74-El-Muddeththir
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
74:1. O ti, i mbështjellë (o Muhamed)!74:2. Çohu dhe paralajmëro!
74:3. Zotin tënd madhëroje,
74:4. petkat e tua pastroji
74:5. dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!
74:6. Mos jep gjë, me synimin që të marrësh më shumë
74:7. dhe për hir të Zotit tënd, duro,
74:8. se, kur të fryhet në Sur,
74:9. ajo do të jetë një ditë e rëndë.
74:10. Për jobesimtarët nuk do të jetë aspak e lehtë.
74:11. Më ler Vetëm (të merrem) me atë që e krijova
74:12. dhe i dhashë pasuri të pamatë
74:13. e djem pranë vetes!
74:14. Unë ia bëra kamjen të lehtë e të shtruar,
74:15. e, megjithatë, ai lakmon që t’i jap më tepër.
74:16. Jo, kurrsesi! Vërtet, ai i mohoi me kryeneçësi shpalljet Tona,
74:17. prandaj Unë do ta ngarkoj atë me dënime të rënda.
74:18. Ai mendoi dhe kurdisi (kundër Kuranit),
74:19. dhe qoftë mallkuar, si kurdisi!
74:20. Dhe sërish qoftë mallkuar, si kurdisi!
74:21. Pastaj vështroi rreth vetes,
74:22. mblodhi vetullat e u vrenjt,
74:23. pastaj u kthye i kapardisur
74:24. dhe tha: “Ky (Kuran) nuk është gjë tjetër, veçse magji e trashëguar!
74:25. Këto janë vetëm fjalë të një vdekatari!”
74:26. Do ta hedh në Sekar (Xhehenem)!
74:27. E si mund ta dish ti tamam se çfarë është Sekari (zjarri përvëlues)?
74:28. Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë,
74:29. lëkurat i shkrumbon.
74:30. Atij i rrinë roje nëntëmbëdhjetë (engjëj).
74:31. Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit vetëm engjëjt dhe numrin e tyre e kemi bërë sprovë (objekt polemikash) për jobesimtarët, me qëllim që të binden ata që u është dhënë Libri e t’u shtohet besimi atyre që besojnë; që të mos dyshojnë ata që u është dhënë Libri dhe besimtarët e vërtetë dhe që të thonë ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe mosbesimtarët: “Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?” Kështu, Allahu lë në humbje atë që do dhe çon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Ky është vetëm një përkujtesë për njerëzit.
74:32. Kurrsesi! Betohem për Hënën,
74:33. për natën që largohet
74:34. e për agimin që zbardhëllon
74:35. se ai (Xhehenemi) është vërtet një nga fatkeqësitë më të mëdha,
74:36. paralajmërim për njerëzit,
74:37. për ata nga ju që dëshirojnë të ecin përpara (me vepra të mira) ose të kthehen mbrapsht (me vepra të këqija).
74:38. Çdo njeri është peng i veprave të veta,
74:39. përveç njerëzve të krahut të djathtë;
74:40. të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin
74:41. për keqbërësit:
74:42. “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?”
74:43. Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz
74:44. dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit.
74:45. Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët
74:46. dhe mohonim Ditën e Llogarisë,
74:47. derisa na erdhi vdekja.”
74:48. Prandaj, kurrfarë ndërmjetësimi i cilitdo ndërmjetësuesi nuk do t’i ndihmojë ata.
74:49. Atëherë, përse shmangen ata nga këshillimi,
74:50. sikur të ishin gomerë të egër
74:51. e të frikësuar që ikin prej luanit?!
74:52. Vërtet, çdonjëri prej tyre kërkon që t’i jepen shkrime të hapura (nga Zoti).
74:53. Kurrsesi, pasi ata nuk i frikësohen jetës tjetër!
74:54. Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë,
74:55. prandaj, kush të dojë, le t’ia vërë veshin!
74:56. Por atij ia vënë veshin vetëm ata që do Allahu. Vetëm Ai është i Denjë për t’u pasur frikë dhe vetëm Ai është i Denjë për të falur.