89-El-Fexhr
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
89:1. Betohem për muzgun e agimit89:2. dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!
89:3. Betohem për çiftin dhe tekun
89:4. dhe për natën kur largohet!
89:5. A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!
89:6. Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad,
89:7. banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe,
89:8. të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!
89:9. Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)?
89:10. Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)?
89:11. Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre,
89:12. duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin,
89:13. prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit.
89:14. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!
89:15. Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.”
89:16. Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”.
89:17. Nuk është kështu! Por ju nuk silleni mirë me jetimët
89:18. dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit.
89:19. Trashëgiminë (e të dobtëve) e zhvatni me lakmi të pangopur,
89:20. dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.
89:21. Por ani! Kur Toka të bëhet copë e thërrime,
89:22. kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe,
89:23. Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua!
89:24. Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!”
89:25. Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai,
89:26. e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!
89:27. O ti shpirt i qetësuar!
89:28. Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
89:29. Bashkohu me robërit e Mi
89:30. dhe hyr në Xhenetin Tim!