La ilahe il Allah

64-Et-Tegabun

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

64:1. Allahun e përlëvdon gjithçka, që gjendet në qiej dhe në Tokë. Atij i takon pushteti epror dhe lavdia. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë!
64:2. Është Ai që ju krijoi juve, e megjithatë, disa prej jush janë mohues e disa besimtarë. Por Allahu e sheh mirë çdo gjë që bëni.
64:3. Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën me të vërtetën, ju ka dhënë format tuaja dhe jua ka bërë ato të bukura; të gjithë tek Ai do të ktheheni.
64:4. Ai di gjithçka që përmbajnë qiejt dhe Toka. Ai i di të fshehtat tuaja dhe ato që i bëni haptazi. Allahu i di të gjitha ç’keni në zemrat tuaja.
64:5. A nuk keni dëgjuar për ata që kanë mohuar më parë dhe i kanë shijuar pasojat e veprave të tyre? Për ata do të ketë dënim të dhembshëm,
64:6. sepse, kur të dërguarit e tyre sillnin prova të qarta, ata thoshin: “Vallë, vdekatarë si ne do të na udhëheqin?” Dhe kështu mohuan e ia kthyen kurrizin (besimit). Por Allahu nuk ka nevojë (për ata). Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lavd.
64:7. Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: “Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë!” Dhe kjo është e lehtë për Allahun.
64:8. Prandaj besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në dritën (Kuranin), që ju kemi zbritur. Allahu e di mirë çdo gjë që bëni ju.
64:9. Dita, kur Ai do t’ju mbledhë, dita, kur të gjithë do të grumbulloheni, do të jetë Dita e humbjes dhe fitimit. Atij që beson në Allahun dhe bën vepra të mira, Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpjerë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.
64:10. Ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë mohuar shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përherë. Eh, sa fund i tmerrshëm është ai!
64:11. Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.
64:12. Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit! Nëse ju i ktheni shpinën të Dërguarit Tonë, dijeni se ai ka për detyrë vetëm që t’ju shpjegojë qartë.
64:13. Allahu është i vetmi Zot i vërtetë, prandaj, vetëm tek Ai le të mbështeten besimtarët.
64:14. O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.
64:15. Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.
64:16. Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.
64:17. Nëse i jepni Allahut një hua të bukur, Ai jua kthen shumëfish atë dhe ju fal. Allahu është Mirënjohës dhe nuk nxiton në dënime.
64:18. Ai është Njohësi i të padukshmes dhe së dukshmes, i Plotfuqishmi dhe i Urti.

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free