72-El-Xhinn
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
72:1. Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindeve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: ‘Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm,
72:2. i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!
72:3. Qoftë lartësuar Madhëria e Zotit tonë! Ai nuk ka zgjedhur as bashkëshorte, as bir.
72:4. Por disa të marrë nga ne flisnin gënjeshtra për Allahun,
72:5. kurse ne mendonim se as njerëzit, as xhindet nuk flasin gënjeshtra për Allahun.
72:6. Në të vërtetë, ka pasur njerëz që kërkonin mbrojtje nga xhindet, por kjo vetëm sa i çoi më tej në gabime.
72:7. Edhe ata mendonin siç mendonit ju, se Allahu nuk do të ringjallte askënd.
72:8. Ne jemi ata që kemi synuar qiellin, por kemi hasur në plot roje të forta (engjëj të fuqishëm) dhe shigjeta të zjarrta (meteorë).
72:9. Dhe uleshim rreth tij, nëpër vende të përshtatshme për të dëgjuar diçka, por ai që përgjon tani, do të hasë në shigjeta të zjarrta (meteorë) në pritë.
72:10. Ne nuk e dimë nëse (me këto roja të qiellit) është synuar e keqja (zbritja e dënimit) për ata që janë në Tokë apo Zoti i tyre kërkon t’i udhëzojë në rrugë të drejtë?!
72:11. E midis nesh ka të mirë, por ka edhe që nuk janë të mirë; jemi ndarë në grupime të ndryshme.
72:12. Ne e dimë se nuk mund t’i shpëtojmë Allahut në Tokë dhe nuk mund t’i shmangemi Atij duke ikur (në qiell).
72:13. Posa dëgjuam udhëzimin (Kuranin), Ne besuam në të; e kush beson në Zotin e vet, nuk ka përse të frikësohet se mos dëmtohet, as se mos i bëhet padrejtësi.
72:14. Ka prej nesh që janë myslimanë, por ka edhe të atillë që janë jobesimtarë. Kush ka përqafuar Islamin, ka zgjedhur rrugën e drejtë,
72:15. kurse jobesimtarët do të jenë lëndë djegëse të Xhehenemit.’
72:16. Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm,
72:17. për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër.
72:18. Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!
72:19. Kur robi i Allahut (Muhamedi), u ngrit t’i lutej Atij, ata (xhindet) u tubuan rreth tij si shtëllungë.”
72:20. Thuaj (o Muhamed): “Unë i lutem vetëm Zotit tim dhe nuk i shoqëroj Atij askënd (në adhurim)”.
72:21. Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”.
72:22. Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut; dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai.
72:23. Unë kam për detyrë veç t’ju përcjell atë që më vjen nga Allahu dhe mesazhet e Tij. Këdo që s’dëgjon Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e pret zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të mbetet përgjithmonë.”
72:24. Kur ata të shohin atë që u është premtuar, do ta dinë se kush është më i dobët dhe më i paktë në numër.
72:25. Thuaj (o Muhamed!): “Unë nuk e di, a është afër ajo që ju është premtuar apo Zoti im do ta vonojë.”
72:26. Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt,
72:27. përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikqyrës (engjëj),
72:28. në mënyrë që ta dijë nëse i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht.