La ilahe il Allah

31-Lukman

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

31:1.    Elif, Lâm, Mîm.
31:2.    Këto janë vargje të Librit plot Urtësi,
31:3.    udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët,
31:4.    që kryejnë namazin, japin zeqatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër.
31:5.    Këta janë udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm këta janë të shpëtuar.
31:6.    Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues.
31:7.    Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm.
31:8.    Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të gjenden në kopshtet e dhuntisë,
31:9.    në të cilat do të qëndrojnë përherë. Premtimi i Allahut është i vërtetë; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
31:10.    Ai i ka krijuar qiejt pa shtylla të dukshme, ka vënë male të palëvizshme në Tokë, që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne e zbresim ujin nga qielli dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj (bime) i mirë.
31:11.    Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? Asgjë, por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë.
31:12.    Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): “Falënderoje Allahun! Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”.
31:13.    (Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”.
31:14.    Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”.
31:15.    Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.
31:16.    “O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.
31:17.    O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!
31:18.    Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!
31:19.    Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”!
31:20.    A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.
31:21.    Kur atyre u thuhet: “Ndiqni atë që ju ka shpallur Allahu!”, ata thonë: “Jo, ne ndjekim fenë e të parëve tanë”. Kështu është, edhe pse djalli i thërret ata në dënimin e Zjarrit!
31:22.    Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.
31:23.    Sa për ata që nuk besojnë, ti (o Muhamed), mos u brengos nga mohimi i tyre. Ata do të kthehen te Ne, e Ne do t’i njoftojmë për atë që kanë bërë. Me të vërtetë, Allahu di ç’ka në zemrat e njerëzve.
31:24.    Ne ata do t’i kënaqim përkohësisht (në këtë botë) e pastaj do t’i hedhim në dënimin e ashpër (në botën tjetër).
31:25.    Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, me siguri që do të të thonë: “Allahu!”. Atëherë ti thuaju: “Qoftë lavdëruar Allahu!” Por, shumica e tyre nuk dinë.
31:26.    Allahut i përket gjithçka, që gjendet në qiej dhe në Tokë. Vërtet, Allahu është i Vetëmjaftueshmi dhe i Denji për lavdërim.
31:27.    Sikur të gjithë drurët, që gjenden në Tokë, të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
31:28.    Krijimi dhe ringjallja e ju të gjithëve është njësoj si krijimi i një njeriu të vetëm. Vërtet, Allahu i dëgjon dhe i sheh të gjitha.
31:29.    A nuk shihni se Allahu e kthen natën në ditë dhe ditën në natë, se e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën e secili lëviz për një kohë të caktuar dhe se Allahu e di mirë çfarë punoni ju?!
31:30.    Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij, është e rreme dhe se Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.
31:31.    A nuk e shihni se anijet lundrojnë nëpër det me dhuntinë e Allahut, për t’ju treguar disa nga mrekullitë e Veta? Këto janë vërtet tregues për çdo njeri të duruar dhe mirënjohës.
31:32.    Kur ata i mbulon vala si pëlhurë, e thërrasin Allahun me devotshmëri të çiltër. Por sapo Ai i shpëton, duke i kthyer ata në tokë, një pjesë e tyre lëkunden (ndërmjet besimit dhe mosbesimit). Në të vërtetë, shpalljet dhe mrekullitë Tona i mohojnë vetëm mashtruesit dhe mosmirënjohësit.
31:33.    O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj dhe frikësojuni Ditës, kur prindi nuk do të mund ta ndihmojë aspak fëmijën e vet, e as fëmija nuk do të mund ta ndihmojë sado pak prindin e vet! Premtimi i Allahut është vërtet i sigurt, prandaj mos e lini jetën e kësaj bote t’ju mashtrojë dhe as djallin mos e lini t’ju mashtrojë për Allahun.
31:34.    Pa dyshim, vetëm Allahu e di Orën e caktuar. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në barkun e shtatzënës. Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.



This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free