La ilahe il Allah

39-Ez-Zumer

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

39:1.    Ky Libër është shpallur nga Allahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm!
39:2.    Njëmend, Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën. Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të!
39:3.    Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë. Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë patur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.
39:4.    Sikur të donte Allahu të merrte një bir, Ai do të zgjidhte kë të pëlqente prej krijesave të Veta. Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!
39:5.    Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën për të shpallur të Vërtetën. Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën në natë, Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin për një kohë të caktuar. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh!
39:6.    Ai ju krijoi prej një njeriu të vetëm; pastaj, prej tij krijoi shoqen e tij. Ai ka krijuar për ju tetë çifte bagëtish. Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, fazë pas faze në një errësirë të trefishtë. Ky është Allahu - Zoti juaj; Atij i përket i tërë pushteti; nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që largoheni prej Tij?!
39:7.    Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni. Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Pastaj, do të ktheheni te Zoti juaj e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë, sepse Ai e di vërtet se ç’keni në zemrat tuaja.
39:8.    Kur njeriun e godet një e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu drejtuar me pendesë. E kur atij i vjen një e mirë prej Zotit, ai harron se për çfarë ishte duke u lutur më parë dhe sajon zota të tjerë të barabartë me Allahun, për t’i larguar të tjerët nga rruga e Tij. Thuaj (o Muhamed): “Kënaqu pak me mosbesimin tënd! Ti, me siguri, do të jesh nga banorët e zjarrit!”
39:9.    A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!”
39:10.    Thuaj: “O robër besimtarë (të Allahut), frikësojuni Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, do të kenë të mira. Toka e Allahut është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”.
39:11.    Thuaj: “Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë.
39:12.    Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij.”
39:13.    Thuaj: “Unë i trembem vërtet dënimit të Ditës së madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim”.
39:14.    Thuaj: “Vetëm Allahun e adhuroj me besimin tim të plotë e të sinqertë,
39:15.    kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij!” Thuaj: “Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë”!
39:16.    Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i tremb robërit e Vet. “O robërit e Mi, më kini frikë Mua!”
39:17.    Le të gëzohen ata që shmangen nga adhurimi i idhujve e kthehen nga Allahu! Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi,
39:18.    të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.
39:19.    Vallë, a mund ta udhëzosh ti (o Muhamed) atë që meriton të dënohet dhe a mund ta shpëtosh atë që gjendet në Zjarr?!
39:20.    Ndërkaq, ata që i frikësohen Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet.
39:21.    A nuk e sheh se si Allahu e zbret ujin nga qielli dhe e bën atë të burojë nga toka? Nëpërmjet tij Ai nxjerr bimë të llojllojshme, ngjyrash të ndryshme, të cilat, më pas thahen e zverdhen dhe pastaj Ai i thërrmon. Me të vërtetë, në të gjitha këto ka këshilla për ata që janë të mençur.
39:22.    A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!
39:23.    Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.
39:24.    A është njësoj si ai që do ta vuajë me fytyrën e vet dënimin e rëndë në Ditën e Kiametit, (ashtu edhe ai që është i shpëtuar)?! Keqbërësve do t’u thuhet: “Shijoni atë që keni fituar!”
39:25.    Edhe ata që ishin para tyre i quajtën gënjeshtarë (të dërguarit), prandaj atyre u erdhi dënimi prej nga nuk e prisnin.
39:26.    Allahu i poshtëroi ata që në këtë jetë, por dënimi i jetës tjetër do të jetë më i madh! Veç sikur ta dinin!
39:27.    Vërtet, Ne u kemi sjellë njerëzve shembuj në këtë Kuran për çdo gjë, për t’ua vënë veshin.
39:28.    Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe dhe pa asnjë kundërthënie, me qëllim që ata ta ruajnë veten nga e keqja.
39:29.    Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?! Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë këtë!
39:30.    Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.
39:31.    Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të grindeni para Zotit tuaj!
39:32.    Kush është më i keq se ai që trillon gënjeshtra për Allahun dhe hedh poshtë të Vërtetën (Kuranin), kur ajo i vjen atij?! A nuk është Xhehenemi strehë për mohuesit?!
39:33.    Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit.
39:34.    Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët.
39:35.    Allahu do t’ua falë atyre veprat më të këqija që kanë bërë dhe do t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë.
39:36.    A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?! Ata të frikësojnë ty (o Muhamed) me zota të tjerë, përveç Tij. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush.
39:37.    Ndërsa atë që e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta shpjerë në humbje. A nuk është Allahu i Plotfuqishëm dhe i Zoti për t’u hakmarrë?!
39:38.    Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata (mekasit paganë) se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri që do të të thonë: “Allahu”. Thuaju: “Si mendoni, nëse Allahu dëshiron të më shkaktojë ndonjë dëm, a mund ta largojnë atë idhujt që ju i adhuroni krahas Tij?! Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?!” Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Tek Ai le të mbështeten ata që kërkojnë mbështetje”.
39:39.    Thuaj: “O populli im! Veproni sipas mënyrës suaj, edhe unë do të veproj sipas simes! Shumë shpejt do ta merrni vesh,
39:40.    se kush do të marrë një dënim poshtërues dhe ndëshkim të përhershëm!”
39:41.    Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën për të udhëzuar njerëzit. Kush shkon në rrugë të drejtë, ai e ka për të mirën e vet, ndërsa kush e humb këtë rrugë, ai humb në dëm të vet. Ti (o Muhamed) nuk je përgjegjës për ata.
39:42.    Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.
39:43.    A zgjedhin ata, përveç Allahut, ndërmjetësues të tjerë (që gjoja do t’i afrojnë pranë Allahut)?! Thuaj: “Vallë, a i merrni edhe pse nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk kuptojnë?!”
39:44.    Thuaju: “Ndërmjetësimi është i gjithi në duart e Allahut; Atij i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës e pastaj tek Ai do të ktheheni”.
39:45.    Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër neveriten, ndërsa, kur përmenden të tjerët, përveç Allahut, ata menjëherë gëzohen.
39:46.    Thuaj: “O Zoti im, Krijues i qiejve dhe i Tokës, Njohës i së dukshmes e i të padukshmes, Ti do të gjykosh mes robërve të Tu për kundërshtitë që kanë pasur”!
39:47.    Sikur keqbërësit të kishin çdo gjë që gjendet në Tokë, dhe po kaq më tepër, të gjitha këto do t’i flijonin (për të shpëtuar) prej dënimit të ashpër në Ditën e Kiametit. Atëherë, do të përballen me atë që nuk e kanë llogaritur,
39:48.    do t’u shfaqen atyre të këqijat që kanë bërë dhe do t’i kaplojë ajo të cilën e përqeshnin.
39:49.    Kur njeriut i bie ndonjë e keqe, ai na lutet Neve; por, kur pas kësaj, i ofrojmë një të mirë prej Nesh, ai thotë: “Kjo më është dhënë vetëm pse kam ditur”. Nuk është kështu! Kjo është vetëm një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë.
39:50.    Kështu thoshin edhe ata që ishin para tyre, prandaj nuk patën dobi nga ajo që patën fituar.
39:51.    Prandaj ata i goditi dënimi i të këqijave që kishin punuar. Por, edhe keqbërësve prej këtyre do t’u bjerë dënimi për të këqijat, që kanë bërë e nuk do të mund t’i ikin atij.
39:52.    A nuk e dinë ata se Allahu ia shton apo ia pakëson riskun kujt të dojë?! Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që besojnë.
39:53.    Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.
39:54.    Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.
39:55.    Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë,
39:56.    që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!”
39:57.    Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”.
39:58.    Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”!
39:59.    (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë”.
39:60.    Në Ditën e Kiametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun, me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!
39:61.    Por Allahu do t’i shpëtojë ata që janë ruajtur me të mirat e bëra, prandaj ata nuk do t’i prekë e keqja e as nuk do të pikëllohen.
39:62.    Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.
39:63.    Të Tij janë çelësat e qiejve e të Tokës! Sa për ata që i mohojnë shpalljet e Allahut, ata janë të humbur!
39:64.    Thuaju atyre: “Vallë, ju po më urdhëroni që të adhuroj dikë tjetër, përveç Allahut, o të paditur?!”
39:65.    Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.
39:66.    Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!”
39:67.    Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
39:68.    Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.
39:69.    Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të vet dhe do të vendoset Libri (i veprave). Pastaj do të sillen profetët dhe dëshmitarët e ata do të gjykohen me drejtësi, e nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.
39:70.    Secilit do t’i jepet shpërblimi për atë që ka bërë, sepse Ai e di më së miri se çfarë kanë punuar.
39:71.    Jobesimtarët do të shtyhen grupe-grupe në Xhehenem dhe, kur të arrijnë atje, do të hapen dyert e tij dhe rojtarët do t’u thonë atyre: “A nuk ju kanë ardhur të dërguar midis jush, të cilët ju lexonin shpalljen e Zotit tuaj e ju tërhiqnin vërejtjen për takimin e kësaj dite?!” Mohuesit do të thonë: “Po, është e vërtetë!” E kështu përmbushet fjala e Allahut për dënimin e mohuesve.
39:72.    Atyre u thuhet: “Hyni në portat e Xhehenemit, ku do të qëndroni gjithmonë!” Sa vend i shëmtuar që është ai për mendjemëdhenjtë!
39:73.    Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!”
39:74.    Ata do të thonë: “Lavdi Allahut, që përmbushi premtimin e Vet e na dha në trashëgim Xhenetin, ku të vendosemi si të duam!” Sa i mrekullueshëm është shpërblimi i atyre që kanë punuar drejt!
39:75.    Do t’i shohësh engjëjt të tubuar rreth Fronit, duke lavdëruar me falënderim Zotin e tyre. Njerëzimi do të gjykohet me drejtësi dhe të gjithë do të thonë: “Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve!”