98-El-Bejjineh
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
98:1. Ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, nuk do të largoheshin (nga mosbesimi i tyre), derisa t’u vinte Dëshmia e qartë:98:2. Një i Dërguar nga Allahu, i cili t’u lexonte faqe të pastra (Kuranin),
98:3. të cilat përmbanin rregulla të drejta.
98:4. Ata, që u ishte dhënë Libri, u përçanë vetëm atëherë, kur u erdhi Dëshmia e qartë.
98:5. E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.
98:6. Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija.
98:7. Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira - pikërisht ata janë krijesat më të mira.
98:8. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.