36-Ja Sin
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
36:1. Jâ Sîn.36:2. Për Kuranin plot urtësi!
36:3. Në të vërtetë, ti (Muhamed) je një nga të dërguarit
36:4. në rrugë të drejtë
36:5. me Shpalljen e të Plotfuqishmit, Mëshirëplotit,
36:6. që të paralajmërosh një popull, paraardhësit e të cilit nuk ishin të paralajmëruar, prandaj këta janë të pakujdesshëm.
36:7. Shumica e tyre meritojnë dënimin Tonë, se ata nuk besojnë.
36:8. Ne do t’u vëmë në qafë vargonj, të cilët do t’u arrijnë deri në mjekër, e kështu do të jenë si të mpirë.
36:9. Ne kemi vënë pengesë para tyre dhe pas tyre e i kemi mbuluar, kështu që ata nuk shohin.
36:10. Për ata është njëlloj, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë.
36:11. Në të vërtetë, paralajmërimi yt i sjell dobi vetëm atij që ndjek Këshillën (Kuranin) dhe i frikësohet të Gjithëmëshirshmit, edhe pa e parë Atë. Këtij jepi lajmin e mirë për falje gjynahesh dhe shpërblim bujar!
36:12. Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.
36:13. Përmendu atyre shembullin e banorëve të qytetit, kur u erdhën të dërguarit.
36:14. Ne u dërguam atyre dy vetë, që ata i quajtën gënjeshtarë. Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë e ata thanë: “Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!”
36:15. Banorët u thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne, e i Gjithëmëshirshmi nuk ju ka shpallur asgjë; ju vetëm gënjeni”.
36:16. Ata u përgjigjën: “Zoti ynë e di që ne jemi vërtet të dërguar te ju
36:17. dhe kemi detyrë vetëm që të shpallim qartë”.
36:18. Banorët thanë: “Ne parandiejmë fatkeqësi nga ju. Nëse nuk tërhiqeni, do t’ju gurëzojmë dhe me siguri do t’ju godasë një dënim i dhembshëm prej nesh”.
36:19. Ata u përgjigjën: “Fatkeqësia, që ju ndollët, mund të vijë vetëm nga vetja juaj. Vallë, për shkak se po ju këshillojmë, na kërcënoni?! Ju jeni popull që kaloni çdo lloj kufiri.”
36:20. Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha: “O populli im, ndiqni të dërguarit!
36:21. Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë!
36:22. Përse të mos e adhuroj Atë, i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë?
36:23. Vallë, përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse i Gjithëmëshirshmi do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do të më sillte kurrfarë dobie e as që do të mund të më shpëtonin.
36:24. Atëherë, unë do të isha me siguri në humbje të dukshme.
36:25. Unë i kam besuar Zotit tuaj, andaj, më dëgjoni!”
36:26. (Pasi e vrau populli i vet, atij) iu tha: “Hyr në Xhenet!” Ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im,
36:27. se si më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!”
36:28. Por pas (vdekjes së) tij, Ne nuk i dërguam kurrfarë ushtrie nga qielli (si dënim) popullit të tij dhe as që kishte nevojë për të dërguar.
36:29. (Mjaftoi për t’i dënuar ata) vetëm një zë i tmerrshëm, pas të cilit u shuan përnjëherësh.
36:30. Ah, sa mjerim për ata njerëz! Kurdo që u vinte ndonjë i dërguar, ata nuk bënin tjetër, por vetëm talleshin me të.
36:31. Vallë, a nuk e kishin parë ata se sa e sa brezni para tyre që kishim shkatërruar nuk u kthyen më?!
36:32. Të gjithë ata do të paraqiten bashkërisht te Ne.
36:33. Shenjë për ata është toka e vdekur; Ne e ringjallim atë dhe nga ajo nxjerrim drithëra, me të cilat ushqehen.
36:34. Ne kemi krijuar në tokë kopshte hurmash dhe vreshta e kemi bërë të shpërthejnë në të burime uji,
36:35. që ata t’i hanë frutat e tyre. Këto nuk i bënë duart e tyre; ndaj, përse ata nuk duan të jenë mirënjohës?!
36:36. Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, ata vetë dhe ato që nuk i dinë!
36:37. Një shenjë tjetër për ata është nata, prej së cilës Ne e tërheqim ditën dhe atëherë ata mbeten në errësirë.
36:38. Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.
36:39. Hënës i kemi caktuar faza; ajo përditë hahet e bëhet si rremi i përkulur i hurmës.
36:40. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.
36:41. Një shenjë tjetër për ata është që paraardhësit e tyre Ne i ngarkuam në anijen e mbushur plot (të Nuhut)
36:42. dhe për ata Ne krijuam mjete të ngjashme me atë anije, në të cilat hipin.
36:43. Po të duam, Ne i fundosim ata e atëherë as nuk do të mund t’i ndihmojë kush, as nuk do të mund të shpëtojnë,
36:44. përveçse me mëshirën Tonë, duke i lënë ata të kënaqen njëfarë kohe.
36:45. Kur atyre u thuhet: “Druajuni asaj që keni para jush dhe asaj që është pas jush, me qëllim që Allahu t’ju mëshirojë” (ata nuk ia vënë veshin).
36:46. Sa herë që atyre u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i shmangen asaj.
36:47. E kur atyre u thuhet: “Jepni nga ato që ju ka dhënë Allahu”, atëherë, mohuesit u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t’i ushqejmë ata që, po të donte Allahu, do t’i ushqente Vetë? Ju jeni vërtet në humbje të qartë!”
36:48. Ata (mosbesimtarët) thonë gjithashtu: “Kur do të përmbushet ky premtim, nëse ajo që thoni është e vërtetë?”
36:49. Ata presin vetëm një zë të tmerrshëm, që do t’i kaplojë, ndërsa grinden me njëri-tjetrin.
36:50. Atëherë ata nuk do të mund të lënë testament e as të kthehen te familjet e tyre.
36:51. Dhe, kur të fryhet në Sur, ata do të dalin nga varret dhe do të nxitojnë drejt Zotit të tyre,
36:52. duke thënë: “Mjerë ne! Kush na ngriti prej varreve tona?” (Do t’u thuhet): “Ja, kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi; të dërguarit kanë thënë të vërtetën!”
36:53. Do të jetë ai vetëm një zë i tmerrshëm e ata të gjithë do të paraqiten para Nesh.
36:54. Atë ditë askujt nuk do t’i bëhet ndonjë padrejtësi dhe ju do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë.
36:55. Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre.
36:56. Ata dhe gratë e tyre do të jenë në hije, të mbështetur në ndenjëse të lartuara.
36:57. Për ata do të ketë aty fruta dhe çdo gjë që dëshirojnë.
36:58. “Paqe!” do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë.
36:59. (Ndërsa keqbërësve Ai do t’u thotë): “Veçohuni sot ju, o kriminelë!
36:60. Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët i juaji,
36:61. por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë.
36:62. Sigurisht që ai (djalli) ka shpënë në humbje një mizëri prej jush; vallë a nuk po mendoni?!
36:63. Ky është Xhehenemi, që ju ishte premtuar.
36:64. Digjuni tani në të, sepse kurrë nuk besuat!”
36:65. Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.
36:66. Sikur të donim, Ne do t’ua verbonim atyre sytë, kështu që ata do ta kërkonin më kot rrugën! Vallë, si do të shihnin?
36:67. Sikur të kishim dashur, Ne do t’i kishim shndërruar ata (në krijesa të tjera) në atë vend e ata nuk do të mund as të shkonin e as të ktheheshin.
36:68. Kujtdo, që i japim jetë të gjatë, Ne e bëjmë sërish krijesë të dobët. Vallë, a nuk kuptojnë ata?
36:69. Ne nuk ia kemi mësuar atij (Muhamedit) poezinë e ajo as që është për të. Ky (libër që ka sjellë) është vetëm këshillë dhe një Kuran i qartë,
36:70. për të paralajmëruar këdo që është gjallë dhe për t’u përmbushur fjala e Tij ndaj mohuesve.
36:71. Vallë, a nuk e shohin ata se, ndër gjërat që Duart Tona kanë krijuar për ta, janë bagëtitë që ata zotërojnë?!
36:72. Ne bëmë që ato t’u nënshtrohen atyre, kështu që disa i shalojnë e prej disave ushqehen,
36:73. prej disave pinë dhe nxjerrin dobi të tjera. Vallë, si të mos falënderojnë!
36:74. Por ata kanë zgjedhur zota të tjerë në vend të Allahut, duke shpresuar se do të ndihmohen prej tyre.
36:75. Zotat nuk mund t’i ndihmojnë, e megjithatë idhujtarët janë si një ushtri e pranishme për (t’i mbrojtur) ata.
36:76. Mos u dëshpëro nga fjalët e tyre! Ne e dimë çfarë fshehin dhe çfarë shpallin.
36:77. A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së farës, e megjithatë ai bëhet kundërshtar i hapët?!
36:78. Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?”
36:79. Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë;
36:80. Ai që prej drurit të njomë bëri për ju zjarrin, të cilin e përdorni për të ndezur”.
36:81. Vallë, a nuk është i Zoti Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, t’i rikrijojë ato? Po! Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi!
36:82. Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.
36:83. Prandaj, qoftë lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë! Tek Ai do të ktheheni!