La ilahe il Allah

20-Ta Ha

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

20:1.    Tâ, Hâ.
20:2.    Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar,
20:3.    por që të jetë kujtesë për atë që ka frikë (nga Allahu).
20:4.    Ai është zbritur nga Krijuesi i Tokës e i qiejve të lartë.
20:5.    I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).
20:6.    Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë, si dhe gjithçka që gjendet midis tyre e gjithçka që ndodhet nën tokë.
20:7.    Edhe nëse ti flet me zë të lartë, (është e kotë, sepse) Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta.
20:8.    Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.
20:9.    A e ke dëgjuar historinë e Musait?
20:10.    Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”.
20:11.    Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa!
20:12.    Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë.
20:13.    Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet!
20:14.    Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!
20:15.    Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë.
20:16.    Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje.
20:17.    Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?”
20:18.    Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera.”
20:19.    (Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!”
20:20.    Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej.
20:21.    (Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme.
20:22.    Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër,
20:23.    për të të treguar ty të tjera mrekulli Tonat edhe më të mëdha!
20:24.    Shko te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë”.
20:25.    (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim,
20:26.    lehtësoma punën time,
20:27.    dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime,
20:28.    që ata të kuptojnë fjalën time!
20:29.    Më jep një ndihmës nga familja ime,
20:30.    Harunin, vëllanë tim!
20:31.    Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij
20:32.    dhe bëma ortak në punën time,
20:33.    që të thurim shumë lavde për Ty
20:34.    e të të përmendim Ty vazhdimisht!
20:35.    Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”.
20:36.    (Allahu) tha: “Kërkesa jote u plotësua, o Musa!
20:37.    Edhe më parë, Ne të kemi bërë mirë ty,
20:38.    kur i frymëzuam nënës tënde atë që iu frymëzua:
20:39.    “Vëre atë (foshnjën) në një sënduk e hidhe në lumë! Lumi do ta nxjerrë në breg e atë do ta marrë një armiku Im dhe armiku i tij.” Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.
20:40.    Kur shkoi motra jote e tha: “A doni t’ju tregoj dikë që do të kujdeset për atë?”, Ne të kthyem te nëna jote, që ajo të gëzohej dhe të mos pikëllohej më. Pastaj ti vrave një njeri, por Ne të shpëtuam nga brenga dhe të vumë në sprova të shumta. Ti qëndrove me vite të tëra midis banorëve të Medjenit, pastaj erdhe sipas porosisë së caktuar, o Musa!
20:41.    Unë të kam zgjedhur ty për Vete.
20:42.    Shkoni ti dhe vëllai yt me mrekullitë e Mia dhe mos reshtni së përmenduri Mua!
20:43.    Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë!
20:44.    Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!”
20:45.    Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se ai do të na dënojë menjëherë ose do të ndërkrehet më tepër”.
20:46.    (Allahu) tha: “Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.
20:47.    Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne të kemi sjellë ty një shenjë nga Zoti yt. Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë!
20:48.    Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të godasë këdo, që (i) mohon (shenjat e Allahut) dhe (i) kthen shpinën (të dërguarve të Tij)”.
20:49.    (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”
20:50.    (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”.
20:51.    (Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm”?
20:52.    (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!”
20:53.    Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme.
20:54.    Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.
20:55.    Ne ju kemi krijuar prej tokës, aty do t’ju kthejmë dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.
20:56.    Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha shenjat Tona, por ai i mohoi, nuk pranoi (të besonte)
20:57.    dhe tha: “O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?!
20:58.    Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!”
20:59.    (Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia le të tubohen paradite”.
20:60.    Faraoni u largua, i mblodhi magjistarët e vet e pastaj erdhi.
20:61.    Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!”
20:62.    Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi.
20:63.    Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë.
20:64.    Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!”
20:65.    Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”.
20:66.    Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.
20:67.    Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.
20:68.    Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh!
20:69.    Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet”.
20:70.    Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”.
20:71.    (Faraoni) tha: “Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.”
20:72.    (Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!
20:73.    Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilat na ke detyruar ti. Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi.
20:74.    Atë që i paraqitet Zotit të vet si keqbërës, sigurisht që e pret Xhehenemi, ku as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë.
20:75.    Ndërsa kush paraqitet tek Ai si besimtar e që ka bërë vepra të mira, do të ngrihet në shkallë të larta,
20:76.    në kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të qëndrojnë aty përjetësisht. Ky është shpërblimi për atë që është i dëlirë (nga mosbesimi).”
20:77.    Ne i thamë Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi, hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!”
20:78.    Faraoni i ndoqi ata (bijtë e Izraelit) me ushtrinë e tij, por deti i mbuloi ata me dallgë të mëdha.
20:79.    Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë.
20:80.    O bijtë e Izraelit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, bëmë besëlidhje me ju në anën e djathtë të Turit dhe ju zbritëm manë dhe thëllëza.
20:81.    Hani nga ushqimet e shijshme e të lejuara me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin, përndryshe do t’ju zërë zemërimi Im. Ai, të cilin e zë zemërimi Im, është i humbur!
20:82.    Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.
20:83.    “Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?”
20:84.    (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”.
20:85.    (Allahu) tha: “Ne e vumë në provë popullin tënd gjatë mungesës tënde, e Samiriu i nxori ata nga rruga e drejtë”.
20:86.    Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha: “O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!”
20:87.    Ata u përgjigjën: “Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu,
20:88.    dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste. Atëherë tha: “Ky është zoti juaj dhe zoti Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)!”
20:89.    Vallë, a nuk e shihnin ata, se (viçi) nuk u drejtonte atyre asnjë fjalë dhe nuk ishte në gjendje t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie?
20:90.    Ndërkohë, Haruni u kishte thënë atyre qysh më parë: “O populli im! Kjo është vetëm një provë për ju! Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ndiqmëni mua dhe dëgjoni urdhrin tim!”
20:91.    Ata u përgjigjën: “Ne do t’i lutemi atij, derisa të na kthehet Musai”.
20:92.    (Musai) tha: “O Harun, ç’të pengoi ty, kur i pe ata se kishin humbur,
20:93.    që të vije tek unë?! A mos e kundërshtove urdhrin tim?”
20:94.    (Haruni) tha: “O biri i nënës sime, mos më kap për mjekre e as për koke! Unë kisha frikë se do të thoje: Ke mbjellë përçarje midis bijve të Izraelit e nuk i ke mbajtur porositë e mia”.
20:95.    (Musai) tha: “Si është puna jote, o Samiri?”
20:96.    (Samiriu) u përgjigj: “Unë pashë atë, që ata nuk e panë. Mora një grusht nga gjurmët e të Dërguarit dhe atë e hodha mbi viçin dhe kështu më nxiti vetja (e keqja) ime”.
20:97.    (Musai) tha: “Atëherë ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash: ‘Mos më prekni’. Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij.
20:98.    Në të vërtetë, Zoti juaj është vetëm Allahu; s’ka zot tjetër përveç Tij; dituria e Tij përfshin çdo gjë”.
20:99.    Kështu pra, Ne po të të tregojmë ty (o Muhamed) disa histori të së kaluarës. Ky (Kuran) që të kemi dhënë, është një Këshillë nga ana Jonë.
20:100.    Kush shmanget nga ai, në Ditën e Kiametit do të mbartë ngarkesë të rëndë,
20:101.    që do t’u mbetet përherë. Sa barrë e keqe që do të jetë ajo në Ditën e Kiametit!
20:102.    Ditën, kur do të fryhet në Sur, pikërisht atë Ditë do t’i tubojmë të ligjtë me sy të zgurdulluar,
20:103.    duke i pëshpëritur njëri-tjetrit: “Ju keni qëndruar (në dynja) vetëm dhjetë ditë.”
20:104.    Ne e dimë më mirë se ç’do të thonë ata (në Ditën e Kiametit), kur më i mençuri prej tyre do të thotë: “Ju keni qëndruar vetëm një ditë.”
20:105.    Kur të të pyesin ty (o Muhamed) për malet, thuaj: “Ato do t’i bëjë hi e pluhur Zoti im,
20:106.    ndërsa toka do të bëhet fushë e shkretë,
20:107.    nuk do të shohësh në të as lugina, as brigje.”
20:108.    Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit, pa iu shmangur dot atij dhe do t’i ulin zërat para të Gjithëmëshirshmit. Ti nuk do të dëgjosh tjetër, veç pëshpëritjes.
20:109.    Atë ditë nuk do të bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje i Gjithëmëshirshmi dhe që i është pranuar fjala.
20:110.    Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre, kurse ata nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Allahut.
20:111.    Fytyrat do t’i përulen të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të çdo gjëje dhe, sigurisht, do të humbë ai që do të mbartë padrejtësi.
20:112.    Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.
20:113.    Dhe kështu, Ne e kemi zbritur Kuranin në gjuhën arabe dhe i kemi shpjeguar paralajmërimet, që ata t’ua vënë veshin.
20:114.    I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i Vërtetë! Mos nxito për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë!”
20:115.    Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur.
20:116.    Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk pranoi.
20:117.    Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim!
20:118.    Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur,
20:119.    dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.”
20:120.    Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”
20:121.    Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë).
20:122.    Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi
20:123.    dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.
20:124.    Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.
20:125.    Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?”
20:126.    (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.
20:127.    Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm.
20:128.    A nuk e kanë marrë vesh ata se sa e sa brezni Ne i kemi zhdukur para atyre, aty ku ecin nëpër vendet e tyre sot? Me të vërtetë, në këtë ka tregues për njerëzit e mençur.
20:129.    Sikur të mos ishte një fjalë e mëparshme nga Zoti yt dhe një afat tashmë i caktuar, dënimi i tyre do të ishte shpejtuar.
20:130.    Prandaj duroje (o Muhamed) atë që thonë ata dhe lavdëroje me falënderim Zotin tënd para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij! Lavdëroje Atë edhe në orët e natës, edhe në skajet e ditës, që të mund të kënaqesh.
20:131.    Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë ata në provë! Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më e qëndrueshëm.
20:132.    Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.
20:133.    Ata thonë: “Përse të mos na sjellë ai ndonjë shenjë nga Zoti i tij”? A nuk u erdhi atyre sqarimi për atë që gjendej në shkrimet e lashta?
20:134.    Sikur Ne t’i kishim shkatërruar ata para kësaj, ata, me siguri, do të thoshin: “O Zoti ynë! Sikur të na kishe sjellë një të Dërguar, vërtet që do të kishim ndjekur shpalljet Tuaja, para se të poshtëroheshim dhe turpëroheshim!”
20:135.    Thuaju (o Muhamed): “Të gjithë presin, andaj prisni edhe ju, dhe do ta kuptoni se kush janë ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush është i udhëzuar drejt.”