La ilahe il Allah

2-El-Bekare

 Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

2:1.    Elif, Lâm, Mîm.

2:2.    Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit,

2:3.    të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne;
2:4.    dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.
2:5.    Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.
2:6.    Sa për ata që mohojnë, njësoj është, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove - ata nuk besojnë.
2:7.    Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë; ata i pret një dënim i madh.
2:8.    Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë.
2:9.    Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë.
2:10.    Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre.
2:11.    Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” - ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!”
2:12.    Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.
2:13.    Kur atyre u thuhet: “Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit e tjerë!” - ata thonë: “Vallë, a të besojmë edhe ne ashtu siç besojnë mendjelehtët?!” Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë këtë.
2:14.    Kur takohen me besimtarët, ata thonë “Besojmë” – por, kur mbesin vetëm me djajtë e tyre, thonë: “Në të vërtetë, ne jemi me ju; ne vetëm po talleshim”.
2:15.    Allahu do të tallet me ata dhe do t’i lërë një kohë të gjatë që të bredhin verbërisht në mendjemadhësinë e tyre.
2:16.    Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.
2:17.    Rasti i tyre shëmbëllen me rastin e atyre që ndezin një zjarr dhe, kur ai ua ndriçon ç’kanë rreth vetes, Allahu ua merr dritën, i lë në errësirë dhe ata nuk shohin asgjë!
2:18.    Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, prandaj nuk kthehen në rrugë të drejtë.
2:19.    Ose shëmbëllen me ata që, gjatë shtrëngatës nga qielli, shoqëruar me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, i mbyllin veshët me gishtat e tyre, për të mos dëgjuar ushtimën nga frika e vdekjes. Kështu, Allahu i ka nën kontroll mohuesit.
2:20.    Shkreptima, pothuaj, ua merr shikimin. Sa herë që ajo ua ndriçon rrugën, ata ecin dhe, kur i kaplon errësira, ndalen. Sikur të donte Allahu, do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. Pa dyshim, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
2:21.    O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat);
2:22.    i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.
2:23.    Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë.
2:24.    Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.
2:25.    Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frut i kopshteve, ata do të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”. Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me ato të Tokës. Në Xhenet ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe atje do të jetojnë përgjithmonë.
2:26.    Allahu nuk ngurron të japë shembull mushkonjën ose diçka më të madhe se ajo. Ata që besojnë, e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, kurse ata që nuk besojnë, thonë: “Çfarë kërkon të tregojë Allahu me këtë shembull?” Nëpërmjet tij, Ai shumëkënd e lë në humbje e shumëkujt ia ndriçon rrugën e drejtë. Ai i lë në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj,
2:27.    të cilët shkelin besën e Allahut, pasi e patën dhënë, ndërprejnë atë që ka urdhëruar Allahu për ta mbajtur lidhur dhe bëjnë ngatërresa në Tokë; ata janë njëmend të shkatërruar.
2:28.    Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!
2:29.    Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë. Pastaj, i është drejtuar qiellit dhe e ka rregulluar, duke e bërë atë shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.
2:30.    Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.
2:31.    Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”
2:32.    “Qofsh i lavdëruar! - thanë ata - Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”
2:33.    “O Adem, - tha Ai - ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!”
2:34.    Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.
2:35.    Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”.
2:36.    Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin. “Zbritni - u thamë Ne - do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar”.
2:37.    Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.
2:38.    Ne u thamë: “Zbritni të gjithë prej Xhenetit! Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.
2:39.    Kurse ata që i mohojnë dhe i përgënjeshtrojnë shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të mbesin gjithmonë.”
2:40.    O bijtë e Izraelit, kujtoni të mirat që ju kam falur! Përmbushni premtimin që Më keni dhënë, që edhe Unë të përmbush premtimin që ju kam bërë (për t’ju futur në Xhenet). Vetëm prej Meje duhet të frikësoheni.
2:41.    Besoni në atë (Kuran) që kam zbritur si vërtetues të Shkrimeve tuaja, e mos u bëni mohuesit e parë të tij! Mos i këmbeni shpalljet e Mia me një vlerë të vogël dhe ruhuni vetëm prej Meje!
2:42.    Mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën, dhe të vërtetën mos e fshihni me vetëdije.
2:43.    Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).
2:44.    Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni Shkrimet?! A nuk arsyetoni?
2:45.    Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit,
2:46.    që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.
2:47.    O bijtë e Izraelit! Kujtoni të mirat që ju kam dhënë dhe që ju kam ngritur mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).
2:48.    Frikësojuni Ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd dhe, kur prej askujt nuk do të pranohet as ndërmjetësim, as shpërblesë e as që do të ndihmoheni.
2:49.    Kujtoni se si ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju shtypte mizorisht: jua therte djemtë e jua linte të gjalla femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju - nga Zoti juaj.
2:50.    Kujtoni se si e çamë detin e ju shpëtuam, ndërsa në praninë tuaj i fundosëm njerëzit e Faraonit.
2:51.    Kujtoni kur i caktuam Musait dyzet net (për takimin me të), e pastaj ju adhuruat viçin, duke vepruar si keqbërës!
2:52.    Pastaj Ne ju falëm, që të bëheni mirënjohës.
2:53.    Kujtoni kur Musait i dhamë Librin dhe Dalluesin, që të udhëzoheni (në rrugën e drejtë)
2:54.    dhe, kur ai i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti”.
2:55.    Kujtoni kur i thatë Musait: “O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!”. Atëherë një rrufe ju goditi, ndërsa ishit duke parë.
2:56.    Pas vdekjes suaj, Ne ju ringjallëm, që të bëheni falënderues.
2:57.    Pastaj bëmë që retë t’ju bënin hije dhe ju zbritëm manën dhe thëllëza, duke thënë: “Hani nga ushqimet e mira, që ju kemi dhënë!” (Ata nuk ishin mirënjohës dhe kështu) nuk na bënë keq Neve, por i bënë keq vetes.
2:58.    Kujtoni kur thamë: “Hyni në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por, duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna!” që Ne t’jua falim gabimet. Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne ua shtojmë shpërblimin”
2:59.    Por keqbërësit e ndryshuan fjalën që iu tha me një fjalë tjetër, prandaj Ne u sollëm atyre që bënë (këtë) padrejtësi një dënim nga qielli për mosbindjen e tyre.
2:60.    Kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij, Ne i thamë: “Bjeri gurit me shkopin tënd!” Atëherë, nga ai shpërthyen dymbëdhjetë burime, dhe çdo fis e dinte burimin e vet. Ne thamë: “Hani e pini prej begative të Allahut dhe mos bëni të këqija e mbrapshti në Tokë!”.
2:61.    Kujtoni kur i thatë: “O Musa! Ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi, prandaj lutju për ne Zotit tënd të na dhurojë nga ato që jep toka: perime, tranguj, thjerrëza, qepë dhe hudhra!” Ai ju tha: “Vërtet doni të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?! Shkoni në qytet, atje do të gjeni atë që kërkoni!” Ata i kaploi poshtërimi dhe përulja dhe merituan zemërimin e Allahut. Kjo ndodhi, sepse ata i mohonin shpalljet e Allahut dhe i vrisnin të dërguarit pa asnjë të drejtë. Kjo ndodhi, sepse ata kundërshtonin dhe kalonin çdo kufi.
2:62.    Ata që besojnë (në Kuran), hebrenjtë, të krishterët dhe sabi’inët - kushdo prej tyre që beson Allahun dhe jetën tjetër (sipas Kuranit), dhe bën vepra të mira (sipas Islamit), do të shpërblehen nga Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo të pikëllohen!
2:63.    Kujtoni (o hebrenj) kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin Tur, duke thënë: “Merreni seriozisht atë që ju dhamë dhe mbani në mendje rregullat e saj, në mënyrë që të ruheni nga gjynahet!”
2:64.    Por më pas, ju i kthyet shpinën (besëlidhjes) dhe, sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, do të ishit të humbur.
2:65.    Sigurisht që ju keni dëgjuar për ata prej jush që shkelën Sabatin dhe të cilëve Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”.
2:66.    Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që i frikësohen Allahut.
2:67.    Kujto kur Musai i tha kombit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” Ata thanë: “A do të tallesh me ne?” - “Zoti më ruajt!” - tha Musai - “të bëhem unë nga të paditurit!”.
2:68.    Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë si duhet të jetë ajo!” Musai tha: “Ajo të jetë një lopë as plakë, as e re, por e mesme; pra, bëni atë që ju është urdhëruar!”
2:69.    Ata thanë: “Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!” Musai tha: “Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit”.
2:70.    Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë lloji të jetë, sepse lopët të gjitha na duken njësoj e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë”.
2:71.    Musai tha: “Ai thotë se lopa s’duhet të jetë e lodhur nga lërimi apo nga ujitja e tokës, por të jetë e shëndoshë dhe pa asnjë të metë”. Ata thanë: “Tani na the të vërtetën”. Kështu, ata e therën lopën, por desh e lanë pa flijuar.
2:72.    Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju.
2:73.    Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!” Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni.
2:74.    Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.
2:75.    Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!
2:76.    Kur takohen me besimtarët, ata thonë: “Ne besojmë”, e kur ngelin vetëm me njëri-tjetrin, ata thonë: “A u tregoni atyre, atë që ua ka shpallur Allahu (në Teurat), për ta përdorur si argument kundër jush te Zoti juaj? A nuk po mendoni?”
2:77.    A nuk e dinë ata se Allahu di çfarë fshehin dhe çfarë shpallin?!
2:78.    Disa prej atyre janë analfabetë, nuk e njohin Librin, përveç disa trillimeve dhe flasin vetëm me hamendje.
2:79.    Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: “Kjo është prej Allahut” që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar!
2:80.    Ata thonë: “Zjarri do të na prekë vetëm ca ditë të numëruara”. Thuaju (o Muhamed): “A keni marrë për këtë ndonjë zotim prej Allahut, kështu që Ai nuk do ta shkelë kurrë zotimin e vet (dhe do t’ju dënojë pak) apo po shpifni kundër Allahut gjëra që nuk i dini?”
2:81.    Nuk është kështu si thoni ju! Ata që bëjnë vepra të këqija dhe mbulohen nga fajet e veta, do të jenë banorë të Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
2:82.    Kurse ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
2:83.    Kujtoni kur Ne morëm besën tuaj, o bijtë e Izraelit, se do të adhuroni vetëm Allahun, do të silleni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët dhe të varfrit, do t’u thoni fjalë të mira njerëzve, do të falni namazin e do të jepni zeqatin. Mirëpo, më pas, ju ia kthyet shpinën (besëlidhjes), përveç një pakice prej jush, duke iu shmangur (edhe tani).
2:84.    Dhe kujtoni kur nga ju morëm besën që të mos derdhni gjakun e njëri-tjetrit dhe që të mos e dëboni njëri-tjetrin nga banesat tuaja! Ju e pranuat këtë dhe dolët dëshmitarë.
2:85.    Mirëpo ja tek jeni, duke vrarë farefisin tuaj, duke i dëbuar disa syresh nga shtëpitë e veta dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin kundër tyre, fajësisht dhe armiqësisht. Dhe, kur ju vijnë të robëruar, ju i shpëtoni nga robëria me të holla, ndërkohë që me marrëveshje e keni të ndaluar t’i dëboni. Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.
2:86.    Këta janë ata që jetën e kësaj bote e kanë blerë me jetën e ardhshme. Atyre nuk do t’u lehtësohet dënimi dhe askush nuk do t’u vijë në ndihmë.
2:87.    Ne i dhamë Musait Librin dhe pas tij çuam të dërguarit njërin pas tjetrit. Ne i dhamë Isait, të birit të Merjemes, mrekulli të qarta dhe e mbështetëm atë me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.). Sa herë që ndonjë i dërguar ju sillte atë që nuk ju pëlqente, ju kapardiseshit, prandaj disa i quajtët gënjeshtarë e disa i vratë.
2:88.    Ata thonë: “Zemrat tona janë të vulosura”. Jo, s’është ashtu, por ata i ka mallkuar Allahu për shkak të mohimit të tyre, prandaj shumë pak prej tyre besojnë.
2:89.    Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë! Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!
2:90.    Ata e shitën veten keq, kur nuk besuan në atë që shpalli Allahu, nga zilia se Allahu ia zbret shpalljen kujt të dëshirojë nga robtë e Vet. Dhe kështu tërhoqën mbi vete zemërim përmbi zemërim! Sigurisht që mohuesit i pret një dënim poshtërues.
2:91.    Kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që ka shpallur Allahu!” ata përgjigjen: “Ne besojmë në atë që na është shpallur neve”, duke mos besuar në atë që është zbritur më pas, ndonëse ajo është e Vërteta që pohon Shkrimet e tyre. Thuaju atyre: “Nëse ishit besimtarë, përse i vratë profetët e Allahut, atëherë kur ju erdhën?!”
2:92.    Musai ju solli shenja të qarta, por gjatë mungesës së tij, ju adhuruat viçin si zot, prandaj u bëtë fajtorë të mëdhenj.
2:93.    Kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, thamë: “Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni!” Ju thatë: “Ne dëgjuam, por kundërshtojmë!” Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin. Thuaju: “Nëse jeni vërtet besimtarë, sa gjë të keqe po ju urdhëruaka besimi juaj!”
2:94.    Thuaju: “Nëse Shtëpia e jetës së përtejme (Xheneti) tek Allahu është vetëm për ju e jo për njerëzit e tjerë, atëherë kërkoni vdekjen, nëse ajo që thoni është e vërtetë”.
2:95.    Por ata kurrsesi nuk e dëshirojnë vdekjen për shkak të të këqijave që kanë bërë! Allahu i njeh mirë keqbërësit.
2:96.    Dhe, vërtet, do t’i gjesh ata më lakmues për të jetuar sesa njerëzit e tjerë, madje, edhe se paganët. Secili nga ata dëshiron të jetojë njëmijë vjet; por edhe nëse jeton aq, nuk do të mund t’i ikë dënimit! Allahu i sheh punët e tyre të këqija.
2:97.    Thuaju (o Muhamed) atyre që janë armiq të Xhebrailit, se ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut, si vërtetues të librave të shenjtë të mëparshëm dhe si udhërrëfyes e lajm të mirë për besimtarët.
2:98.    Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhebrailit dhe Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve.
2:99.    Ne të kemi zbritur ty shpallje e shenja të qarta, të cilave vetëm njerëzit e këqij nuk duan t’u besojnë.
2:100.    A thua çdoherë që japin ndonjë premtim, disa prej tyre e flakin tej atë? Jo, por shumica e tyre nuk besojnë.
2:101.    Tani që atyre u erdhi një i Dërguar nga Allahu, vërtetues i Shkrimeve që kanë me vete, një grup prej atyre, të cilëve iu dhanë Shkrimet, e hodhën pas shpine Librin e Allahut, gjoja se nuk dinin gjë për atë.
2:102.    dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni - Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!
2:103.    Sikur ata të besonin dhe të ruheshin (nga gjynahet), shpërblimi i Allahut do të ishte më i mirë. Ah, sikur ta dinin ata!
2:104.    O besimtarë! Mos thoni: “Rá‘iná”, por thoni: “Undhurná! - “Na shiko!” dhe dëgjoni! Për mohuesit ka dënim pikëllues.
2:105.    Ata që mohojnë, si ithtarët e Librit, ashtu edhe paganët, nuk dëshirojnë që t’ju zbresë ndonjë e mirë nga Zoti juaj. Por Allahu ia dhuron mëshirën e Vet kujt të dojë. Allahu zotëron mirësi të madhe.
2:106.    Për çdo varg (Kurani) që Ne e shfuqizojmë apo që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të. A nuk e di ti se Allahu është i Fuqishëm për (të bërë) çdo gjë?!
2:107.    A nuk e di ti se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës? Përveç Allahut ju nuk keni tjetër mbrojtës e as ndihmës.
2:108.    A mos doni të pyesni të Dërguarin tuaj, ashtu siç u pyet Musai më parë? Cilido që e ndërron besimin me mohim, pa dyshim që e ka humbur rrugën e drejtë.
2:109.    Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
2:110.    Faleni namazin dhe jepeni zeqatin! Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj, do ta gjeni tek Allahu. Në të vërtetë, Ai sheh mirë gjithçka që bëni.
2:111.    Ata thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet, përveç hebrenjve ose të krishterëve”. Këto janë dëshirat e tyre boshe! Thuaju (o Muhamed): “Nëse është e vërtetë ajo që thoni, atëherë sillni provën tuaj!”
2:112.    Vërtet, ata që i përulen Allahut dhe bëjnë vepra të mira, do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.
2:113.    Hebrenjtë thonë: “Të krishterët nuk kanë kurrfarë udhërrëfimi ku të mbështeten!” Edhe të krishterët thonë: “Hebrenjtë nuk kanë kurrfarë urdhërrëfimi ku të mbështeten!” Ndërkohë, të dyja palët lexojnë të njëjtin Libër. Po kështu, edhe ata që nuk dinë, thonë të njëjtat fjalë. Allahu do t’i gjykojë kundërshtitë e tyre në Ditën e Kiametit.
2:114.    Kush është më fajtor se ai që pengon të përmendet nëpër xhamitë e Allahut Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre?! Ata nuk duhet të hyjnë në to, përveçse të frikësuar. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër dënim të madh.
2:115.    Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni është Fytyra (ana) e Allahut. Vërtet, Allahu është Gjithëpërfshirës dhe i Gjithëdijshëm.
2:116.    Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë”. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka.
2:117.    Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.
2:118.    Kurse të paditurit thonë: “Përse Allahu nuk flet me ne ose së paku të na sillte ndonjë shenjë!” Njësoj thonin edhe ata para tyre; zemrat e tyre i përngjajnë njëra-tjetrës! Ndërkohë, Ne ua kemi treguar qartë shenjat Tona atyre që besojnë bindshëm.
2:119.    Njëmend, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; ti nuk do të pyetesh për banorët e Zjarrit flakërues.
2:120.    As hebrenjtë, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa të pranosh besimin e tyre. Thuaju: “Vetëm udhërrëfimi i Allahut është i drejtë!” E, në qoftë se pas diturisë që të ka zbritur, ti ndjek dëshirën e atyre, atëherë askush nuk do të të ndihmonte apo mbronte nga dënimi i Allahut.
2:121.    Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, ata besojnë vërtet në të. Kurse ata që nuk besojnë në të, pa dyshim, janë të humbur.
2:122.    O bijtë e Izraelit, kujtoni të mirat që ju dhashë dhe që ju ngrita mbi gjithë njerëzit e tjerë (të asaj kohe)!
2:123.    Frikësojuni Ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd dhe, kur prej askujt, nuk do të pranohet as ndërmjetësim, as shpërblesë dhe as që do të ndihmoheni.
2:124.    Kur Allahu e provoi Ibrahimin me disa urdhërime, të cilat ai i plotësoi, Allahu i tha: “Unë do të të bëj ty imam (prijës) të njerëzve!” - “Po pasardhësit e mi?” - pyeti ai. Allahu tha: “Premtimi Im nuk i përfshin të padrejtët.”
2:125.    Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”.
2:126.    Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!
2:127.    Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!
2:128.    O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!
2:129.    O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”
2:130.    Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët.
2:131.    Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!” - ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të gjithësisë!”
2:132.    Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!”
2:133.    A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” - Ata u përgjigjën: “Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!”
2:134.    Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni e nuk do të pyeteni për veprat e tyre.
2:135.    Ata thonë: “Bëhuni hebrenj ose të krishterë, që të jeni në rrugë të drejtë!” Thuaju: “Në asnjë mënyrë. Ne jemi të fesë së pastër të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë idhujtar”.
2:136.    Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi”.
2:137.    Nëse ata besojnë në atë që besoni edhe ju, atëherë janë në rrugën e drejtë. E, nëse ia kthejnë shpinën asaj, atëherë sigurisht që do të përçahen. Por Allahu të mjafton ty (Muhamed si mbrojtës) kundër atyre. Ai i dëgjon dhe i di të gjitha.
2:138.    Thoni: “Kjo fe është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!”
2:139.    Thuaj: “A mos doni të haheni me ne për Allahun, kur Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj?! Ne jemi përgjegjës për veprat tona, kurse ju për tuajat. Ne vetëm Atij i përkushtohemi.”
2:140.    A po thoni se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe Esbatët kanë qenë çifutë (me fe), ose të krishterë? Thuaju: “A e dini më mirë ju apo Allahu? Kush është më keqbërës se ai që fsheh të vërtetën e ardhur prej Allahut? Por Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprave që punoni ju”.
2:141.    Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni e nuk do të pyeteni për veprat e tyre.
2:142.    Disa mendjelehtë (nga ithtarët e Librit) do të thonë: “Ç’i ktheu ata prej kiblës së tyre?” Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë”.
2:143.    Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju. Ne nuk e kemi bërë kthimin tënd nga Qabeja (o Muhamed) për tjetër arsye, por vetëm për t’i dalluar ata që i shkojnë pas të Dërguarit, nga ata që kthehen nga thembrat (që tërhiqen nga besimi tek ai). Kjo provë ka qenë e rëndë (për njerëzit), por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar. Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj (d.m.th. namazin që keni falur nga Kudsi). Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit.
2:144.    Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë! Pa dyshim, ata që u është dhënë Libri (Teurati), e dinë se drejtimi nga Qabeja është e vërteta prej Zotit të tyre. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që ata bëjnë.
2:145.    Edhe sikur t’u sillje të gjitha provat atyre që u është dhënë Libri, ata prapëseprapë nuk do ta pranonin kiblën tënde, por edhe ti nuk do ta pranosh kiblën e tyre dhe askush nga ata nuk do të pranonte kiblën e njëri-tjetrit. E, nëse ti, pasi të është zbritur dituria, do të ndiqje dëshirat e tyre, atëherë pa dyshim që do të ishe një nga keqbërësit.
2:146.    Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Profetin a.s.), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.
2:147.    E vërteta është prej Zotit Tënd; pra, kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë.
2:148.    Çdokush ka një drejtim nga i cili kthehet. Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira. Kudo që të gjendeni, Allahu do t’ju mbledhë të gjithëve; Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.
2:149.    Nga cilido vend që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë. Kjo është e vërteta që vjen nga Zoti yt. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që ju bëni.
2:150.    Nga cilido vend që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë. Kudo që të ndodheni, ktheni fytyrat tuaja nga ajo anë, që njerëzia të mos ketë ç’të thotë kundër jush, përveç keqbërësve - por atyre mos iu frikësoni, frikësohuni vetëm prej Meje -, që të plotësoj mirësinë Time ndaj jush dhe që ju të shkoni në udhë të drejtë.
2:151.    Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur.
2:152.    Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!
2:153.    O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.
2:154.    Dhe mos thoni për ata që vriten në rrugën e Allahut se janë të vdekur! Jo! Ata janë të gjallë, ndonëse ju nuk e ndjeni!
2:155.    Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit,
2:156.    të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”
2:157.    Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!
2:158.    Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.
2:159.    Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë.
2:160.    Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.
2:161.    Ata që nuk besojnë dhe vdesin duke qenë jobesimtarë, do të mallkohen nga Allahu, engjëjt dhe të gjithë njerëzit.
2:162.    Ata do të jenë gjithmonë të mallkuar, nuk do t’u lehtësohet dënimi dhe nuk do t’u jepet afat.
2:163.    Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
2:164.    Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.
2:165.    E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër.
2:166.    Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.
2:167.    Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata, ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.
2:168.    O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.
2:169.    Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini.
2:170.    Kur atyre u thuhet: “Ndiqni atë që ka shpallur Allahu!” ata përgjigjen: “Jo! Ne do të ndjekim atë udhë në të cilën i kemi gjetur të parët tanë” - Vallë, edhe atëherë kur të parët e tyre nuk kuptonin gjë e nuk ishin të udhëzuar?!
2:171.    Mohuesit i shëmbëllejnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm thirrje e zë, por s’kuptojnë asgjë. Ata janë të shurdhër, memecë dhe të verbër e nuk kuptojnë asgjë.
2:172.    O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!
2:173.    Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
2:174.    Pa dyshim, ata që fshehin çfarë ka shpallur Allahu në Libër dhe e këmbejnë atë me diçka tjetër të pavlerë, do të gëlltisin në barkun e tyre vetëm zjarr. Në ditën e Kiametit, Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i pastrojë (nga gjynahet) dhe do t’u japë dënim të dhembshëm.
2:175.    Ata e kanë këmbyer rrugën e drejtë me humbjen dhe faljen e Zotit me dënimin e Tij. Po sa të durueshëm do të jenë në zjarr?!
2:176.    Kjo është kështu, sepse Allahu e ka zbritur Librin me të vërtetën. Sigurisht, ata që nuk pajtohen rreth tij, janë të përçarë dhe larg së vërtetës.
2:177.    Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.
2:178.    O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm.
2:179.    Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!
2:180.    Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë të lërë testamentin në mënyrë të drejtë për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm.
2:181.    Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i rëndë për ata që e ndryshojnë! Sigurisht që Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.
2:182.    Kush i trembet ndonjë gabimi apo padrejtësie nga ana e lënësit të testamentit dhe e ndreq atë, ta dijë se nuk bën gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
2:183.    O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.
2:184.    Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.
2:185.    Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.
2:186.    Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.
2:187.    Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat.
2:188.    Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit.
2:189.    Të pyesin ty (o Muhamed) për hënat e reja; thuaju: “Ato janë për njerëzit shenja përcaktuese të kohës dhe të haxhillëkut”. Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!
2:190.    Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.
2:191.    Vritini ata kudo që t’i gjeni dhe dëbojini prej vendeve, ashtu siç ju dëbuan ata ju. Mosbesimi është më i rëndë se vrasja. Mos luftoni me ata pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabesë), përveç rastit kur ata ju sulmojnë aty brenda! E, nëse ata luftojnë me ju aty, atëherë vritini ata! I këtillë duhet të jetë ndëshkimi për jobesimtarët.
2:192.    Por, në qoftë se ata heqin dorë, atëherë Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.
2:193.    Luftojini ata derisa të zhduket mosbesimi dhe deri sa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve.
2:194.    Shkelja e muajit të shenjtë do të shpaguhet me shkelje të muajit të shenjtë, por dhe shkelja e të shenjtave do të ndëshkohet në të njëjtën mënyrë. Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi ju! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.
2:195.    Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.
2:196.    Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend! Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk banojnë në Mekë. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër.
2:197.    Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!
2:198.    Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur!
2:199.    Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
2:200.    Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër.
2:201.    Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”
2:202.    Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari.
2:203.    Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!
2:204.    Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar.
2:205.    E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.
2:206.    Kur atij i thuhet “Kije frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai vend!
2:207.    Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robtë e Vet.
2:208.    O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar.
2:209.    E, nëse i shmangeni së drejtës, pasi ju kanë ardhur prova të qarta, atëherë dijeni se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
2:210.    E ç’presin tjetër ata, që t’u vijë Allahu përmes hijeve të reve bashkë me engjëjt?! Atëherë merr fund puna! Tek Allahu kthehen të gjitha punët.
2:211.    Pyeti bijtë e Izraelit: sa shenja të qarta u kemi dërguar Ne atyre? Ata që mohojnë të mirat e Allahut, pasi u janë dërguar, do të dënohen. Vërtet, Allahu është i rreptë në ndëshkim.
2:212.    Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata - në Ditën e Kiametit. Allahu begaton pa kufi kë të dojë.
2:213.    Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin. Mirëpo, njerëzit u grindën midis tyre, pasi u erdhën shenjat e qarta, nga zilia që kishin për njëri-tjetrin. Atëherë, me vullnetin e Vet, Allahu i udhëzoi besimtarët që ta kuptonin të vërtetën, lidhur me çështjet për të cilat të tjerët nuk pajtoheshin. Allahu shpie në udhë të drejtë kë të dojë.
2:214.    Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!
2:215.    Të pyesin ty çfarë të japin si lëmoshë. Thuaju: “Çfarëdo bamirësie që bëni, ajo le t’u takojë prindërve, farefisit, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve. Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di atë”.
2:216.    Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.
2:217.    Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Luftimi në atë kohë është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve prej udhës së Allahut, mohimi i Tij, pengimi i njerëzve nga vizita e Xhamisë së Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë gjynah më i madh tek Allahu. Kurse adhurimi i idhujve është gjynah më i madh se vrasja.” Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, - veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
2:218.    Vërtet, ata që besuan dhe ata që mërguan e luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
2:219.    Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”. Të pyesin se çfarë duhet të japin si lëmoshë. Thuaju: “Tepricën!” Ja, kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij, që të mund të mendoni.
2:220.    për këtë jetë dhe për jetën tjetër. Të pyesin ty për jetimët, thuaju: “T’u bëni mirë atyre është vepër e bukur. Nëse jetoni bashkë me ata, dijeni se janë vëllezërit tuaj. Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. Sikur të donte Allahu, do t’ju detyronte me punë të vështira. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
2:221.    Mos u martoni me paganet, gjersa të bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se pagania, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni myslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve). Ai ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të mendojnë ata.
2:222.    Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme.” Prandaj, gjatë kësaj kohe, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu. Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.
2:223.    Gratë tuaja janë “ara” për ju, prandaj iu afroni “arave” tuaja si të doni. Por bëni diçka (të mirë) për veten tuaj (duke përmendur emrin e Allahut para kontaktit). Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).
2:224.    Mos e bëni pengesë betimin në Allahun për kryerjen e veprave të mira, largimin prej të ligave dhe për pajtimin e njerëzve! Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.
2:225.    Allahu nuk ju dënon nëse betoheni pa qëllim, por ju dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja. Allahu është Falës i madh e i Butë.
2:226.    Ata që betohen se nuk do t’u afrohen grave të veta, duhet të presin katër muaj; nëse pendohen nga betimi, ta dinë se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
2:227.    E, nëse vendosin të ndahen, vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.
2:228.    Gratë e ndara duhet të presin tri cikle mujore dhe nuk është e lejueshme ta fshehin atë që ka krijuar Allahu në mitrën e tyre, nëse besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit. Burrat e tyre, nëse dëshirojnë mirësi dhe qetësi, kanë të drejtë t’i kthejnë gjatë këtij afati. Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
2:229.    Ndarja mund të bëhet dy herë. Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë. Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që iu kanë dhënë atyre, vetëm nëse të dyja palët frikësohen se nuk do t’i zbatojnë kufijtë e Allahut. Pra, nëse të dy frikësohen se nuk do të mund t’u përmbahen kufijve të Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit (për t’u ndarë nga ai). Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë keqbërësit.
2:230.    Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan (për të tretën herë), nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Por, në qoftë se gruaja ndahet rregullisht nga burri i dytë, atëherë nuk kanë gjynah as ajo e as burri i parë që të martohen sërish me njëri-tjetrin, nëse mendojnë se do t’i respektojnë kufijtë e Allahut; këto janë urdhrat e Allahut, që Ai ua shpjegon njerëzve që kuptojnë.
2:231.    Kur t’i ndani gratë dhe atyre t’u afrohet fundi i periudhës së pritjes, ose mbajini me të mirë, ose lërini të ikin me të mirë. Dhe mos i mbani ato me qëllim lëndimi, se në këtë mënyrë i bëni padrejtësi vetes. Mos luani me shpalljet e Allahut! Kujtoni begatitë që ju ka dhënë Ai, si dhe Librin (Kuranin) dhe diturinë e hollësishme, që jua ka zbritur për t’ju këshilluar. Kini frikë Allahun dhe ta dini se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!
2:232.    Kur t’i lini gratë të lira dhe ato të kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre, nëse merren vesh me të mirë. Kështu këshillohet çdokush prej jush që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo është më e ndershme dhe më e virtytshme. Allahu di, kurse ju nuk dini.
2:233.    Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Edhe trashëgimtari ka të njëjtat detyrime për të gjitha këto. Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata. Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë, me kusht që t’ia jepni atë që e keni menduar, sipas rregullave. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju.
2:234.    Gratë të cilave iu vdes burri, duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë (pas vdekjes së tij). Pas kalimit të këtij afati, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë ato me jetën e tyre sipas rregullave. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.
2:235.    Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t’i kërkoni apo nëse këtë qëllim e fshihni në shpirtin tuaj. Allahu e di se do të mendoni për ato, por mos u premtoni atyre fshehurazi, vetëm nëse bisedoni me to ndershmërisht. Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes. Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij. Dhe ta dini se Allahu është Falës i madh dhe i Butë.
2:236.    Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se të caktoni shumën e dhuratës martesore (që do t’u jepni). Por u jepni dhuratë të pëlqyeshme: i pasuri sipas gjendjes së tij dhe i vobekti sipas gjendjes së vet. Kjo është detyrë e atyre që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira.
2:237.    Në qoftë se i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar shumën e dhuratës martesore, atëherë atyre u përket gjysma e dhuratës, veç nëse ua falin ato ose ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës. Por që të falni është më pranë devotshmërisë. Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush! Vërtet, Allahu e sheh mirë se çfarë bëni.
2:238.    Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.
2:239.    Nëse keni frikë, faluni duke qenë në këmbë ose hipur (mbi kalë)! Kur të jeni të sigurtë, atëherë t’i kryeni faljet për Allahun, ashtu si ju ka mësuar Ai atë që nuk e keni ditur!
2:240.    Ata prej jush, të cilëve iu është afruar vdekja dhe kanë gra për të lënë pas, duhet t’u lënë atyre në testament mjetet për të jetuar një vit, pa i bërë që të dalin nga shtëpia. Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre sipas rregullave. Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.
2:241.    Grave të ndara u takon sigurimi i caktuar i shpenzimeve të jetesës. Kjo është detyrë e besimtarëve.
2:242.    Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Veta, në mënyrë që të kuptoni.
2:243.    Mendo (o Muhamed) për ata që me mijëra ikën nga qytetet e tyre nga frika e vdekjes. Allahu u tha atyre “Vdisni!” pastaj, i ringjalli ata. Vërtet, Allahu zotëron mirësi të mëdha për njerëzit, por shumica e tyre nuk e falënderojnë.
2:244.    Luftoni në rrugën e Allahut dhe ta dini se Allahu i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.
2:245.    Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish? Allahu e shtrëngon (riskun) dhe e liron; tek Ai do të ktheheni.
2:246.    A nuk e ke dëgjuar ti (o Muhamed) se çfarë i tha paria e bijve të Izraelit, pas Musait, një profeti të tyre? I tha: “Na dërgo një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!” - Profeti u tha: “Po sikur të mos luftoni kur të shpallet lufta?” Ata thanë: “E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!” Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata nuk luftuan, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit.
2:247.    Profeti i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”
2:248.    Profeti u tha atyre: “Shenjë e sundimit të tij është ardhja e Arkës. Aty ka qetësi për ju nga Zoti juaj dhe relike të lëna nga familja e Musait dhe Harunit. Atë e bartin engjëjt. Sigurisht që kjo është një shenjë për ju, nëse jeni besimtarë!”
2:249.    Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: “Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im”. Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit”.
2:250.    Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: “Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!”
2:251.    Me ndihmën e Allahut, ata i thyen armiqtë dhe Dauti e vrau Xhalutin. Allahu i dha atij pushtetin dhe Profecinë dhe i mësoi dituritë që deshi. Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta.
2:252.    Këto janë shpalljet e Allahut. Ne t’i lexojmë ty (Muhamed) ato me të vërtetën, sepse, pa dyshim, ti je një prej të dërguarve Tanë.
2:253.    Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.). Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.
2:254.    O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.
2:255.    Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!
2:256.    S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.
2:257.    Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë. Këta janë banorët e Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
2:258.    A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” - ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.
2:259.    Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?” - Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. - “Jo” - i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!”
2:260.    Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” - “Besoj” - iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” Allahu i tha: “Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”
2:261.    Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.
2:262.    Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, pa e përcjellë atë me përgojim apo fyerje, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.
2:263.    Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë (nuk nxiton në dënime).
2:264.    O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar të mbuluar me dhé, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.
2:265.    Ata që shpenzojnë pasurinë e vet, për të kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe që e forcojnë veten me punë të mira, shëmbëllejnë me një kopsht të mbjellë në rrafshnaltë, në të cilin bie shi i bollshëm, andaj jep fruta dyfish. Nëse nuk i bie shi i bollshëm, i bie shi i imët që i mjafton. Allahu i sheh mirë punët që bëni ju.
2:266.    A dëshiron ndonjëri nga ju që, duke qenë i moshuar e me fëmijë të mitur e të pambrojtur, kopshti i tij plot palma hurmash, vreshta e gjithfarë lloje frutash dhe i ujitur nga lumenj rrjedhës, të digjet nga një stuhi zjarri?! Ja, kështu Allahu jua shpjegon shpalljet e Tij, me qëllim që të mendoni.
2:267.    O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni fituar dhe nga ato që jua kemi nxjerrë Ne nga frytet e tokës. Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj e të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe veçse symbyllur. Ta dini se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lëvdatë.
2:268.    Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.
2:269.    Ai ia jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur.
2:270.    Çfarëdo gjëje që të jepni dhe çdo betim që të bëni, me siguri që Allahu ka dijeni për atë! Keqbërësit nuk do të kenë askënd që t’i ndihmojë.
2:271.    T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.
2:272.    Ti (Muhamed) nuk e ke për detyrë t’i udhëzosh ata në rrugë të drejtë, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë. Çfarëdo të mire që të jepni, është në dobinë juaj, nëse ju këtë e bëni vetëm për hir të Allahut! Çfarëdo që të jepni nga të mirat, do t’ju rikthehet e plotë dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.
2:273.    (Lëmosha) u takon të varfërve, të cilët kanë hyrë në rrugën e Zotit e nuk janë në gjendje të udhëtojnë (për të fituar). Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin. Do t’i njohësh nga pamja e tyre. Ata nuk i mërzisin njerëzit duke lypur. E çdo gjë që shpenzoni prej të mirave, Allahu i di ato.
2:274.    Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.
2:275.    Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria. Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
2:276.    Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues - gjynahqarë.
2:277.    Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.
2:278.    O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.
2:279.    Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.
2:280.    Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.
2:281.    Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.
2:282.    O besimtarë! Shkruajeni huan që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush; asnjë shkrues të mos ngurrojë që ta shënojë ashtu siç e ka mësuar Allahu. Ai le të shënojë, kurse borxhliu le të diktojë dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet, duke mos lënë mangët asgjë nga borxhi! Në qoftë se borxhliu është mendjelehtë ose i mitur, ose i tillë që nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë saktësisht kujdestari i tij. Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të kundërshtojnë kurdo që të thirren. Mos e lini pa e shënuar borxhin, qoftë i vogël apo i madh, duke shënuar edhe afatin e pagimit. Kjo mënyrë është më e drejtë para Allahut, më e saktë për dëshmi dhe më e përshtatshme për të mos dyshuar. Por, nëse është fjala për mallin që qarkullon nga dora në dorë, atëherë nuk do të keni gjynah nëse nuk e shënoni atë. Thirrni dëshmitarë edhe kur të lidhni kontrata për shitblerje dhe të mos dëmtohet as shkruesi, as dëshmitari. Nëse bëni të kundërtën, atëherë keni bërë gjynah, prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju; Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.
2:283.    Nëse jeni në udhëtim e nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng. Dhe, nëse njëri prej jush ka besim tek tjetri, atëherë borxhliu le ta kthejë atë që i është besuar dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet. Mos e fshihni dëshminë, se, kush e fsheh atë, zemra e tij është gjynahqare. Allahu di çdo gjë që punoni ju.
2:284.    Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
2:285.    I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!”
2:286.    Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”