La ilahe il Allah

14-Ibrahim

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

14:1.    Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,
14:2.    Allahut, të Cilit i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Mjerë mohuesit për dënimin e tmerrshëm (që i pret)!
14:3.    Mjerë ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, që largojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe.
14:4.    Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit). Allahu e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
14:5.    Ne e dërguam Musain me shenjat Tona (dhe i thamë): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut!” Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe falënderues.
14:6.    (Kujto) kur Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni dhuntinë që ju dha Allahu, kur ju shpëtoi nga populli i Faraonit, që ju mundonte me torturat më të rënda, duke vrarë djemtë tuaj e duke jua lënë gjallë femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj.
14:7.    (Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.
14:8.    Dhe Musai tha: “Nëse mohoni ju dhe të gjithë ata që janë në Tokë, (dijeni se) Allahu është vërtet i Vetëmjaftueshëm dhe plot lavdi.”
14:9.    A nuk ju ka ardhur lajmi për ata që kanë qenë para jush: për popullin e Nuhut, fiset Ad e Themud dhe për ata pas tyre? Vetëm Allahu i di ata! Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta, por ata vinin duart në gojë (me tallje) dhe thoshin: “Ne nuk besojmë në mesazhin tuaj. Ne kemi dyshim të madh ndaj asaj që na thërrisni ju”!
14:10.    Të dërguarit e tyre u thanë: “Vallë, a mund të dyshohet në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?! Ai ju thërret juve për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin e caktuar”. Ata thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne. Ju dëshironi të na shmangni nga ajo që kanë adhuruar të parët tanë. Andaj, na sillni prova të dukshme!”
14:11.    Të dërguarit e tyre u thanë: “Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu ia dhuron hirin e Tij kujt të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’ju sjellim prova pa urdhrin e Allahut. Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu.
14:12.    E përse të mos mbështetemi tek Allahu, kur Ai tashmë na ka treguar rrugën e drejtë, në të cilën po ecim? Ne do t’i durojmë përndjekjet tuaja e ata që besojnë, le të shpresojnë vetëm tek Allahu!”
14:13.    Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: “Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!” Atëherë, Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): “Ne do t’i zhdukim keqbërësit,
14:14.    e pas tyre do t’ju vendosim në tokën e tyre. Kjo është për ata që kanë frikë nga qëndrimi para Meje (për gjykim) dhe i tremben premtimit (dënimit) Tim.”
14:15.    Dhe (të dërguarit) kërkuan ndihmë (nga Allahu), kurse kokëfortët kryelartë u shkatërruan.
14:16.    Pas tyre është Xhehenemi, ku do të pijnë ujë të qelbur,
14:17.    të cilin do ta gjerbin e nuk do të mund ta gëlltisin. Vdekja do t’u vijë atyre nga të gjitha anët, por nuk do të vdesin. Ata i pret një dënim i rëndë.
14:18.    Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe.
14:19.    Vallë, a nuk sheh ti sesi Allahu ka krijuar me urtësi qiejt dhe Tokën? Nëse dëshiron, Ai mund t’ju zhdukë ju dhe të sjellë një popull të ri;
14:20.    kjo nuk është punë e rëndë për Allahun Fuqiplotë.
14:21.    Të gjithë do të dalin para Allahut. (Atëherë), ata që kanë qenë të përulur, do t’u thonë atyre që kanë qenë kryelartë: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të lehtësoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Allahut?” Ata do të thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, edhe ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim.”
14:22.    Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.
14:23.    Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të pranohen në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku, me lejen e Zotit të tyre, do të banojnë përherë. Atje do të përshëndeten me fjalën: “Selam!”
14:24.    Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli?
14:25.    Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.
14:26.    Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e pa qëndrueshme për ekzistencë.
14:27.    Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.
14:28.    Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit?
14:29.    Ata do të digjen në Xhehenem. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm është ai!
14:30.    Ata kanë trilluar zota të rreme si ortakë të Allahut për t’i larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, se përfundimi juaj është në zjarr!”
14:31.    Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin dhe le të japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, para se të arrijë dita në të cilën s’ka as tregti, as miqësi.
14:32.    Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj
14:33.    e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën.
14:34.    Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.
14:35.    (Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!
14:36.    O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.
14:37.    O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.
14:38.    O Zoti ynë, Ti e di vërtet çfarë fshehim e çfarë shfaqim haptazi. Allahut nuk i fshihet asgjë, as në Tokë, as në qiell.
14:39.    Qoftë lavdëruar Allahu, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!
14:40.    O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!
14:41.    O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!”
14:42.    Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin),
14:43.    dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).
14:44.    Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju?
14:45.    Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.”
14:46.    Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë.
14:47.    As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.
14:48.    Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.
14:49.    Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga;
14:50.    rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat,
14:51.    (Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari.
14:52.    Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free