76-El-Insan
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
76:1. Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!76:2. Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.
76:3. Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.
76:4. Pa dyshim, Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr flakërues.
76:5. Sigurisht, të ndershmit besimtarë do të pinë (në Xhenet) kupa me pije të përzier me Kafur,
76:6. nga burimi që vetëm robtë e Allahut pinë dhe të cilin mund ta çojnë nga të duan.
76:7. Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund.
76:8. Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë,
76:9. duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!
76:10. Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.”
76:11. Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim
76:12. dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.
76:13. Të mbështetur në divane, ata nuk do të kenë as vapë dhe as të ftohtë.
76:14. Hija e pemëve të tij (Xhenetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t’i kenë afër sa t’i arrijnë me dorë.
76:15. Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali,
76:16. kupa të tejdukshme argjendi, madhësinë e të cilave (do ta zgjedhin) sipas dëshirës.
76:17. Aty do të pinë gota me pije të përzier me xhenxhefil,
76:18. prej një burimi të quajtur Selsebil.
76:19. Atyre do t’u shërbejnë djem përherë të rinj, që, kur i shikon, të duken si margaritarë të shpërndarë.
76:20. Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe.
76:21. Ata do të jenë të veshur me petka të holla mëndafshi të gjelbër dhe me armaç mëndafshi të trashë, të stolisur me byzylykë të argjendtë. Zoti i tyre do t’u japë të pinë pije të pastër.
76:22. Ky do të jetë me të vërtetë shpërblimi juaj; përpjekjet tuaja do të jenë të pranuara.
76:23. Në të vërtetë, Ne ta kemi shpallur Kuranin ty hap pas hapi.
76:24. Prandaj ki durim për vendimin e Zotit tënd e mos dëgjo asnjë gjynahqar apo jobesimtar prej tyre!
76:25. Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje.
76:26. Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe, natën falju gjatë Atij.
76:27. Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë, që do t’u vijë.
76:28. Ne i krijuam ata dhe ua forcuam strukturën, por, nëse duam, i ndërrojmë plotësisht me të tjerë si ata.
76:29. Në të vërtetë, kjo është këshillë, prandaj, kush të dojë, le të ndjekë rrugën që e shpie te Zoti i tij.
76:30. Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut! Ai është vërtet i Gjithëdijshëm e i Urtë.
76:31. Ai pranon në mëshirën e Vet kë të dojë, ndërsa për keqbërësit ka përgatitur një dënim të dhembshëm.