19-Merjem
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
19:1. Kâf, Hâ, Jâ, Ajn, Sád.19:2. Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij - Zekerijas.
19:3. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë
19:4. (duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im!
19:5. Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës,
19:6. që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!”
19:7. “O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”.
19:8. Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!”
19:9. I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”.
19:10. (Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” Ai tha: “Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.”
19:11. Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!
19:12. (Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri,
19:13. butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar
19:14. dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.
19:15. Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.
19:16. Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje,
19:17. duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë.
19:18. Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.
19:19. Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”
19:20. Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!”
19:21. Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.”
19:22. Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët.
19:23. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!”
19:24. Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!
19:25. Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!
19:26. Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.”
19:27. Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme!
19:28. O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.”
19:29. Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?”
19:30. Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet
19:31. dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë
19:32. dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.
19:33. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!”
19:34. Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.
19:35. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet.
19:36. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”.
19:37. E megjithatë, sektet u përçanë në lidhje me atë. Mjerë ata që nuk besojnë për takimin e një Dite të madhe (Ditës së Kiametit)!
19:38. E sa mirë do të dëgjojnë e do të shohin atë Ditë, kur do të vijnë te Ne! Por, sot keqbërësit janë në humbje të qartë!
19:39. Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.
19:40. Vërtet, jemi Ne që e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka gjendet në të dhe ata te Ne do të kthehen.
19:41. Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.
19:42. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?
19:43. O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!
19:44. O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.
19:45. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”!
19:46. Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”!
19:47. Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.
19:48. Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.”
19:49. Dhe, kur u largua nga ata dhe nga idhujt që i adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë.
19:50. Ne u dhuruam atyre mëshirën Tonë dhe bëmë që ata të lavdërohen e të përmenden me nder.
19:51. Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur, ishte i dërguar dhe profet.
19:52. Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e malit Tur, duke e afruar në një bisedë të fshehtë
19:53. dhe, nga mëshira Jonë, i dhuruam të vëllanë, Harunin, si profet.
19:54. Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet.
19:55. Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.
19:56. Trego në Libër për Idrizin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.
19:57. Ne e ngritëm atë në vend të lartë.
19:58. Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin duke bërë sexhde dhe qanin.
19:59. Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh,
19:60. përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie;
19:61. në kopshtet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet, edhe pse ende nuk e kanë parë. Me të vërtetë, premtimi i Tij është i sigurt.
19:62. Aty nuk do të dëgjojnë llomotitje, por vetëm fjalë përshëndetjeje për paqe dhe do të ushqehen në mëngjes dhe në mbrëmje.
19:63. Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.
19:64. (Xhebraili tha): “Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është në mes. Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”.
19:65. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!
19:66. Njeriu thotë: “Vallë, pasi të vdes, a do të ringjallem përsëri?”
19:67. A nuk e mban mend njeriu se Ne e kemi krijuar atë, kur ende nuk ishte asgjë?!
19:68. Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë ata dhe djajtë, pastaj do t’i sjellim ata të gjunjëzuar rreth Xhehenemit!
19:69. Pastaj do të ndajmë prej çdo grupi atë që ka qenë më kokëfortë ndaj të Gjithëmëshirshmit.
19:70. Ne pastaj e dimë më së miri se kush prej tyre e ka merituar të digjet në të.
19:71. Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.
19:72. Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.
19:73. Kur u lexohen vargjet Tona të qarta, jobesimtarët u thonë atyre që kanë besuar: “Cili grup ka pozitë më të mirë dhe rreth më të mirë?”
19:74. Por sa e sa brezni, që kanë qenë më të begatshëm dhe më të pashëm, Ne i kemi shkatërruar para tyre!
19:75. Thuaj (o Muhamed): “Atyre që janë të humbur, i Gjithëmëshirshmi u dhëntë jetë”, në mënyrë që, kur të shohin atë që u është premtuar: ose dënimin (në këtë jetë) ose Orën (e Kiametit), atëherë ta marrin vesh se kush ka pozitë më të keqe dhe rreth më të dobët.
19:76. Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë. Veprat e mira që mbesin, janë të shpërblyera më mirë te Zoti yt dhe kanë përfundim më të mirë.
19:77. Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në shenjat Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët”?!
19:78. A mos ndoshta ai e di të padukshmen apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi?
19:79. Kurrsesi! Ne do ta shënojmë atë që flet dhe do t’ia zgjasim vuajtjen.
19:80. Ne do t’ia marrim atij gjithçka për të cilat flet e ai te Ne do të vijë i vetëm.
19:81. Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës.
19:82. Por jo! Ata do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiqtë e tyre.
19:83. A nuk e sheh se Ne i kemi dërguar djajtë te mohuesit, për t’i yshtur ata me forcë?
19:84. Andaj, mos kërko shkatërrimin e tyre të shpejtë, se, me të vërtetë, Ne ua numërojmë ditët e caktuara.
19:85. Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar
19:86. e do t’i shtyjmë të ligjtë në Xhehenem, si tufë e etur,
19:87. askush nuk do të mund të ndërhyjë, përveç atij që ka marrë lejen dhe premtimin e të Gjithëmëshirshmit.
19:88. Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”.
19:89. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme!
19:90. Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar,
19:91. ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.
19:92. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir.
19:93. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.
19:94. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht.
19:95. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.
19:96. Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.
19:97. Ne e kemi bërë atë (Kuranin) të lehtë, në gjuhën tënde, vetëm që, nëpërmjet tij, ti t’u japësh lajmin e mirë besimtarëve të devotshëm dhe të paralajmërosh njerëzit kokëfortë (në mosbesimin e tyre).
19:98. Sa e sa brezni kemi shkatërruar Ne para tyre! Vallë, a po sheh ndonjërin prej tyre dhe a po dëgjon pëshpëritjen më të vogël të tyre?!