26-Esh-Shuarau
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
26:1. Tâ, Sîn, Mîm.26:2. Këto janë vargjet e Librit të qartë.
26:3. A mos vallë ti (o Muhamed) do ta shkatërrosh veten, ngaqë ata (banorët e Mekës) nuk duan të besojnë?
26:4. Sikur të donim Ne, do të zbritnim nga qielli një shenjë, para së cilës ata do të përulnin kokat.
26:5. Sa herë që atyre u vjen ndonjë Këshillë e re nga i Gjithëmëshirshmi, ata ia kthejnë kurrizin.
26:6. Ata e kanë përgënjeshtruar atë, prandaj do t’u vijë ai (ndëshkim), me të cilin janë tallur.
26:7. Vallë, a nuk shohin ata tokën, prej së cilës kemi bërë të mbijnë sa e sa lloje çifte bimësh fisnike?
26:8. Sigurisht që këtu ka shenja (të njëjësisë së Zotit), por shumica e tyre nuk besojnë.
26:9. Zoti yt është vërtet i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:10. Kur Allahu e thërriti Musain: “Shko te populli keqbërës,
26:11. populli i Faraonit! vallë, a nuk po i frikësohen ata Allahut?”,
26:12. Ai u përgjigj: “O Zoti im, unë kam frikë se do të më quajnë gënjeshtar,
26:13. e zemra do të më ngushtohet, kurse gjuha mund të më lidhet, andaj, dërgoje edhe Harunin (të më ndihmojë).
26:14. Unë jam edhe përgjegjës ndaj tyre për një krim, andaj kam frikë se do të më vrasin”.
26:15. Allahu tha: “Kurrsesi! Shkoni që të dy me shenjat Tona. Me të vërtetë, Ne jemi me ju dhe dëgjojmë.
26:16. Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve,
26:17. që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!”
26:18. Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?!
26:19. E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?!”
26:20. Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar.
26:21. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit.
26:22. A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër”?
26:23. Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?”
26:24. (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”.
26:25. (Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!”
26:26. Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.”
26:27. (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”.
26:28. (Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni.
26:29. (Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!”
26:30. (Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “
26:31. (Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!”
26:32. (Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë!
26:33. Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!
26:34. (Faraoni) i tha parisë së tij, që e kishte përreth: “Ky qenka magjistar vërtet i dijshëm!
26:35. Me magjitë e veta, ai dëshiron t’ju dëbojë nga toka juaj, prandaj ç’më këshilloni ju?”
26:36. Ata u përgjigjën: “Lëre këtë dhe vëllanë e tij për pak kohë dhe ço lajmëtarë nëpër qytete,
26:37. që të t’i sjellin ty të gjithë magjistarët e dijshëm”.
26:38. Magjistarët u mblodhën në ditën e caktuar,
26:39. e popullit iu tha: “A jeni mbledhur të gjithë,
26:40. që të shkojmë pas magjistarëve, nëse ata do të jenë fitues?!”
26:41. Kur erdhën magjistarët, i thanë Faraonit: “Vërtet do të shpërblehemi, nëse dalim fitues?”
26:42. Ai u përgjigj: “Po, madje do të jeni vërtet ndër të afërmit e mi”.
26:43. Musai u tha atyre: “Hidheni atë që doni ta hidhni!”
26:44. Ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: “Për madhërinë e Faraonit, me të vërtetë, Ne do të jemi fitues patjetër!”
26:45. Pastaj, Musai hodhi shkopin e tij, që i kapërdiu përnjëherësh sajimet e tyre të rreme!
26:46. Atëherë magjistarët ranë përmbys, duke bërë sexhde,
26:47. dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e botëve,
26:48. Zotin e Musait dhe të Harunit!”
26:49. (Faraoni) tha: “I besuat atij (Musait) para se t’ju lejoja unë! Patjetër që ai është i madhi juaj, i cili ju ka mësuar magjinë. Ta dini se unë, në të vërtetë, do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t’ju kryqëzoj të gjithëve!
26:50. Ata thanë: “S’ka gjë! Sigurisht, Ne do të kthehemi te Zoti ynë.
26:51. Ne shpresojmë se Zoti ynë do të na i falë gjynahet, meqë jemi besimtarët e parë.”
26:52. Pastaj, Ne i shpallëm Musait: “Ti udhëto natën me robërit e Mi, por do të jeni të ndjekur”.
26:53. Dhe Faraoni dërgoi nëpër qytete lajmëtarë
26:54. (Për të thënë:) “Këta janë një grup i vogël që
26:55. na kanë provokuar,
26:56. por ne jemi kurdoherë të gatshëm!”
26:57. Kështu, Ne i bëmë ata të lënë kopshtijet dhe lumenjtë,
26:58. thesaret e pallatet e mrekullueshme.
26:59. Kështu ndodhi, dhe Ne ia dhamë të gjitha këto bijve të Izraelit.
26:60. Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre.
26:61. Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!”
26:62. Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”.
26:63. Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.
26:64. Atëherë Ne i afruam aty të tjerët.
26:65. Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, i shpëtuam,
26:66. kurse të tjerët i fundosëm.
26:67. Pa dyshim, në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
26:68. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:69. Tregoju atyre historinë e Ibrahimit,
26:70. kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?
26:71. Ata u përgjigjën: “Adhurojmë idhujt e përherë u jemi përkushtuar atyre”.
26:72. Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni?
26:73. A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?”
26:74. U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu”.
26:75. Ai tha: “A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar,
26:76. si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë?
26:77. Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve,
26:78. i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë);
26:79. i Cili më ushqen dhe më jep të pi;
26:80. i Cili, kur sëmurem, më shëron;
26:81. i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë;
26:82. dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit!
26:83. O Zoti im, më dhuro dituri dhe më radhit me të mirët!
26:84. Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme
26:85. dhe më bëj një nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatë!
26:86. Fale babanë tim, sepse ai është njëri nga të humburit,
26:87. dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit,
26:88. në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët,
26:89. përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”
26:90. Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm,
26:91. ndërsa Xhehenemi do t’u tregohet atyre që kishin humbur.
26:92. Ata do të pyeten: “Ku janë idhujt që ju i adhuronit
26:93. në vend të Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ata ose, a mund ta ndihmojnë veten?”
26:94. Kështu, ata do të hidhen në zjarr bashkë me mohuesit,
26:95. si dhe të gjithë ushtarët e Iblisit.
26:96. Ndërsa ndodhen aty brenda, ata do të grinden ndërmjet tyre, duke thënë:
26:97. “Betohemi për Allahun, ne kemi qenë njëmend në humbje të qartë,
26:98. kur ju kemi barazuar me Zotin e botëve.
26:99. Ishin të ligjtë ata që na mashtruan,
26:100. Tashmë ne nuk kemi asnjë ndërmjetësues (tek Allahu)
26:101. e as ndonjë mik të ngushtë!
26:102. Ah, sikur të ktheheshim përsëri (në jetë) e të bëheshim besimtarë!”
26:103. Sigurisht që në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
26:104. e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:105. Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të dërguarit.
26:106. Kujto kur vëllai i tyre - Nuhu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
26:107. Në të vërtetë, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
26:108. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
26:109. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
26:110. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!”
26:111. Ata thanë: “Vallë, a të të besojmë ne ty, ndërkohë që ty po të pasojnë më të ulëtit?”
26:112. Ai tha: “Unë nuk di ç’kanë bërë ata!
26:113. Llogaria e tyre është vetëm te Zoti im, a nuk kuptoni?
26:114. Unë nuk do t’i dëboj besimtarët,
26:115. unë jam vetëm paralajmërues i qartë.”
26:116. Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të gurëzohesh”.
26:117. Ai tha: “O Zoti im, populli im më mohoi,
26:118. andaj, Ti gjyko mes meje dhe atyre dhe më shpëto mua e besimtarët që janë me mua!”
26:119. Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkën plot,
26:120. kurse të tjerët që mbetën pas, i fundosëm.
26:121. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
26:122. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:123. Fisi Ad i quante gënjeshtarë të dërguarit.
26:124. Kujto kur vëllai i tyre - Hudi, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
26:125. Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju,
26:126. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
26:127. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
26:128. A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur,
26:129. dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë?
26:130. Edhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni atë si tiranë.
26:131. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
26:132. Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini:
26:133. ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë,
26:134. edhe kopshtije, edhe burime.
26:135. Unë, me të vërtetë, i trembem për ju dënimit të një Dite të madhe”.
26:136. Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti.
26:137. Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë
26:138. e ne nuk do të jemi të dënuar.”
26:139. Ata e quajtën gënjeshtar atë, andaj Ne i shkatërruam ata. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica njerëzve nuk janë besimtarë.
26:140. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:141. Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të dërguarit.
26:142. Kujto kur vëllai i tyre - Salihu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
26:143. Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
26:144. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
26:145. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
26:146. Vallë, a mendoni ju, se do të mbeteni këtu të sigurt,
26:147. në kopshtije e pranë burimeve,
26:148. në ara me të lashta dhe palma hurmash me fruta të shijshme?
26:149. Ju i gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të rrallë,
26:150. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua,
26:151. dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe
26:152. e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim”.
26:153. Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur!
26:154. Ti je vetëm një vdekatar - ashtu si ne, andaj na sill një mrekulli, nëse ajo që thua është e vërtetë!”
26:155. Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara.
26:156. Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të madhe!
26:157. Por ata e therën e pastaj u erdhi keq.
26:158. Dhe kështu, ata i goditi dënimi. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
26:159. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:160. Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit.
26:161. Kujto kur vëllai i tyre - Luti, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
26:162. Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju,
26:163. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
26:164. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
26:165. Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve
26:166. e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.”
26:167. Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”.
26:168. Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju!
26:169. O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!”
26:170. Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij - të gjithë,
26:171. përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët.
26:172. Pastaj, të tjerët i shkatërruam.
26:173. Mbi ata lëshuam një breshëri gurësh. Eh, sa i keq që ishte ai shi, për ata që janë paralajmëruar!
26:174. Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë.
26:175. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:176. Edhe banorët e Ejketit i quajtën gënjeshtarë të dërguarit,
26:177. Kujto kur Shuajbi u tha atyre: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
26:178. Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
26:179. andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
26:180. Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
26:181. Bëjeni drejt matjen dhe mos u bëni nga ata që hanë (në matje).
26:182. Peshoni drejtësisht me peshore të saktë,
26:183. mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, mos bëni ngatërresa në Tokë
26:184. dhe frikësojuni Atij, që ju ka krijuar ju dhe brezat e mëparshëm!”
26:185. Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur.
26:186. Ti je vetëm një vdekatar, si ne. Në të vërtetë, Ne mendojmë se ti je gënjeshtar;
26:187. andaj, lësho mbi ne një copë nga qielli, nëse thua të vërtetën!
26:188. Ai tha: “Zoti im e di më së miri atë që punoni ju.”
26:189. Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi Ditës së Errësirës. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.
26:190. Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë,
26:191. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
26:192. Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve.
26:193. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili)
26:194. në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë.
26:195. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.
26:196. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve.
26:197. Vallë, a nuk është provë për ata (mekasit), që atë (Muhamedin) e kanë njohur dijetarët e bijve të Izraelit?
26:198. Por edhe sikur t’ia shpallnim Kuranin ndonjë jo-arabi
26:199. e ai t’ua lexonte atyre - ata përsëri nuk do të kishin besuar.
26:200. Ja kështu, Ne ua kemi shtënë (mohimin) në zemër keqbërësve.
26:201. Ata nuk do ta besojnë atë, derisa të shohin dënimin e dhembshëm.
26:202. Por ai do t’u vijë atyre papritmas e ata nuk do ta ndiejnë fare.
26:203. Atëherë ata do thonë: “A do të na jepet afat?”
26:204. A mos vallë, ata duan ta shpejtojnë dënimin Tonë!?
26:205. Mendo, nëse Ne i lëmë që të kënaqen disa vjet
26:206. e pastaj t’i godasë ai (dënim) që u është premtuar,
26:207. çfarë vlere do të kishte ajo me të cilën janë kënaqur?
26:208. Asnjëherë, Ne nuk kemi shkatërruar ndonjë vendbanim, pa i çuar më parë paralajmërues,
26:209. si këshillë për ata. Ne nuk jemi asnjëherë të padrejtë.
26:210. Atë (Kuran) nuk e kanë zbritur djajtë.
26:211. Jo vetëm që kjo s’u takon atyre, por as nuk kanë fuqi të bëjnë një si ai.
26:212. Në të vërtetë, ata mënjanohen nga të dëgjuarit (e Shpalljes).
26:213. Prandaj, mos adhuro tjetër zot, përveç Allahut, që të mos bëhesh nga ata që do të dënohen!
26:214. Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm
26:215. dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!
26:216. E, nëse nuk të dëgjojnë, thuaju: “Unë nuk jam përgjegjës për ato që bëni ju”.
26:217. Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin,
26:218. i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit)
26:219. dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.
26:220. Vërtet, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
26:221. A doni t’ju tregoj se kujt i vijnë djajtë?
26:222. Ata i vijnë çdo gënjeshtari gjynahqar.
26:223. Ata përgjojnë, por shumica tyre janë gënjeshtarë.
26:224. Poetët ndiqen nga njerëzit e humbur.
26:225. Vallë, a nuk e sheh ti, që ata bredhin në çdo luginë (të fjalës së kotë),
26:226. duke folur atë që kurrë s’e bëjnë?
26:227. Përveç atyre (poetëve) që besojnë, bëjnë vepra të mira, e përmendin shumë Allahun dhe mbrohen, vetëm pasi u është bërë padrejtësi. Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).