La ilahe il Allah

29-El-Ankebut

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!


29:1.    Elif, Lâm, Mîm.
29:2.    Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!
29:3.    Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.
29:4.    A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se do t’i shpëtojnë dënimit Tonë?! Sa keq që gjykojnë ata!
29:5.    Kush shpreson takimin e Allahut, ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të arrijë. Ai dëgjon dhe di gjithçka.
29:6.    Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë.
29:7.    Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.
29:8.    Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata.” Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmëroj për gjithçka që keni bërë.
29:9.    Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri do t’i radhisim në mesin e të mirëve.
29:10.    Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë Allahun”. Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë pëndjekjen prej njeriut njësoj si dënimin e Allahut. Ndërsa, kur u vjen fitorja prej Zotit tënd, ata, me siguri - do të thonë: “Ne kemi qenë me ju”. Vallë! A nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt?
29:11.    Sigurisht, Allahu i njeh më mirë ata që kanë besuar dhe hipokritët.
29:12.    Mohuesit u thonë besimtarëve: “Ndiqni rrugën tonë e ne atëherë do t’i mbartim gjynahet tuaja!” Por ata nuk do të jenë në gjendje të mbartin nga gjynahet e tyre; në të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.
29:13.    Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka, që trillonin.
29:14.    Ne e dërguam Nuhun te populli i tij. Ai qëndroi tek ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, e megjithatë, ata i përfshiu përmbytja, duke qenë keqbërës.
29:15.    Ne e shpëtuam Nuhun së bashku me ata që qenë në barkë dhe e bëmë shenjë për të gjithë brezat.
29:16.    Kujtoje Ibrahimin, kur i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun dhe frikësojuni Atij! Kjo është më e mirë për ju, nëse e dini.
29:17.    Vërtet, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm idhuj. Ju po shpifni gënjeshtra. Në të vërtetë, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk kanë pushtet t’ju furnizojnë, andaj, vetëm tek Allahu kërkoni risk dhe adhuroni e falënderoni vetëm Atë. Tek Ai do të ktheheni.
29:18.    Nëse ju nuk më besoni, dijeni se edhe popujt e mëparshëm i kanë quajtur gënjeshtarë (të dërguarit) dhe se i Dërguari ka për detyrë vetëm që të shpallë qartazi.”
29:19.    Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu e zë fill krijimin, pastaj e ripërsërit atë? Natyrisht, kjo është e lehtë për Allahun.
29:20.    Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu Ai që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
29:21.    Ai ndëshkon kë të dëshirojë dhe mëshiron kë të dëshirojë; tek Ai do të ktheheni.
29:22.    Ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shpëtoni as në Tokë e as në qiell dhe, përveç Allahut, nuk keni as mbrojtës, as ndihmës.
29:23.    Ata që mohojnë shpalljet e Allahut dhe takimin e Tij, pikërisht ata e kanë humbur shpresën në mëshirën Time dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”
29:24.    Populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveçse tha: “Vriteni atë ose digjeni!” Por Allahu e shpëtoi atë nga zjarri. Vërtet, këtu ka shenja të qarta për njerëzit që besojnë.
29:25.    Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.”
29:26.    Luti i besoi atij dhe tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”
29:27.    Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe pasardhësve të tij u dhamë Profecinë dhe Librin. Ne i dhamë atij shpërblim në këtë botë, ndërsa në jetën tjetër, me siguri, ai do të jetë prej njerëzve të mirë.
29:28.    Kur Luti i tha popullit të vet: “Vërtet, ju bëni të tilla lapërdhi, që askush para jush nuk ka bërë në botë:
29:29.    bëni marrëdhënie me meshkuj, u zini pusi atyre dhe në tubimet tuaja bëni punët më të ndyra”, populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveç se tha: “Na e sill dënimin e Allahut, nëse thua të vërtetën”!
29:30.    Ai tha: “O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti”!
29:31.    Dhe, pasi të dërguarit Tanë i sollën lajmin e mirë Ibrahimit, i thanë: “Ne do t’i zhdukim banorët e këtij vendbanimi, sepse banorët e tij janë vërtet keqbërës”.
29:32.    Ai (Ibrahimi) tha: “Por atje banon edhe Luti!” Ata thanë: “Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij: ajo do të qëndrojë me ata që do të mbesin (për t’u dënuar)”.
29:33.    Kur të dërguarit Tanë (engjëj) shkuan tek Luti, ai u shqetësua dhe u ngushtua (për ata, sepse nuk i mbronte dot). Ata i thanë: “Mos u frikëso dhe mos u brengos! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas tënde. Ajo do të mbesë me ata që janë për dënim.
29:34.    Në të vërtetë, Ne do të lëshojmë dënim nga qielli, mbi banorët e këtij vendbanimi, ngase ata janë të prishur”.
29:35.    Dhe tashmë Ne e kemi lënë atë një shenjë të dukshme për njerëzit që kuptojnë.
29:36.    Edhe banorëve të Medjenit (i dërguam) vëllanë e tyre, Shuajbin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, shpresoni në Ditën e Fundit dhe mos bëni keq në tokë, si ngatërrestarë!”
29:37.    Por, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj i goditi një tërmet i tmerrshëm e si pasojë u gdhinë në shtëpitë e tyre të vdekur e të gjunjëzuar.
29:38.    E njëjta gjë u ndodhi edhe fiseve Ad dhe Themud, gjë që ju është bërë e qartë prej (gjurmëve të) banimeve të tyre. Atyre djalli ua kishte zbukuruar veprat e veta dhe i kishte shmangur nga rruga e drejtë, edhe pse qenë largpamës.
29:39.    Kështu ndodhi edhe me Karunin, Faraonin dhe Hamanin! Atyre u vajti Musai me prova të qarta, por ata treguan mendjemadhësi në Tokë dhe nuk i shpëtuan dënimit.
29:40.    Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.
29:41.    Rasti i atyre, që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin ata!
29:42.    Sigurisht, Allahu e di se çfarë adhurojnë ata në vend të Tij; Ai është i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.
29:43.    Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve.
29:44.    Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me qëllim të plotë. Kjo është një shenjë për besimtarët!
29:45.    Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.
29:46.    Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një - dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë”.
29:47.    Kështu, Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) Librin (Kuranin). Ata që u kemi dhënë Shkrimet, e besojnë atë. Por ka edhe nga ata (mekas) që e besojnë atë. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm jobesimtarët.
29:48.    Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.
29:49.    Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit.
29:50.    Ata thonë: “Përse nuk i janë zbritur (Muhamedit) mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj (o Muhamed): “Mrekullitë janë vetëm tek Allahu; unë jam vetëm një paralajmërues i qartë”.
29:51.    Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre? Me të vërtetë që në të ka mëshirë dhe këshillë për njerëzit që besojnë.
29:52.    Thuaj: “Allahu mjafton si dëshmitar midis meje dhe jush. Ai di çfarë ka në qiej dhe në Tokë.” Ata që besojnë në trillime dhe nuk besojnë në Allahun, pikërisht ata janë të humburit.
29:53.    Ata kërkojnë prej teje shpejtimin e dënimit. Sikur të mos ishte afati i caktuar, atyre do t’u kishte ardhur dënimi. Me siguri që atyre do t’u vijë papritmas e pa vënë re.
29:54.    Ata kërkojnë prej teje shpejtimin e dënimit, por, në të vërtetë, Xhehenemi do t’i përfshijë të gjithë mohuesit.
29:55.    Ditën, kur do t’i kaplojë dënimi prej së larti dhe prej së poshti, (engjëlli i ngarkuar me ndëshkimin e fajtorëve), do t’u thotë: “Shijoni dënimin për atë që keni bërë!”
29:56.    O robërit e Mi, që keni besuar! Toka Ime është vërtet e gjerë, andaj më adhuroni vetëm Mua!
29:57.    Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne.
29:58.    Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në pallatet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj; aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i bukur është shpërblimi i atyre që punojnë mirë,
29:59.    e të cilët kanë duruar dhe janë mbështetur te Zoti i tyre.
29:60.    Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka.
29:61.    Nëse ti (Muhamed) i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush i ka nënshtruar (të rrotullohen) Diellin e Hënën, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!” Atëherë, si po largohen (nga rruga e drejtë)?
29:62.    Allahu, ia zgjeron furnizimin kujt të dojë nga robërit e Tij, e dikujt ia zvogëlon. Allahu është vërtet i Dijshëm për çdo gjë.
29:63.    Nëse ti i pyet ata se kush e zbret ujin nga qielli dhe nëpërmjet tij e gjallëron tokën pas vdekjes së saj, - me siguri që ata do të të thonë “Allahu!” Thuaj: “Qoftë lëvduar Allahu!” Por, shumica e tyre nuk mendojnë.
29:64.    Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!
29:65.    Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim),
29:66.    për të mohuar atë që u kemi dhënë Ne dhe për t’u kënaqur. Por shpejt do ta marrin vesh!
29:67.    Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten? A mos vallë ata besojnë në gjëra të kota, ndërsa dhuntitë e Allahut i mohojnë?!
29:68.    Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose mohon të vërtetën që i ka ardhur?! Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?!
29:69.    Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!