84-El-Inshikak
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
84:1. Kur qielli të çahet,84:2. duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë;
84:3. kur Toka të sheshohet (nga rrënimi i maleve)
84:4. dhe të flakë atë që ka brenda e të zbrazet,
84:5. duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë,
84:6. atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.
84:7. Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë,
84:8. do ta ketë të lehtë llogarinë
84:9. dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij.
84:10. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës,
84:11. do të lutet për të vdekur
84:12. dhe në zjarr do të digjet,
84:13. sepse ai jetonte i shkujdesur në familjen e tij,
84:14. duke menduar se kurrë nuk do të kthehej (për të dhënë llogari).
84:15. Po, Zoti i tij, sigurisht që i ka ndjekur të gjitha punët e tij!
84:16. Betohem në kuqërrimin e muzgut,
84:17. në natën e në gjithçka që ajo kaplon me errësirën e saj,
84:18. si dhe në hënën e plotë,
84:19. se ju, me siguri, do të kaloni nga e keqja te më e keqja!
84:20. Çfarë kanë ata që nuk duan të besojnë?!
84:21. E përse, kur u lexohet Kurani, nuk përulen në sexhde?!
84:22. Përkundrazi, ata që nuk besojnë e quajnë atë gënjeshtër.
84:23. Por Allahu e di mirë çfarë fshehin ata,
84:24. prandaj shpallu atyre dënimin e dhembshëm (që i pret të gjithë),
84:25. përveç atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira; ata do të shpërblehen pandërprerë