85-El-Buruxh
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
85:1. Për qiellin me yjësi,
85:2. për Ditën e premtuar,
85:3. për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet!
85:4. Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut,
85:5. zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse,
85:6. kur rrinin ulur rreth tij,
85:7. duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve!
85:8. Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,
85:9. të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje.
85:10. Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie.
85:11. Kurse për ata, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të ketë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja madhështore.
85:12. Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!
85:13. Vërtet, Ai e zë fill krijimin dhe e përsërit atë.
85:14. Ai është Falësi i madh, i Dhembshuri,
85:15. Zotëruesi i Fronit të Lavdishëm,
85:16. Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron.
85:17. A e ke dëgjuar ndodhinë e ushtrive
85:18. të Faraonit dhe të fisit Themud?
85:19. E megjithatë, ata që nuk besojnë, vazhdojnë ta quajnë atë (Kuranin) të rremë,
85:20. ndonëse Allahu është pas tyre e i ka nën kontroll.
85:21. Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm,
85:22. në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).