La ilahe il Allah

52-Et-Tur

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

52:1. Betohem për malin Tur (Sina)
52:2. dhe Librin e shkruar në rreshta,
52:3. në pergamenë të shpalosur
52:4. dhe Shtëpinë plot vizitorë
52:5. dhe kupën e ngritur (të qiellit)
52:6. dhe detin e mbushur,
52:7. se, me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë
52:8. dhe askush nuk mund ta pengojë.
52:9. Atë Ditë qielli do të lëkundet fuqishëm
52:10. e malet do të lëkunden me të madhe nga vendi!
52:11. Atë Ditë, mjerë për jobesimtarët,
52:12. që, të zhytur në gënjeshtra, argëtoheshin!
52:13. Atë Ditë, ata do të hidhen me forcë në zjarrin e Xhehenemit.
52:14. (Do t’u thuhet): “Ky është zjarri që e keni mohuar!
52:15. A është kjo magji apo nuk shihni?
52:16. Përcëllohuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju. Në të vërtetë, ky është “shpërblimi” i vetëm për atë që keni bërë”.
52:17. Vërtet, besimtarët e devotshëm do të gjenden në kopshtet e Xhenetit dhe në lumturi,
52:18. duke u kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti i tyre, sepse Ai i ka ruajtur prej dënimit të Zjarrit flakërues.
52:19. (Do t’u thuhet): “Hani e pini me kënaqësi, si shpërblim për atë që keni bërë!”
52:20. Të mbështetur në divane të renditura, ata do të martohen me hyri sybukura.
52:21. Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.
52:22. Dhe do t’ua zgjerojmë dhuntitë atyre me fruta dhe mish, si ua ka ënda.
52:23. Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe.
52:24. Rreth tyre do të sillen shërbyes, djelmosha si margaritarë të fshehur.
52:25. Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin
52:26. e duke thënë: “Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut),
52:27. por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit).
52:28. Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë”.
52:29. Pra, paralajmëro (o Muhamed), sepse ti, për dhuntinë e Zotit tënd, nuk je as fallxhi, as i çmendur!
52:30. Vërtet thonë ata: “Ai është vjershëtar, të presim derisa ta zhdukë vdekja”?!
52:31. Thuaju: “Prisni, se edhe unë po pres bashkë me ju!”
52:32. A mos u vjen kjo nga mendja e tyre apo ata janë popull i ndërkryer?
52:33. Vërtet thonë ata: “Ai e ka trilluar atë”?! Nuk është kështu, por ata nuk besojnë.
52:34. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë !
52:35. A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!
52:36. A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur.
52:37. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!
52:38. A mos kanë ndonjë shkallë (për në qiell) e përgjojnë Atë?! Atëherë, le të sjellë përgjuesi i tyre dëshmi të qartë!
52:39. Vallë, për Atë janë vajzat e për ju djemtë?!
52:40. A mos po kërkon ti shpërblim prej tyre, që të kenë frikë se mos po ngarkohen me detyrim?!
52:41. A mos zotërojnë të padukshmen, kështu që mund ta përshkruajnë?!
52:42. A mos duan të ngrenë kurthe kundër teje? Ta dinë se vetëm mohuesit do të bien në kurthe!
52:43. A mos ata kanë zot tjetër, veç Allahut?! Allahu është i Lartësuar mbi gjithçka që ia veshin Atij!
52:44. Edhe sikur të shihnin se po bie një copë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh”!
52:45. Prandaj, lëri ata të vazhdojnë kështu, derisa të takohen me Ditën, në të cilën, do të zalisen (nga frika),
52:46. me Ditën, në të cilën, dinakëritë tyre nuk do t’u bëjnë asnjë dobi dhe kur ata nuk do t’i ndihmojë askush.
52:47. Në të vërtetë, për keqbërësit ka edhe një dënim tjetër para këtij; por shumica e tyre nuk e dinë.
52:48. Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd se, me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë! Lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd kur të ngrihesh;
52:49. edhe gjatë natës lavdëroje Atë, si dhe pas perëndimit të yjeve!

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free