La ilahe il Allah

44-Ed-Duhan

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

44:1. Hâ, Mîm.
44:2. Betohem në Librin e qartë!
44:3. Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.
44:4. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë,
44:5. me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar,
44:6. si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
44:7. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje.
44:8. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!
44:9. Por ata argëtohen duke dyshuar.
44:10. Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë,
44:11. që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!”
44:12. (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!”
44:13. E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta
44:14. e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët”?!
44:15. Edhe sikur t’ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).
44:16. Ditën, kur do t’i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.
44:17. Përpara tyre Ne vumë në sprovë popullin e Faraonit, kur u pat ardhur i Dërguari fisnik,
44:18. (i cili u tha): “Më sillni robërit e Allahut, sepse Unë jam për ju një i dërguar i besuar!
44:19. Dhe mos u madhëroni mbi Allahun, sepse unë po ju sjell provë të qartë!
44:20. Unë kërkoj mbështetje në Zotin tim dhe Zotin tuaj, që të mos më vrisni me gurë!
44:21. Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!”
44:22. Dhe ai iu lut Zotit të vet: “Ky është vërtet një popull keqbërës!”
44:23. (Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin!
44:24. Lëreni pas detin e hapur, se ata, me siguri, do të fundosen si ushtri”!
44:25. Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata,
44:26. sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike,
44:27. dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin!
44:28. Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër.
44:29. Nuk i vajtoi ata as qielli, as Toka, as nuk iu dha afat atyre.
44:30. Ne i shpëtuam bijtë e Izraelit nga dënimi poshtërues
44:31. prej Faraonit, që ishte tiran, njeri që kalonte çdo kufi të së keqes.
44:32. Ne i zgjodhëm ata, me qëllim mbi popujt e tjerë (të asaj kohe)
44:33. dhe u dhamë shenja, në të cilat ka sprova të qarta.
44:34. E megjithatë, jobesimtarët thonë:
44:35. “Ekziston vetëm vdekja jonë e parë, ne nuk do të ringjallemi!
44:36. Na i risillni, pra, të parët tanë, nëse thoni të vërtetën!”
44:37. A janë këta më të mirë se populli i Tubbas apo ata para tyre? Ne i shkatërruam ata, sepse ishin vërtet punëmbrapshtë.
44:38. Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur!
44:39. Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.
44:40. Me të vërtetë, Dita e Gjykimit, është e caktuar për të gjithë ata.
44:41. Atë Ditë, i afërmi nuk mund ta ndihmojë aspak të afërmin e as ata vetë nuk do t’i ndihmojë kush,
44:42. me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
44:43. Pema e Zekkumit
44:44. do të jetë ushqim i gjynahqarit.
44:45. Si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tij,
44:46. ashtu si vlon uji i nxehtë.
44:47. (Engjëjve do t’u thuhet): “Rrëmbejeni atë dhe çojeni në mes të zjarrit flakërues!
44:48. Pastaj, për dënim, hidhni mbi kokën e tij ujë të valuar (duke i thënë):
44:49. “Shijoje këtë, o njeri “i fuqishëm” dhe “fisnik”!
44:50. Ja, ky është dënimin për të cilin ju dyshonit!”
44:51. Punëdrejtët, me të vërtetë, do të jenë në vend të sigurt,
44:52. midis kopshteve dhe burimeve,
44:53. të veshur në petka mëndafshi të hollë dhe armaç, të ulur përballë njëri-tjetrit.
44:54. Po, kështu do të jetë, dhe Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.
44:55. Aty do të kërkojnë çfarëdo frutash që të dëshirojnë e do të jenë të sigurt.
44:56. Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë dhe Ai do t’i shpëtojë prej dënimit të zjarrit flakërues.
44:57. Kjo do të jetë dhunti prej Zotit tënd. Kjo është fitorja madhështore!
44:58. Ne e kemi bërë të lehtë Kuranin në gjuhën tënde, që ata të mund të marrin këshilla.
44:59. Andaj ti prit, se edhe ata vetë po presin!
 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free