La ilahe il Allah

51-Edh-Dharijat

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

51:1. Betohem në erërat që çojnë (pluhurin)
51:2. dhe në retë e ngarkuara rëndë
51:3. dhe në ato që lundrojnë lehtë
51:4. dhe në engjëjt që shpërndajnë urdhrat
51:5. se, me të vërtetë, është e sigurtë ajo që ju premtohet
51:6. dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë!
51:7. Për qiellin e stolisur me yje!
51:8. Ju keni gjithfarë mendimesh,
51:9. Prej tij (Kuranit) shmanget ai që nuk beson.
51:10. Qofshin mallkuar gënjeshtarët,
51:11. të cilët janë të zhytur në padije dhe të shkujdesur (ndaj Ditës së Gjykimit)!
51:12. Ata pyesin: “Kur do të jetë Dita e Gjykimit?”
51:13. Atë Ditë ata do të përcëllohen në zjarr!
51:14. (Do t’u thuhet): “Shijoni dënimin tuaj! Këtë kërkuat t’ju shpejtohet!”
51:15. Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut do të jenë në kopshte dhe burime,
51:16. duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë.
51:17. Ata flinin pak natën,
51:18. ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).
51:19. Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.
51:20. Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje,
51:21. po edhe në vetet tuaja - a nuk e shihni vallë?
51:22. Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.
51:23. Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj.
51:24. A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit?
51:25. Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” - dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!”
51:26. E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë.
51:27. Pastaj ua afroi atyre e u tha: “A nuk po hani?”
51:28. Dhe ndjeu frikë prej tyre, por ata i thanë: “Mos u frikëso!” dhe i dhanë lajmin e mirë për një djalë të dijshëm.
51:29. Atëherë erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën, tha: “Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka shterpë?”
51:30. Ata thanë: “Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.”
51:31. Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?”
51:32. Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës,
51:33. për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur,
51:34. të shënuar te Zoti yt, për ata që e kalojnë kufirin (në të këqija)”.
51:35. Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet 
51:36. ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane 
51:37. dhe në të lamë shenjë për ata që i frikësohen dënimit të dhembshëm.
51:38. Edhe në historinë e Musait (ka mësim), kur ia dërguam Faraonit, me provë të qartë.
51:39. Ai (Faraoni) u shmang (nga besimi), së bashku me komandantët e vet dhe tha: “Musai është magjistar ose i çmendur!”
51:40. Ne e kapëm atë me ushtrinë e tij dhe e hodhëm në det; ai e meritoi.
51:41. (Mësim ka edhe në historinë) e fisit Ad, kur i dërguam erën shkatërruese,
51:42. e cila, ngado që kaloi, nuk kurseu asgjë, duke i kthyer në kalbësira.
51:43. Edhe te fisi Themud (ka mësim), kur iu tha anëtarëve të tij: “Kënaquni njëfarë kohe!”
51:44. Ata u treguan mendjemëdhenj ndaj urdhrave të Allahut, pastaj i goditi rrufeja, ndërsa e shihnin,
51:45. por nuk mundën as të ngriheshin, as të mbroheshin prej dënimit.
51:46. (Mësim ka) edhe te populli i Nuhut, (që e shkatërruam) shumë kohë më parë. Me të vërtetë, ai ishte popull i pabindur!
51:47. Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë.
51:48. Edhe Tokën e kemi shtruar! Sa shtrues të mrekullueshëm që jemi!
51:49. Dhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar dy palë, në mënyrë që ju të vini veshin!
51:50. “Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut, se unë vërtet që jam dërguar te ju prej Tij, si paralajmërues i qartë!
51:51. Dhe mos adhuroni zot tjetër krahas Allahut, se unë vërtet që jam dërguar te ju prej Tij, si paralajmërues i qartë!”
51:52. Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: “Është magjistar” ose “Është i çmendur!”
51:53. Vallë, a mos ia kanë pasuar këtë njëri-tjetrit? Jo, por ata vetë janë popull që e kanë tepruar!
51:54. Prandaj shmangu prej atyre; ti nuk do të qortohesh për këtë!
51:55. Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.
51:56. Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.
51:57. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë.
51:58. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.
51:59. Pa dyshim, ata që kanë bërë të këqija, do të kenë pjesën e tyre të dënimit, të ngjashme me pjesën e shokëve të tyre (të mëparshëm) që kanë qenë si ata. Prandaj të mos Më sfidojnë që ta shpejtoj atë.
51:60. Kështu, mjerë mohuesit prej Ditës që u është premtuar!

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free