërve të Tij. Sikur Allahu të mos kishte mëshirë për ne, me të vërtetë që do të na kishte bërë të na gëlltiste toka. Ububu! Është shumë e qartë se mohuesit nuk kanë shpëtim!”
28:83.    Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.
28:84.    Kush bën një të mirë, do të ketë shpërblim më të mirë se ajo. Ndërsa ai që bën një të keqe, do të dënohet vetëm aq sa e meriton vepra e tij.
28:85.    Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë). Thuaj: “Zoti im e di mirë se kush sjell udhëzim të drejtë dhe kush është në humbje të qartë.”
28:86.    Ti nuk ke shpresuar se do të të shpallej Libri, por e more nga mëshira e Zotit tënd; andaj, kurrsesi mos u bëj ndihmës i mohuesve!
28:87.    Kurrsesi mos i lejo ata të të largojnë prej shpalljeve të Allahut, pasi të janë zbritur ty! Lutju Zotit tënd dhe kurrsesi mos u bëj idhujtar!
28:88.    Mos adhuro zot tjetër, krahas Allahut! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës (Qenies) së Tij! Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!