La ilahe il Allah

89-El-Fexhr

 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

89:1.    Betohem për muzgun e agimit
89:2.    dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!
89:3.    Betohem për çiftin dhe tekun
89:4.    dhe për natën kur largohet!
89:5.    A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!
89:6.    Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad,
89:7.    banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe,
89:8.    të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!
89:9.    Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)?
89:10.    Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)?
89:11.    Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre,
89:12.    duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin,
89:13.    prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit.
89:14.    Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!
89:15.    Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.”
89:16.    Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”.
89:17.    Nuk është kështu! Por ju nuk silleni mirë me jetimët
89:18.    dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit.
89:19.    Trashëgiminë (e të dobtëve) e zhvatni me lakmi të pangopur,
89:20.    dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.
89:21.    Por ani! Kur Toka të bëhet copë e thërrime,
89:22.    kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe,
89:23.    Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua!
89:24.    Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!”
89:25.    Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai,
89:26.    e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!
89:27.    O ti shpirt i qetësuar!
89:28.    Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
89:29.    Bashkohu me robërit e Mi
89:30.    dhe hyr në Xhenetin Tim!