50:1. Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!
50:2. Po! Ata çuditen që nga gjiri i tyre u ka ardhur një paralajmërues, kështu që mohuesit thonë: “Kjo gjë është e çuditshme.
50:3. Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur (do të ringjallemi sërish)? Ai kthim është i largët!”
50:4. Ne e dimë sa prej tyre i merr toka, tek Ne është Libri që i ruan të gjitha.
50:5. Mirëpo, ata e mohojnë të Vërtetën kur u vjen, kështu që ata janë në gjendje të turbulluar.
50:6. A nuk e shohin ata qiellin që qëndron sipër tyre, si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa pasur kurrfarë plasaritje në të?
50:7. Ndërsa Tokën e kemi shtruar dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme dhe kemi bërë, që nga ajo, të mbijnë gjithfarëlloj bimësh të bukura,
50:8. si mjet ndriçimi të mendjes dhe përkujtesë për çdo rob që i drejtohet Zotit të vet.
50:9. Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren
50:10. dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën,
50:11. si ushqim për robërit Tanë; në këtë mënyrë Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.
50:12. Para tyre ka mohuar populli i Nuhut, banorët e Ressit dhe fisi Themud,
50:13. edhe fisi Ad, Faraoni dhe vëllezërit e Lutit,
50:14. edhe banorët e Ejkës, edhe populli i Tubbas; të gjithë ata i quajtën gënjeshtarë të dërguarit, prandaj kundër tyre u përmbush dënimi Im.
50:15. Vallë, a mos u lodhëm Ne gjatë krijimit të parë? Jo, por ata dyshojnë në krijimin e sërishëm.
50:16. Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.
50:17. Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta,
50:18. dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).
50:19. Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.
50:20. Dhe do të fryhet në Sur - kjo është Dita e kërcënimit.
50:21. Çdo shpirt do të vijë i shoqëruar me një (engjëll) grahës dhe një (engjëll) dëshmitar.
50:22. (Mohuesit do t’i thuhet): “Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.”
50:23. E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: “Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati”.
50:24. (Do t’u thuhet:) “Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç,
50:25. pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe);
50:26. çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!”
50:27. E, shoku i tij (djall) do të thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”.
50:28. Atyre (Allahu) do t’u thotë: “Mos u grindni para Meje, Unë ju kam paralajmëruar me kohë.
50:29. Fjala ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi”.
50:30. Atë Ditë Ne do ta pyesim Xhehenemin: “A u mbushe?” e ai do të përgjigjet: “A ka edhe më?”
50:31. Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm,
50:32. (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet),
50:33. që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu).
50:34. Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!”
50:35. Aty do të kenë çfarë të duan - e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.
50:36. Eh, sa breza shumë më të fuqishëm Ne i kemi shkatërruar para tyre! Ata brodhën nëpër Tokë, po a mund të gjenin strehim?!
50:37. Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.
50:38. Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndierë lodhje aspak.
50:39. Andaj, duroje atë që thonë ata, madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.
50:40. Madhëroje Atë edhe në një pjesë të natës, edhe pas faljes së namazit.
50:41. Dhe vëri veshin thërritësit që thërret prej një vendi të afërt,
50:42. Ditën, kur ata do ta dëgjojnë thirrjen e vërtetë, ajo do të jetë Dita e Daljes (ringjalljes).
50:43. Jemi Ne ata që japin jetën dhe vdekjen. Te Ne do të kthehet çdo gjë!
50:44. Atë Ditë, toka do të hapet e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë.
50:45. Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!