15-El-Hixhr
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
15:1. Elif Lâm Râ. Këto janë vargjet e Librit, të Kuranit të qartë!15:2. Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë.
15:3. Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh!
15:4. Ne nuk kemi zhdukur asnjë vend, pa i ardhur koha e caktuar.
15:5. Asnjë popull nuk mund as ta shpejtojë, as ta ngadalësojë afatin (e shkatërrimit të vet).
15:6. Ata (idhujtarët) thonë: “O ti që të është shpallur Këshilla (Kurani), ti je vërtet i marrë!
15:7. Përse nuk na sjell engjëjt, nëse ajo që thua është e vërtetë?”
15:8. Ne i dërgojmë engjëjt vetëm me shpallje dhe dënim e atëherë (të dënuarve) nuk u jepet afat për të pritur.
15:9. Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.
15:10. Ne u kemi çuar të dërguar edhe para teje, sekteve të mëparshme,
15:11. Por ata talleshin me çdo të dërguar që u vinte.
15:12. Ja, kështu Ne e bëjmë mohimin të futet në zemrat e gjynahqarëve.
15:13. Ata nuk e besojnë atë, me gjithë shembujt e popujve të kaluar.
15:14. Edhe sikur Ne të hapnim një derë të qiellit dhe të ngjiteshin nëpër të,
15:15. ata me siguri që do të thoshin: “Sytë tanë kanë qenë të shushatur, madje na kanë magjepsur”!
15:16. Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar atë për shikuesin.
15:17. Ne e ruajmë atë (qiellin) nga çdo djall i mallkuar,
15:18. përveç ndonjërit që dëgjon vjedhurazi e të cilin arrin një yll i këputur me flakë të dukshme.
15:19. Dhe Tokën e kemi shtrirë e nëpër të kemi shpërndarë male të patundura. Ne kemi bërë që në tokë të rritet çdo gjë në përpjesëtim
15:20. E aty kemi bërë mjetet e jetesës për ju dhe për ata që nuk i mbani ju.
15:21. Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij; por prej tij Ne japim me masë të caktuar.
15:22. Ne i dërgojmë erërat për pllenim dhe zbresim nga qielli ujë, prej të cilit ju japim të pini e të cilin nuk mund ta depozitoni dot.
15:23. Në të vërtetë, vetëm Ne e japim jetën dhe e sjellim vdekjen dhe vetëm Ne jemi trashëgimtarët (e gjithçkaje).
15:24. Vetëm Ne i dimë ata që kanë qenë para jush dhe vetëm Ne i dimë ata, që do të vijnë pas jush.
15:25. Sigurisht që Zoti yt do t’i tubojë ata të gjithë; Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
15:26. Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë,
15:27. kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.
15:28. Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.
15:29. Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”,
15:30. Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde,
15:31. Përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.
15:32. Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?”
15:33. Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”.
15:34. Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar!
15:35. Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!
15:36. Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!”
15:37. Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat
15:38. deri në një ditë të caktuar."
15:39. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim,
15:40. përveç robërve të Tu të sinqertë”.
15:41. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë.
15:42. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”
15:43. Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.
15:44. Ai ka shtatë dyer e për çdo derë do të ketë një pjesë të caktuar.
15:45. Vërtet, punëmirët do të jenë në kopshtet e Xhenetit pranë burimeve.
15:46. Atyre do t’u thuhet: “Hyni atje me paqe dhe siguri”!
15:47. Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.
15:48. Aty nuk do t’i mundojë lodhja e prej aty kurrë nuk do të dëbohen.
15:49. Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti,
15:50. dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm!
15:51. Tregoju atyre edhe për mysafirët e Ibrahimit!
15:52. Ata shkuan tek ai dhe i thanë “Paqe!”, por ai tha: “Në të vërtetë, Ne kemi frikë nga ju.”
15:53. Ata thanë: “Mos u frikëso, se ne po të sjellim një lajm të mirë! Ti do të kesh një djalë të dijshëm”!
15:54. Ibrahimi tha: “Po ma sillni këtë lajm të mirë, edhe pse më ka goditur pleqëria?! Mbi ç’bazë po ma sillni këtë lajm?”
15:55. Ata u përgjigjën: “Ne ta japim lajmin e mirë me vërtetësi, prandaj mos u bëj shpresëhumbur!”
15:56. Ibrahimi tha: “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”?!
15:57. Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?”
15:58. (Ata) thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës (për ta shkatërruar të gjithin),
15:59. përveç familjes së Lutit. Ne do t’i shpëtojmë të gjithë ata,
15:60. përveç gruas së tij; për atë Ne kemi caktuar si dënim që të mbetet pas me të tjerët.”
15:61. Dhe, kur të dërguarit erdhën te Luti,
15:62. ai tha: “Unë nuk ju njoh ju!”
15:63. Ata thanë: “Jo, ne të kemi sjellë atë, në të cilën ata dyshojnë,
15:64. të kemi sjellë të vërtetën, prandaj të jesh i sigurt se ajo që të themi, do të bëhet.
15:65. Nisu me familjen tënde në një kohë të natës, shko pas tyre e askush prej jush të mos shikojë prapa, por vazhdoni në drejtimin e urdhëruar!”
15:66. Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të mbramin, do të zhdukej në agim.
15:67. Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim.
15:68. Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj mos më turpëroni!
15:69. Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!”
15:70. Ata thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ne që të presësh mysafirë?”
15:71. Ai tha: “Ja vajzat e mia! Nëse doni të bëni çka synoni (martohuni me to)”.
15:72. Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!
15:73. Ata i kaploi zëri i tmerrshëm (i Xhebrailit) kur lindi Dielli,
15:74. dhe Ne e kthyem qytetin përmbys, duke lëshuar mbi ata shi gurësh prej dheut të pjekur.
15:75. Këto janë njëmend shenja bindëse për ata, që i kuptojnë ato.
15:76. Qyteti i rrënuar është në rrugë, ku gjendet edhe tani.
15:77. Kjo është vërtet treguese për besimtarët.
15:78. Por edhe banorët e Ejkes ishin keqbërës,
15:79. andaj i ndëshkuam dhe që të dy janë në rrugë të dukshme.
15:80. Edhe banorët e Hixhrës (fisi Themud), i quajtën të dërguarit për gënjeshtarë.
15:81. Ne u patëm dhënë shenjat Tona, por ata shmangeshin prej tyre.
15:82. Ata gdhendnin shtëpi në shkëmbinj, duke besuar se nuk do t’i gjente asgjë,
15:83. por edhe ata në agim i goditi zëri i tmerrshëm
15:84. dhe nuk patën aspak dobi nga ajo që patën ndërtuar.
15:85. Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre vetëm me urtësi. Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, andaj ti (o Muhamed) sillu me zemërgjerësi.
15:86. Vërtet, Zoti yt është Krijuesi Madhështor, i Gjithëdijshmi.
15:87. Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.
15:88. Mos i drejto sytë e tu nga kënaqësitë, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre dhe mos u hidhëro për ata! Me besimtarët sillu butë!
15:89. Thuaj: “Në të vërtetë, unë jam vetëm paralajmërues i qartë”.
15:90. Siç është e vërtetë se u dërguam dënim atyre që e ndanë
15:91. dhe e bënë Kuranin në pjesë (duke i besuar ca pjesë dhe duke i mohuar të tjerat),
15:92. ashtu është e vërtetë, për Zotin tënd, se Ne do t’i pyesim ata të gjithë,
15:93. për gjithçka që kanë bërë!
15:94. Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe largohu nga idhujtarët.
15:95. Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin,
15:96. e të cilët, përveç Allahut, adhurojnë edhe zot tjetër. Do ta marrin vesh mirë ata!
15:97. Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre,
15:98. andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!
15:99. Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!