La ilahe il Allah

25-Furkan

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

25:1.    I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët;
25:2.    Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!
25:3.    E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.
25:4.    Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai me ndihmën e njerëzve të tjerë.” Kjo që thonë ata është e padrejtë dhe shpifje.
25:5.    Dhe ata thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.”
25:6.    Thuaj: “Atë e ka shpallur Ai që di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai fal shumë dhe është Mëshirues”.
25:7.    Gjithashtu ata thonë: “Ç’është ky i dërguar që ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një engjëll e të bëhet me të paralajmërues?!
25:8.    Ose, përse nuk i është zbritur një thesar apo të kishte një kopsht, nga i cili të hante?!” Të padrejtët thonë: “Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur”!
25:9.    Shiko çfarë shembujsh të sjellin e ata (me këtë) kanë humbur e nuk mund të gjejnë rrugën e vërtetë.
25:10.    Qoftë i lartësuar Ai, i Cili, nëse do, mund të të japë gjëra më të mira se këto, kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe të bëjë për ty pallate.
25:11.    Jo, ata e quajnë gënjeshtër edhe ardhjen e Orës (së Kiametit), ndërsa Ne kemi përgatitur për ata që e mohojnë Orën zjarr flakërues.
25:12.    Kur ai t’i vërë re prej së largu, ata do t’ia dëgjojnë vlimin dhe rënkimin.
25:13.    E kur të hidhen në një vend të ngushtë të tij, të lidhur duarsh, do të luten për shkatërrimin (e vet).
25:14.    “Mos e kërkoni sot shkatërrimin vetëm një herë, por kërkojeni shumë herë!”
25:15.    Thuaj: “A është më i mirë ky apo Xheneti i amshuar, i cili u është premtuar të devotshmëve? Ai do të jetë për ta shpërblim dhe vend kthimi.
25:16.    Për ata ka aty çfarë të dëshirojnë e do të rrinë në të përherë. Ky është premtimi i Zotit tënd, i kërkuar (prej jush)”.
25:17.    Ditën, kur Ai t’i tubojë idhujtarët bashkë me ata që i adhuronin në vend të Allahut, do t’u thotë (të adhuruarve): “A jeni ju që i keni shmangur këta robër të Mi apo ata vetë kanë humbur rrugën e drejtë?”
25:18.    Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për Ty! Nuk ishte nevoja që ne të marrim mbrojtës tjetër, përveç Teje, por Ti u dhe këtyre dhe etërve të tyre jetë të begatshme, ndërsa ata i harruan paralajmërimet e Tua dhe u bënë popull i shkatërruar”!
25:19.    “Këta e përgënjeshtruan atë që thatë ju e nuk do të munden, as të shmangin dënimin, as të ndihmojnë veten. Kush prej jush ka bërë të këqija, Ne atij do t’i japim të shijojë dënim të madh.”
25:20.    Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje. Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.
25:21.    Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?” Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi.
25:22.    Ditën, kur të shohin engjëjt, për keqbërësit nuk do të ketë lajm të mirë dhe do t’u thuhet: “Nuk do të kaloni dot për matanë!”
25:23.    Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.
25:24.    Ndërsa banorët e Xhenetit atë ditë do të kenë vendbanim më të mirë dhe vendpushim më të bukur.
25:25.    Ditën, kur qielli me ré do të hapet e engjëjt do të lëshohen në zbritjen e madhe,
25:26.    atë ditë pushteti i vërtetë do t’i përkasë vetëm të Gjithëmëshirshmit. Kjo do të jetë ditë e vështirë për jobesimtarët.
25:27.    Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin!
25:28.    Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik!
25:29.    Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.
25:30.    Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”.
25:31.    Dhe, kështu Ne, çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës!
25:32.    Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.
25:33.    Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.
25:34.    Ata, që do të tubohen me fytyrat përmbys në Xhehenem, do të jenë në vendin më të keq dhe më të larguarit prej rrugës së vërtetë.
25:35.    Ne i dhamë Musait Librin dhe i bëmë ndihmës vëllanë e tij, Harunin.
25:36.    Pastaj (u) thamë (atyre): “Shkoni të dy te populli, i cili i quan të rreme shenjat Tona!” Pastaj e shkatërruam atë popull krejtësisht.
25:37.    Popullin e Nuhut, kur i quajti gënjeshtarë të dërguarit, Ne e fundosëm dhe e bëmë mësim për njerëzit. Për keqbërësit kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.
25:38.    Ne i dënuam fiset Ad dhe Themud, popullin e Ras-sit, si dhe shumë popujt të tjerë ndërmjet tyre.
25:39.    Të gjithëve u sollëm shembuj dhe, më pas, të gjithë i shkatërruam krejtësisht.
25:40.    Ata me kohë kanë kaluar pranë vendbanimit që e shkatërroi shiu i tmerrshëm, e vallë, a nuk e kanë parë atë? Jo, ata nuk prisnin të ringjalleshin.
25:41.    Sa herë që të shohin ty, të marrin vetëm për tallje: “Vallë, këtë ka sjellë Allahu si të dërguar?!
25:42.    Për pak qe duke na shmangur nga hyjnitë tona, po të mos u kishim qëndruar atyre besnikë!” Por, kur të përballen me dënimin, do ta marrin vesh se kush është shmangur më larg rrugës së drejtë.
25:43.    A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?
25:44.    A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.
25:45.    A nuk e ke parë ti se si Zoti yt e ka zgjatur hijen?! Sikur të kishte dashur, do ta bënte të pandryshueshme? Pastaj Ne e kemi bërë Diellin udhëzues të saj,
25:46.    pastaj e tërheqim atë (hijen), dalëngadalë pranë Vetes.
25:47.    Dhe është Ai që jua ka bërë natën mbulesë dhe gjumin pushim, kurse ditën jua ka bërë për të lëvizur.
25:48.    Është Ai që i dërgon erërat si lajmëtarë të gëzueshëm para mëshirës së Tij, duke lëshuar prej qiellit ujë të pastër,
25:49.    që nëpërmjet atij të ngjallim vendin e vdekur dhe t’u japim ujë kafshëve dhe shumë njerëzve që Ne i kemi krijuar.
25:50.    Ne e kemi përsëritur (dhuntinë) që të vënë veshin, por shumica e njerëzve kundërshtojnë e janë mosmirënjohës.
25:51.    Sikur të donim Ne, do të dërgonim në çdo qytet paralajmërues.
25:52.    Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani).
25:53.    Është Ai që i ka lënë të lirë dy ujëra, - njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, - duke ngritur pengesë e kufi të prerë ndërmjet tyre.
25:54.    Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. Zoti yt është i Plotfuqishëm.
25:55.    Megjithatë, ata adhurojnë, në vend të Allahut, gjëra që nuk mund t’u sjellin as dobi, as dëm. Jobesimtari është ndihmës (i djallit) kundër Zotit të tij.
25:56.    Ne të kemi dërguar ty vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.
25:57.    Thuaj: “Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, por vetëm që, kush të dëshirojë, le të ndjekë rrugën (që e shpie) drejt Zotit të tij”.
25:58.    Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes dhe madhëroje Atë me falënderim! Ai i di mjaft mirë gjynahet e robërve të Vet.
25:59.    Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.
25:60.    Kur atyre u thuhet: “Bëjini sexhde të Gjithëmëshirshmit”, ata thonë: “Çfarë është i Gjithëmëshirshmi? Vallë, t’i biem në sexhde atij që na urdhëron ti?” Kjo u shton atyre më shumë largim (prej fesë).
25:61.    Qoftë i lartësuar Ai, i Cili e ka stolisur qiellin me yjësi dhe ka vënë në të një Kandil të ndritshëm dhe një Hënë që ndriçon.
25:62.    Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.
25:63.    Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”;
25:64.    dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;
25:65.    dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm
25:66.    e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq”;
25:67.    dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes;
25:68.    dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.
25:69.    Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar.
25:70.    Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
25:71.    Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.
25:72.    (Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;
25:73.    edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër;
25:74.    edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”.
25:75.    Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.
25:76.    Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!
25:77.    Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj. Por ju (i) keni përgënjeshtruar (Shpalljet e Tij), andaj dënimi për ju do të jetë i pashmangshëm”.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free