La ilahe il Allah

42-Esh-Shura

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

42:1. Hâ, Mîm.
42:2. Ajn, Sîn, Kâf.
42:3. Kështu Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti, të frymëzon ty (o Muhamed), ashtu siç i ka frymëzuar edhe ata para teje.
42:4. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Ai është i Larti, i Madhërishmi!
42:5. Qiejt gati sa nuk çahen nga sipër (prej madhështisë së Allahut), ndërkohë që engjëjt lavdërojnë e falënderojnë Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në Tokë. Me të vërtetë që Allahu është Falësi dhe Mëshirëploti.
42:6. Allahu është Mbikëqyrës mbi ata që zgjedhin mbrojtës përveç Tij, ndërsa ti (o Muhamed) nuk je kujdestar i tyre.
42:7. Dhe kështu pra, Ne të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe, për të paralajmëruar popullin e Mekës dhe ata rreth saj; për t’i paralajmëruar ata për Ditën, e cila do të vijë me siguri: kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Xhenet e disa në Xhehenem.
42:8. Sikur të donte Allahu, do t’i kishte bërë të gjithë të një besimi, por Ai pranon në mëshirën e Vet kë të dojë, kurse mohuesit nuk kanë as mbrojtës, as ndihmës.
42:9. Vallë, a mos zgjedhin ata mbrojtës tjetër, përveç Atij?! Sigurisht, vetëm Allahu është Mbrojtësi. Ai i ngjall të vdekurit dhe është i Fuqishëm për çdo gjë.
42:10. Për çfarëdo gjëje që ju të diskutoni, fjala e fundit i përket Allahut. Ky është Allahu, Zoti im. Unë tek Ai mbështetem dhe tek Ai kthehem i penduar.
42:11. Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ai ju ka dhënë bashkëshorte nga vetja juaj për t’ju shumuar, si dhe bagëti në çifte. Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.
42:12. Tek Ai janë çelësat e qiejve dhe të Tokës. Ai ia zgjeron mjetet e jetesës kujt të dojë, por edhe ia pakëson kujt të dojë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
42:13. Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim.
42:14. Sidoqoftë, ata u përçanë midis tyre prej smirës, vetëm pasi u erdhi dijenia. Dhe, sikur të mos kishte paraprirë fjala e Zotit tënd (për shtyrjen e dënimit) deri në një afat të caktuar, ata do të gjykoheshin menjëherë. Edhe ata që trashëguan Librin më pas, dyshojnë thellë në të.
42:15. Andaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar, mos i ndiq epshet e tyre dhe thuaj: “Unë besoj çdo libër që e ka shpallur Allahu dhe jam urdhëruar që të gjykoj drejt midis jush; Allahu është Zoti ynë dhe Zoti i juaj. Veprat tona janë për ne, e veprat tuaja janë për ju. Midis nesh dhe jush nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjeje. Allahu do të na tubojë të gjithëve dhe tek Ai do të kthehemi të gjithë”.
42:16. Sa për ata që polemizojnë rreth Allahut, pasi i janë përgjigjur Atij, arsyetimet e tyre do të jenë të pavlefshme te Zoti i tyre, mbi ata do të bjerë zemërimi i Tij e do të dënohen ashpër.
42:17. Allahu është Ai që e ka shpallur Librin me vërtetësi dhe drejtësi. E si do ta dije ti që ndoshta Dita e Kiametit është afër?!
42:18. Kiametin kërkojnë ta shpejtojnë ata që nuk besojnë në të, kurse ata që besojnë, kanë frikë nga ai dhe e dinë se është plotësisht i vërtetë. Pa dyshim, ata që kundërshtojnë për Ditën e Kiametit, janë në një gabim shumë të madh!
42:19. Allahu është i Mirë me robërit e Vet dhe i jep begati kujt të dojë; Ai është i Plotfuqishëm dhe i Pushtetshëm.
42:20. Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t’i japim pjesë prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër.
42:21. A kanë ata idhuj, të cilët u kanë caktuar një fe që nuk e ka lejuar Allahu?! Sikur të mos kishte qenë Fjala e vendimit të mëparshëm, ata do të ishin gjykuar menjëherë. Për keqbërësit është përgatitur një dënim i dhembshëm.
42:22. Atë Ditë ti do t’i shohësh keqbërësit se si tmerrohen për atë që kanë fituar, ndërkohë që ndëshkimi Ynë do t’i godasë me siguri. Ndërsa ata që kanë besuar dhe bërë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e mrekullueshme të Xheneteve. Ata do të kenë te Zoti i tyre çfarë të duan; kjo është dhurata e madhe.
42:23. Kështu i gëzon Allahu robërit e Vet, që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira. Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit (për mua) për hir të farefisnisë (që kemi).” Atij që bën vepër të mirë, Ne do t’ia shtojmë shpërblimin. Allahu, me të vërtetë, është Falës dhe Mirënjohës.
42:24. A thonë ata: “Ai (Muhamedi a.s.) trillon gënjeshtra për Allahun”?! Po të donte Allahu, do ta vuloste zemrën tënde! Allahu e shkatërron të pavërtetën dhe e forcon të vërtetën me fjalët e Veta. Ai e di mirë ç’ka në zemrat e tyre.
42:25. Ai e pranon pendimin e robërvet të Vet, i fal gjynahet dhe i di të gjitha çfarë punoni ju.
42:26. Ai u përgjigjet lutjeve të atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira e u jep edhe më tepër prej dhuntisë së Vet, kurse për mohuesit do të ketë dënim të ashpër.
42:27. Sikur Allahu t’i shtonte mjetet e jetesës për robërit e Vet, ata do ta mbushnin Tokën me mbrapshti. Por Ai u jep me masë, sa dëshiron, sepse Ai i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.
42:28. Është Ai që e zbret shiun, kur ata kanë humbur çdo shpresë dhe përhap mëshirën e Vet; Ai është Mbrojtësi i vërtetë dhe i Denji për falënderim.
42:29. Një prej shenjave të Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës dhe i qenieve të gjalla, që ka shpërndarë nëpër to; Ai është i Fuqishëm t’i tubojë ata kur të dojë.
42:30. Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.
42:31. Në këtë Tokë ju nuk mund t’i shpëtoni Atij, sepse, veç Allahut, nuk ka tjetër mbrojtës apo ndihmës për ju.
42:32. Një prej shenjave të Tij janë anijet e mëdha që lundrojnë në det – si malet.
42:33. Nëse Ai do, e qetëson erën dhe ato mbesin të palëvizshme në sipërfaqen e tij (detit). Këtu ka shenja për çdokënd që është i durueshëm dhe mirënjohës.
42:34. Ose, Ai mund t’i fundosë anijet, për shkak të gjynaheve që kanë bërë ata. Sidoqoftë, Ai fal shumë.
42:35. Le ta dinë ata që vënë në dyshim shenjat Tona, se nuk kanë ku t’i shmangen dënimit Tonë.
42:36. Çdo gjë që ju është dhënë juve, është vetëm kënaqësi në jetën e kësaj bote. Por shpërblimi i Allahut është më i mirë dhe më i përhershëm për ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre;
42:37. për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha e mbrapshtive dhe që, kur i zemëron dikush, falin;
42:38. për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne;
42:39. dhe për ata që, kur i godet ndonjë padrejtësi e madhe, i bëjnë qëndresë dhe marrin hak.
42:40. Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë, nuk i do të padrejtët.
42:41. Për atë që përgjigjet, kur i është bërë një padrejtësi, nuk ka kurrfarë qortimi ndaj tij.
42:42. Qortim ka vetëm kundër atyre që u bëjnë keq njerëzve dhe që pa të drejtë mbjellin ngatërresa në Tokë; për ata ka dënim të dhembshëm.
42:43. Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.
42:44. Për atë që Allahu e shpie në humbje, nuk ka mbrojtës tjetër përveç Tij. Ti do të shohësh se si keqbërësit, kur ta shohin dënimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë për t’u kthyer?”
42:45. Ti do t’i shohësh se si do të përballen me zjarrin të përulur nga poshtërimi dhe duke parë tinëzisht me bisht të syrit. Ata që kanë besuar do të thonë: “Me të vërtetë që humbësit janë ata që kanë humbur vetveten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit”. Me të vërtetë, keqbërësit do të vuajnë një dënim të përhershëm!
42:46. Ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës që do t’i ndihmojë, në vend Allahut. Për atë që Allahu e shpie në humbje, s’ka kurrfarë rruge (shpëtimi).
42:47. Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë Dita, të cilën Allahu nuk e kthen më. Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni.
42:48. Nëse ata kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), si rojë për ata. Detyra jote është vetëm që të kumtosh. Kur Ne i japim njeriut të shijojë mëshirën Tonë, Ai i gëzohet asaj. Por, nëse atë e godet ndonjë e keqe për shkak të asaj që kanë bërë duart e tij, atëherë, ai bëhet mosmirënjohës i vërtetë.
42:49. I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë.
42:50. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.
42:51. Asnjë njeriu nuk i është dhënë t’i flasë Allahu, përveçse me anë të Frymëzimit ose pas perdes, ose me anën e një Kumtuesi (Engjëlli) të dërguar me lejen e Tij, për të shpallur vullnetin e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Lartë dhe i Urtë!
42:52. Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë,
42:53. (në) rrugën e Allahut, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe gjithçka që ndodhet në Tokë. Dhe vërtet, tek Allahu kthehen të gjitha çështjet!


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free